RADIKALIZOHEN SERBËT E KOSOVËS!

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i braktisin institucionet e Kosovës. Kjo është bërë e ditur nga lideri i Listës Serbe Goran Rakiq, i cili mori pjesë në protestën e mbajtur në Mitrovicë të Veriut, raporton Zeri.info.

Rakiqi tha se do t’i ngrijnë pozitat e tyre derisa të shfuqizohet vendimi për suspendimin e gjykatëses serbe Liljana Stevanoviq, e cila mori pjesë në takimin me presidentin serb, Vuçiq.

“Edhe ne, përfaqësuesit e serbëve, do ta suspendojmë veten nëpër institucione derisa gjyqtarja të kthehet në punë”, tha ai.

Ndërkohë, një numër i madh i serbëve janë mbledhur në sheshin “Car Lazari” për të protestuar, pasi Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, raporton Zeri.info.

Aktualisht situata është e qetë, ndërsa protesta po monitorohet nga afër edhe nga policia e Kosovës.

Raportohet se të paktën 10 autobusë me protestues nga Serbia kanë arritur në Mitrovicën e Veriut për t’iu bashkuar protestës, raporton mediumi “Kossev”, transmeton Zeri.info.

Sipas raportimeve, autobusët me targa RKS, KM, CA dhe BG kanë arritur nga drejtimi i Zveçanit. Marshi protestues nisi nga sheshi “Car Lazari” dhe po vazhdon nëpër qendër të Mitrovicës së Veriut.

Sot përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një deklaratë për media kanë shprehur qëndrimin e tyre për protestat e paralajmëruar për sot në veri të vendit, ndërsa kanë shprehur shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit ose dhunës.

Në deklaratë thuhet se qytetarët kanë të drejtën e tubimit paqësor por kanë edhe përgjegjësinë për të siguruar që tubime të tilla të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti ditë më parë në një konferencë për media ka folur rreth çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, ndërsa u shpreh se nuk mund të thotë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mosmbajtjen e tyre, por sipas tij, nuk ka marrëveshje paraprake ndërmjet dy qeverive e që është edhe parakusht për mbajtjen serbe në Kosovë.

Kurti para gazetarëve të Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur me faktin se nuk ka pranuar që gjithçka rreth mbajtjes të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë të përmbyllet përbrenda një letre shkëmbimi të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës.

“Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur me faktin se nuk kam pranuar që gjithçka të përmbyllet përbrenda një letër shkëmbimi të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës. Jam  i bindur se marrëveshja duhet të jetë ndërmjet një shkëmbimi të letrave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë. Ne jemi instanca, autoritetet e vendeve përkatëse dhe do të duhej të  merremi vesh rreth atyre zgjedhjeve…Kështu siç është çështja ka marr një kahe tjetër”, ka thënë Kurti.

Ndëkohë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova është e sigurt dhe se nuk bie pre e kërcënimeve apo shantazheve të Serbisë. Para mediave ai ka thënë se Serbia ka për qëllimin destabilizimin jo vetëm të Kosovës por edhe rajonit, por që bindur thotë se institucionet e Kosovës e kanë situatën e sigurisë nën kontroll.

“Kosova i ka institucionet e veta të sigurisë, ne i përcjellim ngjarjet jo vetëm në rajon por edhe jashtë rajonit, gjeopolitiksht situata ka ndryshuar shumë në vende. Ne nuk biem pre e fjalëve, kërcënimeve, shantazheve të rreme siç ka bërë Serbia në tërë këto vite, ne e mbajmë atë gjakftohtësi. Kosova është e sigurt, i ka institucionet e sigurisë, jemi në bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in”, ka thënë ai.

Mehaj ka thënë se strukturat e Kosovës janë në dijeni të dhe kanë nën kontroll situatën në vend dhe qëllimet e Serbisë.

“Strukturat e sigurisë së Kosovës janë në dijeni, nën kontroll çka qysh tek, e çfarë qëllime ka Serbia destabilizimin jo vetëm të Kosovës por edhe rajonit. Ju e dini që Serbia nuk ka hequr kurrë tendencat e tyre për të destabilizuar Kosovës, as Malin e Zi e as Bosnjën. Kanceri i Evropës, apo kanceri i Ballkanit ka qenë gjithmonë Serbia, tërë luftërat që janë krijuar në Ballkan janë krijuar nga Serbia, Kosova nuk e ka sulmuar kurrë askënd. Prej Sllovenisë kanë krijuar luftë, në Bosnje, Kroaci, në Kosovë që e kemi pasur luftën e fundit, pro ju e keni parë ndërhyrje politike në Mal të zi. Organet tona të sigurisë kanë kontrollin e duhur, policia është në dijeni, inteligjenca policore, doganat, AKI, i kanë informatat e duhura, ndërmarrin veprimet e duhura”, ka thënë Mehaj.

Leave a Comment

Your email address will not be published.