Rakiq: U koordinuam me Vuçiqin, pasnesër nisim protestën e parë

 

Krerët e Listës Serbe kanë mbajtur konferencë bashkë me drejtorin e suspenduar të Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut. Goran Rakiq thotë se këtë adresim po e bëjnë pasi kanë folur “gjithë natën” me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë suspendimi i drejtorit, i cili nuk deshi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortim të qytetarëve me targa ilegale, e ka mbushur kupën.“Vendimi i Inspektoratit Policor për ta suspenduar drejtorin e Policisë rajonale të Mitrovices Veriut është pika që përmbys kupën dhe kjo mund të themi se bukfalisht është shkatërrim e marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Rakiq, transmeton Gazeta Express.

“Terrori të cilin Prishtina e ushtron këto javë e muaj, jo që nuk duam, por më nuk mundemi ta durojmë dhe këtë e kemi shprehur qartë edhe në takimin me Presidentin Vuciq”, thotë Rakiq.Kreu i Listës Serbe thotë se do ta shqyrtojnë pozicionin e serbëve në institucione, pas suspendimit të drejtorit.

“Do të takohemi nesër me të gjithë udhëheqësit e institucioneve për të vendosur se si të vazhdojmë tutje. Me të gjithë që udhëheqin institucione, sidomos ata në Veri”, tha ai.

“E ajo çfarë mund të them është se pasnesër në orën 12:00, do të fillojmë me protestën e parë”, ka thënë Rakiq.

Kreu i LS-së thotë se “ajo do të jetë një qëndresë demokratike, politike dhe jo e dhunshme qytetare”.

Në konferencë i pranishëm ishte edhe drejtori i suspenduar, Nenad Gjuriq, i cili tha se do të largohet tërësisht nga Policia e Kosovës.

“Nga sot nuk do të jem pjesë e Policisë së Kosovës, sepse dua ballë të ndritur dhe fytyrë të pasur”, ka thënë Gjuriq.

Nesër në orën 10:00 u caktua mbledhje e jashtëzakonshme e Qeverisë së Serbisë për, siç është thënë, situatën në Kosovë.

Sonte Vuçiqi përmes të dërguarit të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, do t’i informojë SHBA-në dhe BE-në për qëndrimet e serbëve të Kosovës lidhur me “situatën aktuale të tensionuar në veri të Kosovës”.

Sipas mediave serbe, gjatë gjithë natës së kaluar presidenti i Serbisë ka pasur bisedime përfaqësuesit serbë në Kosovë, të cilët janë plotësisht të kontrolluar prej tij. “72 orët e ardhshme do të jenë më të vështirat në 10 vjetët e fundit”.

Më tutje thuhet se këta përfaqësues, që më shumë se sa përfaqësojnë qytetarët serbë në Kosovë përfaqësojnë Vuçiqin në Kosovë, do të kenë edhe një sërë takimesh, ndërsa të shtunën pritet një tubim në Mitrovicë, ku do të zbulojnë planin e tyre para qytetarëve.

Të gjitha këto po bëhen për shkak të targave RKS dhe shkarkimit të drejtorit rajonal të Policisë në veri të Mitrovicës, i cili bëri thirrje për mosbindje ndaj vendimeve të qeverisë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.