Rama dhe Basha akuza njëri-tjetrit për pandeminë dhe raportin e Dik Martit

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shkëmbyen gjatë ditës së dielë replika dhe akuza në lidhje me menaxhimin e pandemisë dhe raportit të Dick Marty, që ngriti dyshime për krime lufte nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Ishte Basha ai që u shpreh fillimisht se Rama po bën vetëm “lojëra politike” dhe kërkoi arsye se përse nuk po hapet spitali i katërt që trajton të sëmurët me COVID-19.

“Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin,” – thuhej në postimin e tij në Twitter.

Ndërkohë në krahun tjetër, Rama reagoi duke u shprehur se Basha po fshihet pas akuzave të të sëmurëve me COVID-19 për t’iu shmangur një reagimi mbi votën “pro” të PD dhe LSI ndaj raportit të Dick Marty.

“Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë! E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty!” – shkroi Rama.

Nuk mungoi kundërpërgjigjja e Bashës për akuzën e kryeministrit duke thënë se ai është përgjegjës për jetët e humbura.

“Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë,” – u shpreh Lulzim Basha.

Edhe ndaj këtij postimi reagoi sërish Rama. Kryeministri jo vetëm që këmbënguli për pretendimet për sa i përket raportit të Marty, por shtoi edhe akuza se kryetari i PD-së “ka marrë në pyetje shqiptarë” për llogari të Marty-it.

“Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulēzim, thuaje të vërtetën!” – shkroi kryeministri në Twitter.

Debati virtual mes tyre nuk u ndal pasi Basha sërish replikoi.

“Cfarë lidhje ke ti me të vërtetën, Edi Rama? Premtove shëndetësi falas- gënjeve. Premtove 300 mijë vende pune-gënjeve. Papunësia në Shqipëri arriti majat. Premtove se do ulësh çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve-gënjeve. Çmimet vetëm janë rritur. Premtove se do ulësh taksat – gënjeve.

Premtove se do ulësh çmimin e energjisë – gënjeve. Po vjen dita të largohesh gënjeshtar. Është koha për një të ardhme të re për Shqipërinë!”,- thuhej në postimin e kryedemokratit./EuronewsAlbania

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.