Ratko Mladiq u dënua me burgim të përjetshëm sot në Hagë. Leximi i vendimit zgjati rreth një orë. Dhoma e Apelit hodhi poshtë të gjitha ankesat e paraqitura nga mbrojtja e Mlladiqit. Më 22 nëntor 2017, krimineli Mlladiq u shpall fajtor për herë të parë, për dhjetë nga 11 pikat e aktakuzës.
“Ish-shefi i ushtrisë serbe të Bosnjes, Ratko Mlladiq qau ndërsa ishte ulur në bankën e të akuzuarit gjatë vendimit përfundimtar mbi një apel kundër dënimit të tij për gjenocid mbi masakrën e Srebrenicës më 1995”, njoftoi një reporter i agjencisë franceze të lajmeve, AFP.
Presidenti i SHBA Joe Biden përshëndeti të martën konfirmimin nga gjykata e Apelit të dënimit të përjetshëm të Ratko Mlladiç për gjenocid në masakrën e Srebrenicës në 1995.
“Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi” tha Biden në një deklaratë. “Ai gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar mizoritë e ardhshme që të ndodhin kudo në botë.”
“Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mlladiç. Ne kurrë nuk mund ta fshijmë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të sigurojë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar” tha ai.
Djali i Ratko Mlladiq, Darko Mlladiq, ka treguar disa nga fjalët që ia ka thënë babai i tij pasi i është rikonfirmuar se do të mbesë në burg përjetësisht për shkak të krimeve dhe gjenocidit të kryer në luftën e Bosnjës.
Mesazhi i Mlladiqit për njerëzit e tij ishte që të ruanin Republikën Serbe në Bosnje.
“Ratko e di se çfarë mendojnë njerëzit për të. Ai thotë se Republika Srpska duhet të mbrohet dhe se nuk është i rëndësishëm ai, por mbijetesa e Republikës Srpska”, ka thënë Darko, shkruan Kurir.
Djali i tij ka thënë se ai ishte veçanërisht mirënjohës ndaj kryetarit të Këshillit Gjyqësor i cili kishte një mendim të veçantë në vendim.
“Ai dukej mirë kur e vizitova. Ai u mbajt nga adrenalina, ne do të shohim se si do të ndikojë e gjitha në shëndetin e tij në ditët në vijim. Njerëzit kanë parë përmes qëllimit të tyre, asnjë forcë nuk mund të detyrojë një gënjeshtër të bëhet e vërtetë dhe Ratko e di atë”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg ka mirëpritur vendimin për konfirmimin me burg të përjetshëm ndaj kasapit të Bosnjës Ratko Mlladiq.
Ai në një postim në Twitter ka shkruar se është e drejtë që Mlladiq mbahet përgjegjës për krimet e tij të egra kundër civilëve, përfshirë vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenica në vitin 1995.
“NATO ndihmoi për t’i dhënë fund dy luftërave etnike në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990 dhe për të mbyllur një kapitull të errët dhe të turpshëm në historinë evropiane. Rajoni mbetet strategjikisht i rëndësishëm për Aleancën tonë. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke promovuar paqen dhe pajtimin”, ka shkruar Stoltenberg.