Reagime të shumta për marrëveshjen Kosovë – Serbi

Është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ajo e cila ka kritikuar delegacionin kosovar, duke thënë se qytetarëve nuk u sollën ato që u premtuan, raporton KOHA.

Por, njohjen e Kosovës nga Izraeli, Osmani e ka vlerësuar si një prej më të rëndësishmeve.

“Delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sillte vendit pikërisht ato që ua premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë: Njohjen e ndërsjellë me Serbinë, mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani), mospranimin e Mini-Schengenit, mosprekjen e Kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë, rezultate konkrete për të pagjeturit, dëmshpërblim për reparacionet e luftës, përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, eliminim të plotë të barrierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Për këtë deklaratë, Osmanit i ka reaguar në Twitter, Richard Grenell, i dërguarit amerikan për dialogun, i cili ishte pjesë e takimit të enjtes.

Grenell ka shkruar se Osmani është politikane që më shumë ankohet sesa që vepron.

“Marrëveshja ka qenë për njohje ekonomike. Është një hap gjigant. Të ankoheni tani që nuk keni marrë më shumë është e çuditshme, pasi që ju nuk keni ngritur asnjë shqetësim ose nuk keni dhënë asnjë ide gjatë takimit me mua. Na duhen politikanë që veprojnë, e jo që vetëm ankohen. Kjo ka të bëjë me vende pune, jo me simbolika. Studimi i fizibilitetit për liqenin është që të dihet saktësisht se si mund të përdoret dhe çfarë lloj vende pune mund të krijohen. Të hamendësoni se emri hap diskutime të tjera është politikë e kotë”, ka thënë Grenelli.

Ngjashëm me Osmanin, kritika kanë edhe partitë opozitare.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë lë të hapur mundësinë që shkëmbimi i territoreve të përfshihet në ujdinë finale.

Kurse, sipas kreut të PDK-së, Kadri Veseli, Kosova ka rrëshqitur në bisedime teknike dhe se nuk është punuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Dokumentet e nënshkruara nga palët nuk i vlerëson si marrëveshje njohësi i çështjeve ligjore, Vigan Qorrolli, i cili ka dyshimet e tij për zbatimin e këtij zotimi.

Marrëveshja nis me pikën që flet për pajtimin e dy shteteve për zbatimin e marrëveshjes për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt 2020 dhe përfundon me dakordimin e Kosovës dhe Izraelit që ta njohin njëri-tjetrin si shtet.

Leave a Comment

Your email address will not be published.