Shkruan: Muharrem Salihu
Data 1 dhe 2 mars 1992 është shënuar fort në kujtesën e shqiptarëve në Serbi. Banorët autoktonë në tri komunat shqiptare në jug të Serbisë: Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, në kushte shumë të rënda, ja dolën të organizojnë një referendum popullor, ku pyetja që ju parashtrohej lidhej drejtpërdrejtë me vullnetin e tyre për t’u bashkuar me Kosovën, në atë kohë ende krahinë e ish-Jugosllavisë. Jugosllavia kishte filluar gradalisht shpërbërjen, Sllovenia dhe Kroacia kishin shpallur pavarësinë, ndërsa Kosova vuante shtypjen dhe represionin nga Serbia.
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë për vite me rradhë u shoqërua me luftra të përgjakshme dhe kriza të mëdha politike, eknomike e politike, të cilat edhe në ditët e sotme i gjejmë prezentë. Një gjendje e tillë preku edhe tre komunat shqiptare në jug të Serbisë, por njëkohësisht forcoi faktorizimin mes tyre. Pas luftrave të hapura në rajon, filuan luftrat ekonomike dhe politike. Qeveria serbe punoi dhe arriti fillimisht të faktorizojë serbët në Boshnje dhe Hercegovinë dhe më pas në Kosovë. Ndërkohë bëri të kundërtën me shqiptarët në Serbi. Defaktorizimi i tyre u realizua edhe për faktin e politikave të dobta nga faktorët shqiptarë, të cilët u shtuan dhe u forcuan shpejt. Kjo krijoi një rivalitet mes tyre dhe lehtësoi punën e qeverisë serbe për të përçarë shqiptarët.
Nga themelimi i forcave politike shqiptare në Serbi, e pësoi më shumë komuna e Medvegjës, e cila u pengua vazhdimisht të krijonte subjektet e saja politike, ndaj mbeti përherë e “përfaqësuar” nga Presheva dhe Bujanoci. Kjo gjë e bëri edhe më e lehtë për qeverinë e Serbisë që të rrisë shtypjen ndaj shqiptarëve në Medvegjë, deri në shpopullin e tyre de jure, ndërkohë që popullata është aty de facto.
Edhe sot, “liderat shqiptarë politikë” në Bujanoc dhe Preshëvë nuk e kanë bërë kauzë të tyre dhe nuk po merren seriozisht me diskriminimin dhe persektuimin e shqiptarëve në Medvegjë, ku shkelja më e madhe që ju bëhet është pasivizimi i adresave. Ata po mbajnë peng përfaqësimin e medvegjasve shqiptarë përmes subjekteve të instalura në këto dy komuna dhe po merren me tema sipërfaqësore, por jo me themeloren, me pasivizimin e adresave. Mos vallë heshja e tyre ka si arsye zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në prill në Serbi? Apo duhet të besojmë se ka marrëveshje paraprake për ardhjen e tyre në pushtet? Cila do që të jetë arsyeja, qëndrimi i tyre po cënon rëndë pozitën e shqiptarëve në brendësi të Serbisë, në Medvegjë dhe tani edhe në drejtim të Bujanocit.
Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992 ishte historik dhe largpamës njëkohësisht. Pasi organizatorët e tij, projektuan vizionin për 3 komunat shqiptare, administrativisht të përfshira në Republikën e Sebisë, por brenda Jugosllavisë. Ata menduan për ardhmërinë e shqiptarëve në Serbi, që pas shpërbërjes totale të Jugosllavisë, siç edhe ndodhi, të ishin të orientuar në rrugën dhe ardhmërinë e tyre. Rezultati i referendumit ishte plebishitar. Mbi 90% e votuesve i thanë “PO” bashkimit me Kosovën. Ky vullnet i lirë i shqiptarëve të 3 komunave ende nuk është realizuar, ndaj forcat politike shqiptare në tre komunat duhet të bashkërendojnë agjendat e tyre dhe të punojnë në të mirë dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.
*Autori është Asambleist dhe themelues i AFEDS Medvegjë