Regjisorja kosovare paguan taksë për shpërblimin nga festivali

Për Doganën e Kosovës një shpërblim në botën e kinematografisë, qoftë ai edhe prej ndonjë festivali prestigjioz, nuk është gjë tjetër pos mall.

Të tillë e konsiderojnë edhe kur shkruhet se është dhuratë. Një kamerë e vogël si shpërblim për çmimin për “Filmin më të mirë” në kategorinë “Narrative Short” të “New Orleans Film Festival” dhe hard disku me të cilin i është dërguar filmi festivalit, janë taksuar me 50.52 euro nga Dogana e Kosovës, transmeton Koha Ditore.

Për ta pranuar shpërblimin për filmin “Gardhi”, regjisores Lendita Zeqiraj i është dashur që të enjten të merret disa orë me këtë çështje.

Procesi ka përfunduar me pagesën prej 51.52 eurosh bashkë me provizionin. Krejt kjo për të del të jetë e pakuptimtë. E nuk është hera e parë që paguan.

Vazhdimisht për trofetë e çmimeve që nuk i ka të paktë, kur i dërgohen me postë detyrohet të paguajë taksë doganore. Gazeta ka raportuar edhe në janar të këtij viti se si për një pako me dy libra dhuratë, ku bëhej fjalë për “An Anthology of Centemporary Drama from Kosovo” (Antologji e dramës bashkëkohore të Kosovës), dramaturgu Jeton Neziraj kishte paguar 14.54 euro për TVSh dhe 7.35 euro për taksë doganore. Vlera e librave ishte 48 dollarë.

Përvojat me raste të tilla, regjisorja Zeqiraj ka thënë se janë absurde. /Koha Ditore

Leave a Comment

Your email address will not be published.