Rënia e Qeverisë rrezikon ta lë Kosovën pa buxhet

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Kjo nënkupton që  Qeveria Hoti nuk është legjitime dhe kështu vendi brenda 40 ditëve do të ketë zgjedhje. Por, shqetësimi më i madh në këtë kohë është mos votimi i buxhetit, duke e lënë Kosovën pa buxhet të miratuar për vitin 2021.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një takim virtual me komunitetin e biznesit, në të cilin ka folur për masat e reja anti-Covid.

Në një njoftim për media nga zyra e Kryeministrit, thuhet se komuniteti i biznesit ka kërkuar që Kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin për vitin 2021.

“Komuniteti i biznesit ofroi mbështetje për masat e reja anti-Covid-19  dhe insistoi që Kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin 2021. Kryeministri Hoti i siguroi ata se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit janë pajtuar se buxheti është kush për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike.

“Kryeministri Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, u pajtuan se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia Covid -19”.

Kurse, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka kërkuar që së pari të votohet buxheti për vitin 2021, pastaj të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se bllokada buxhetore do të prodhojë situatë të bllokadës së pagesave për sektorin publik nga muaji mars 2021, ku sipas tij, do të pësonte jo vetëm sektori publik, por gjithsesi edhe sektori privat dhe tërë sistemi ekonomik në mungesë të financave publike.

Krasniqi thotë se në gjendjen aktuale do të krijoheshin probleme të mëdha edhe në menaxhimin e pandemisë COVID -19.

“Praktikat e deritanishme të zgjedhjeve kanë treguar se mund të kemi vonesa në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë, po që se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mbahen në fillim të vitit 2021. Kjo për faktin se ka shumë gjasa që vendi të mbetet pa këto Institucione në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe si kanë treguar zgjedhjet e fundit këto vonesa mund të marrin edhe disa muaj shtesë përtej tremujorit të parë të vitit 2021”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se duke parë këtë situate, legjislatura aktuale do të duhej së pari të aprovon buxhetin për vitin 2021 i cili dokument është në Kuvend, të ndajë mjetet për zgjedhjet e përgjithshme dhe pastaj të shkohet në zgjedhje në një datë të pranueshme për subjektet politike.

“Qeveria e re dhe Kuvendi i ri posa të konstituohen kanë mundësin në një afat që mendojnë se është i arsyeshëm të përgatisin dhe të plotësojnë-ndryshojnë ligjin e miratuar të buxhetit përmes procesit të rishikimit të buxhetit për të zbatuar programin e tyre qeverisës”, ka shkruar tutje ai.

Ndërkaq, kryetari Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiq, ka kritikuar partitë politike në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Rukiq ka thënë se partitë politike po kërkoj  vota e financa nga bizneset por të njëjtit nuk po ju dalin në ndihmë në ditë të vështira.

“Partitë politike do te kërkojnë vota dhe financim tek bizneset. Te njëjtave biznese, ju ndihmuan shume pak, ne vitin me te vështirë të tyre”.

Ky reagim i Rukiqit vije një ditë pasi që Gjykata Kushtetuese rrëzoj Qeverinë Hoti dhe vendi ynë tashmë do të shkoj në zgjedhje.

Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, nenit 24 Ndarjet buxhetore në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore do të vlenin vetëm për dy muajt e parë të vitit 2021 nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e kuvendit janë mbajtur më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal duke siguruar një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore nga Ligji i Ndarjeve Buxhetore të vitit 2020.

Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Leave a Comment

Your email address will not be published.