Riparuesi i topave të futbollit

Janë me dhjetëra rrëfime të moshuarish që tregojnë se si në kohën kur kanë qenë të rinj, topat për lojë futbolli i kanë bërë vetë. Me fije leshi, me lecka e me materiale të tilla. Kësisoj, ndonëse historia e futbollit e njeh topin e parë në Kosovë fiks një shekull më parë. 

Topi dikur ka qenë edhe mjet pushteti për atë që e ka pasur. Ka diktuar orarin e lojës. Sidoqoftë, topat që sot janë në Kosovë nuk kanë të numëruar. Pos të shumtë në numër, janë të llojllojshëm, shkruan sot Koha Ditore.

Dallojnë edhe në çmime. Ata që janë profesionalë kushtojnë shumë. Dëmtohen, e duke qenë se janë të shtrenjtë duhet të bëhet riparimi i tyre. Tash gati 20 vjet këtë punë e bën mjeshtërisht Izet Makolli. Zanati i tij primar është këpucëtar, por meqë punon me lëkurë e me qepje, është perfeksionuar edhe në restaurimin e topave. 

Pa modesti e thotë se është mjeshtër i mirë i tyre. “Jo” nuk thotë për asnjë kërkesë të klientëve të tij.

Sekreti i mjeshtrit

“E kam studiuar gjatë, dhe kam gjetur zgjidhje se si t’i riparoj topat më të ri, që janë pa penj të jashtëm”, thotë me krenari Makolli, që kërruset te një skutë, në mesin e qindra palë këpucëve për të marrë një top të tillë. I firmës “Adidas”, i bardhë me të kuqe, ai nuk vërehet se është riparuar. 

“Ma merr mendja që jam i vetmi në Kosovë që mund të rregulloj kësi topi. E kam si sekret, nuk mundem me tregu se si e kam gjetur zgjidhjen, por ky është pa penj të jashtëm. Ka vetëm penj të brendshëm”, thotë me bindje Makolli.

Leave a Comment

Your email address will not be published.