Roli i SHBA në Ballkanin Perëndimor

Ndriçim Kulla

Autor i librit “Marrëdhëniet Shqiptaro- Amerikane”

Kur studiohet angazhimi i SHBA në Ballkanin Perëndimor, apo edhe çdo çështje tjetër që ka të bëjë me këtë zonë, atëherë studimi ynë përqendrohet duke vendosur një kufizim jo vetëm në hapësirë por edhe në kohë. Kufizimi në hapësirë është gjeografikisht i qartë. Por kufizimi në kohë nuk është shumë i qartë. Ne e dimë se termi “Ballkan Perëndimor” ka nisur të përdoret pasi për një periudhë pas Luftës së Kosovës nisi të përdoret zyrtarisht në nivel ndërkombëtar termi “Europë Juglindore”, që shënonte Ballkanin. Në 1999 u nënshkrua Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore e kështu SHBA dhe Bashkimi Europian nisën të flasin për Europën Juglindore, jo më për Ballkanin.

Termi “Ballkan”, madje me një veçim për pjesën perëndimore të gadishullit tonë, ridoli pasi vendet e kësaj pjese të gadishullit dështuan në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Pas anëtarësimit në BE të dy vendeve të mëdha të pjesës lindore të gadishullit, Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007, për të cilat, nisur nga problematika e tyre, BE pranoi se kishte marrë një vendim të nxituar, faktikisht u prenë shpresat për integrimin e plotë deri në anëtarësim të vendeve të pjesës perëndimore të gadishullit, me përjashtim të Kroacisë. Kështu, dashur pa dashur nisi të përdoret termi “Ballkan Perëndimor” për këtë zonë, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Kur flasim për Ballkanin Perëndimor, kemi parasysh veçimin që i bëhet kësaj pjese të Ballkanit në kuptim gjeopolitik, pasi atje është si të thuash thelbi Ballkanit dhe i problematikës së tij. Është kjo pjesë e Ballkanit ku u zhvilluan luftërat ndëretnike pas rënies së komunizmit. Është kjo pjesë e Ballkanit ku ngeci procesi i integrimit të plotë në Bashkimin Europian.

Ballkani Perëndimor është një term që ka kuptimin e një zone problematike, me potencial për rinisjen e konflikteve etnike, me demokraci të pazhvilluar, me institucione të dobëta, me shtet ligjor të dobët, me korrupsion të zhvilluar, me krim të organizuar të zhvilluar, me shoqëri civile të dobët. Të gjitha këto të këqija dhe të tjera që mund t’ i shtohen kësaj liste pengojnë procesin e integrimit të plotë në BE të vendeve të kësaj zone.

Të flasësh për angazhimin e SHBA në Ballkanin Perëndimor që kur ky term nisi të përdoret me kuptimin politik që ka sot, në mes të dekadës së parë të viteve 2000, kjo do të thotë që t’u bësh një padrejtësi të madhe SHBA-ve. E them këtë sepse Ballkani Perëndimor do të ishte në gjendje shumë më të keqe se ç’është sot pa angazhimin e mëparshëm amerikan në këtë pjesë të Ballkanit. Angazhimi ushtarak amerikan për ndalimin e konflikteve etnike në Ballkan pas vitit 1990, ka qenë i gjithi i orientuar në Ballkanin Perëndimor, ku zhvilloheshin këto konflikte. Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia janë në Ballkanin Perëndimor. Fushata ajrore e NATO-s ndaj Serbisë ndodhi në Ballkanin Perëndimor. Kjo është pjesa a angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, para se të flitej zyrtarisht për Ballkan Perëndimor.

Por nuk do të ishte e mundur që të kuptohej angazhimi amerikan në këtë zonë të Ballkanit, apo edhe në çdo pjesë të botës, nëse nuk do të kiheshin parasysh të vërtetat historike të ndërhyrjes amerikane në Europë, që nuk është kurrë e tepërt të përmenden, sigurisht shkurt në kuadrin e kumtesave të tilla.

Angazhimi i SHBA në Ballkanin Perëndimor nis me angazhimin e tyre në Europë dhe në Ballkanin si tërësi, me daljen e këtij vendi të madh nga vetizolimi paqësor, politiko-ushtarak gjatë Luftës së Parë Botërore. Etërit themelues të SHBA kishin lënë porosi që ky vend të mos ngatërrohej në luftërat e fuqive të vjetra europiane, sepse ato ishin luftëra për rindarjen e botës dhe për sundim territoresh, jo luftëra për rindërtimin e botës sipas parimeve të reja.

SHBA hyri në Luftën e Parë Botërore, me një agjendë të vetën, të pandikuar nga ajo e fuqive të tjera aleate dhe kundërshtare. Agjenda e SHBA ishte agjenda e lirisë dhe demokracisë globale.

Presidenti që e shpalli atë me 14 pikat e tij të famshme, z. Wilson, ishte i vetëdijshëm se nuk bëhej fjalë për një agjendë që do të merrte zgjidhje pas përfundimit të kësaj lufte, por në fakt ishte fjala për një agjendë me të cilën SHBA do të duhej të merrej në kohërat që do të vinin, ndoshta në disa shekuj.

14 pikat ishin shkruar në atë mënyrë që atje ta gjenin veten të gjithë popujt dhe rajonet e botës, për sa i përket problematikës së tyre dhe kështu ndodhte edhe me Ballkanin, apo nëse duam ta veçojmë me syrin e sotëm, Ballkanin Perëndimor. Këtë e them në kuptimin që për herë të parë një fuqi e madhe, jo vetëm që nuk kërkonte si shpërblim aneksime territoriale pas një lufte, por kundërshtonte që një shpërblim të tillë ta merrnin edhe aleatët e saj. Presidenti Wilson, pak kohë pas shpalljes së 14 pikave shpalli se nuk do te njihte traktatet e fshehta, madje edhe ato të aleatëve të tij, traktate në të cilin ishin shkruar shpërblime në territore për pjesëmarrësit.

Kjo do të ishte nisja e një politike të re në Ballkan, duke përfshirë edhe atë perëndimor, që kishte vuajtur shumë nga këto mekanizma të fuqive të mëdha. Me këtë u hodhën bazat për politikën e SHBA në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI në Ballkan.

Nga të 14 pikat e Wilsonit, në kohën kur ato u shpallën, u realizua veçanërisht në kuptim afatgjatë ajo e krijimit të organizatës së kombeve, që do të shërbente për ta si agora e vjetër, sheshi ku ata diskutojnë dhe zgjidhin paqësisht problemet e tyre. Nga filizi i Lidhjes së Kombeve dolën OKB, OSBE, Këshilli i Europës, Bashkimi Europian, organizatat rajonale të shteteve në kontinentin amerikan, atë afrikan, atë aziatik, dolën institucionet financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, doli aleanca ushtarake e botës demokratike, NATO.

Angazhimi amerikan në Ballkanin Perëndimor ka qenë dhe është në aspektin politik, ushtarak, ekonomik, humanitar etj. Investimi më i madh amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe në Ballkan në tërësi, ka qenë ai për sigurinë e këtij rajoni. Pa ndërhyrjen ushtarake amerikane, nuk do të kishte ndërprerje të konflikteve etnike në këtë rajon. Por investimi amerikan shkon përtej kësaj. Me anëtarësimin në NATO të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që e dëshiruan këtë gjë, Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, si dhe me praninë e KFOR në Kosovë dhe të forcave ndërkombëtare paqeruajtëse në Bosnjë-Hercegovinë, u sigurua stabiliteti afatgjatë në rajon, edhe pas përfundimit të luftërave etnike. Këtu duhet shënuar se Kosova e do anëtarësimin në NATO, ashtu si dhe pjesa boshnjake dhe kroate e Bosnjë-Hercegovinës. Refuzimi i Serbisë për të hyrë në NATO mbetet një faktor jostabiliteti në rajon.

Me sa duket ka një ndarje detyrash me SHBA dhe Bashkimit Europian, që të parat, pra SHBA, të mbajnë peshën kryesore të investimit për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa i dyti, Bashkimi Europian të mbajë peshën më të madhe për zhvillimin ekonomik të rajonit. Ndonëse këtu duhet thënë se SHBA mban edhe kosto të tjera veç asaj të sigurisë, duke përfshirë edhe koston e zhvillimit ekonomik të rajonit, për shkak të peshës që SHBA ka në institucione financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, të pranishme në rajon.

Por SHBA mban një peshë të madhe edhe në ndërtimin e institucioneve në vendet e rajonit e për këtë është provë Reforma në Drejtësi, në Shqipëri, që është në zhvillim e sipër. Gjithashtu, SHBA jep një ndihmë konsistente edhe në zhvillimin e shoqërisë civile, me theks dialogun ndëretnik dhe ndërfetar etj.

Është tregues i etikës ndërkombëtare amerikane, që e bën të barasvlershëm interesin amerikan me konceptin e një bamirësie globale, në interes të lirisë dhe demokracisë, që SHBA nuk e përkthen në shifra të përgjithshme financiare këtë kontribut amerikan për rajonin për të cilin po flasim, apo edhe për pjesë të tjera të botës. Sigurisht, kemi raportet e USAID me shifra financiare të ndihmës amerikane, por aty tregohet veç një pjesë e kësaj ndihme. Ne nuk kemi një shifër të përgjithshme zyrtare të kontributit financiar amerikan, që të përfshijë atë ushtarak, atë në kuadër të institucioneve financiare globale si FMN dhe Banka Botërore etj. Në këtë kuptim, roli amerikan në Ballkanin Perëndimor, mbetet ende për t’u studiuar sa i përket kontributit të këtij vendi të madh për këtë zonë dhe kjo vlen edhe për Shqipërinë, si pjesë e saj.


Leave a Comment

Your email address will not be published.