Hava Bekteshi është një ekonomiste nga qyteti Neustadt afër Hamburgut, Gjermani. Ajo ka migruar nga Maqedonia në Gjermani, me prindërit, kur ka qenë vajzë 14 vjeçe.
Shqiptarja i ka surprizuar të gjithë pasi është bërë pjesë e orkestrës gjermane të Hamburgut. Kjo pasi luan instrumentin e çiftelisë.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Hava tregoi se si u bë pjesë e orkestrës. Ajo madje theksoi se çiftelia është një traditë nga vendi i saj i lindjes.
“Unë me profesion jam ekonomiste e diplomuar këtu në Hamburg dhe mësuese e gjermanishtes. Por kam qenë në një koncert shqiptarësh ku mes tyre kam qenë dhe unë. Në këtë koncert është folur se si ka qenë një ditë e komunitetit shqiptar në Hamburg dhe unë kam qenë me çifteli.
Kur jam pranuar në këtë projekt, në fillim nuk ka qenë kaq e thjeshtë, por çiftelia ka rënë në sy sepse është edhe një instrument i veçantë.
Në familjen tonë kemi pasur gjithmonë një çifteli, që e vogël në shkollën fillore kam marr pjesë në aktivitete. Unë jam nga Gostivari dhe e kemi traditë çiftelinë”, u shpreh Hava.
Kohë më parë ajo , ka arritur të jetë pjesë e një koncerti të madh në Gjermani. Bëhet fjalë për koncertin “Stadtlied” në Elbphilharmoninë e Hamburgut, në të cilin ajo ka marrë pjesë si instrumentiste e çiftelisë dhe si këngëtare. Bekteshi gjatë workshopit që u mbajt aty, u admirua nga stafi pasi performoj një pjesë me çifteli, po ashtu Milaim Islami e shkroi një tekst për të në të cilin përshkruhet e kaluara e saj që nga mërgimi e deri te arritjet në muzikë.
Ai këtë këngë e emëroi “Tingëllon teli i çiftelisë” nën kompozimin e melodisë nga Fatmir Makolli. Teksti është përkthyer në gjuhën gjermane dhe i njëjti tani gjendet në mediatekën e Elbphilharmonisë të Hamburgut.
Përveç këngës që e ka performuar ajo, ka kënduar edhe këngë tjera, e madje ka luajtur edhe në instrumentin e kitarës. Instrumentistja shqiptare pati vëmendje pas performancës me çifteli, andaj edhe u zgjedh nga stafi i njërit prej televizioneve më të shquara gjermane “RTL-Nord” si protagonistja kryesore, ndërsa më pas asaj i është bërë edhe një portret për pjesëmarrjen e saj me instrumentin e çiftelisë.
Në koncert kanë qenë 100 pjesëmarrës, dhe jo të gjithë pjesëmarrësve u dha mundësia të performojnë aty. Duhet theksuar se ky koncert është i madh në Gjermani, aty ka pasur ushtrime përmbi gjysmë viti me të gjithë pjesëmarrësit. Koncerti shquhet për programin e pasur që ka, ku hyn edhe muzika klasike.
Instrumentistja Hava Bekteshi po vazhdon të jetë e suksesshme në arenën ndërkombëtare, me lojën e saj në instrumentin e çiftelisë të cilin po e bën të njohur në botë, sikurse kulturën tonë në përgjithësi. Ajo do të marrë pjesë edhe në koncerte tjera të mëdha.