Sa e vjetër është Kështjella e Beratit?

Kështjella e Beratit është një nga kështjellat më të vjetra të Shqipërisë, e ngritur mbi një kodër 187 metra të lartë, në të majtë të grykës së Osumit.

Vendbanimi protourban i shek.VII-V p.e.r. në trevën e fisit ilir të desaretëve, duke qenë në një pikë strategjike, u shndërrua në qytet-kështjellë.

Kështjella përmendet fillimisht me emrin Antipatrea në vitin 216 p.e.s. Në shek.IX, kur ishte epiqendra e luftës kundër bizantinëve, u pushtua nga bullgarët dhe u quajt Beligrad (Qyteti i Bardhë). Zgjerimi më i madh i saj u bë kur kështjella ishte qendër e Muzakajve në shek.XIV, kur u ndërtuan edhe dy mure në shpatin jugor të kodrës, që e lidhnin me Osumin.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum, shkruan “kultplus”. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë. Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.

Burimet theksojnë se brenda kufijve të kalasë kanë qenë 30 kisha por deri më ditët e sotme kanë arritur rreth 10. Gjithashtu brenda kalasë gjendet edhe Xhamia Fetih e ndërtuar në periudhën e Sulltanit Beyazit i Dytë, nga e cila sot ka mbërritur vetëm minarja.

Për arsye të tullave të kuqe kjo xhami njihej edhe si Xhamia e Kuqe, ndërsa është një ndër xhamitë më të vjetra të Shqipërisë, e ndërtuar në shekullin e 15-të.

Në kala gjendet edhe busti gjigand i perandorit romak Konstantini i Parë, i njohur edhe si Konstantini i Madh, për të cilin mendohet se ka pasur origjinë ilire dhe ka qenë perandori i parë që ka pranuar krishterimin.

Berati gjendet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) në vitin 2008 ka marrë në Listën e Trashëgimisë Botërore qytetin e Beratit, të cilin në vitin 1961  Enver Hoxha e kishte shpallur “Qytet Muze”.

Për arsye të shtëpive të bardha qyteti nga serbët është quajtur Belgrad (Qyteti i Bardhë) dhe prandaj në periudhën osmane është njohur edhe si Belgrad-i Arnavud (Belgradi Shqiptar), ndërsa për shkak të shtëpive shumëdritarëshe njihet edhe si “qyteti i një mbi një dritareve”.

Kalaja e Beratit, dëshmitare shekullore e historisë

Leave a Comment

Your email address will not be published.