Sali Berisha komenton shpalljen “non grata” nga Britania e Madhe

Një vit nga shpallja non grata e Britanisë së Madhe, Sali Berisha ka publikuar raportin që detyroi Home Office të marrë këtë vendim. Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencë për mediat ditën e sotme mbi shpalljen e tij “non grata” nga Britania e Madhe, ka thënë se akuzat e përfshirjes së tij bandat e Elbasanit, janë të pavërtëta.

Sipas Berishës ky vendim është marrë pa asnjë fakt, ndërsa sfidoi qeverinë britanike që të publikojë një provë të vetme dhe nëse vërtetohet ai largohet nga politika.

Berisha u shpreh se dokumentet e Home Office tregojnë tre burime. “Burimi i parë është Fondacioni Shoqëria e Hapur e Sorosit. Burimi i dytë, mediat si BIRN, Balkan Insight, me sponsor super-spekulantin e botës, Soros. Burimi i tretë dhe i fundit janë akuzat e kundërshtarëve të mi politikë, Edi Rama, Erion Veliaj, Lulzim Basha”.

“Prandaj unë në këtë raport kam paraqitur të gjitha këto dokumenta. Këtë raport do e quaj raportin e transparencës.

Për fat të keq nuk mund ta bëj këtë për vendimin e DASH, pasi dy vite pasi është marrë ky vendim, DASH nuk ka paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument, përfshi këtu kongresmenë amerikanë dhe media të rëndësishme të SHBA.

Në faqen e këtij raporti paraqiten të gjitha të vërtetat. Nga errësira vjen dritë. Korrupsioni transnacional del në dritë me fakte tronditëse për shkallën dhe nivelin e korrupsionit që qëndron pas këtij vendimi.

Qëllimi i këtij raporti nuk është pafajësia ime, pasi këtë pafajësi e ka provuar periudha dyvjeçare, gjatë së cilës kryediplomati i botës nuk nxori asnjë fakt, provë apo dokument. Kjo nuk ndodhi sepse po e kursejnë Sali Berishën, por sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë vendim.

Sfida ime është e hapur: paraqisni një provë të vetme dhe unë largohem nga politika”, theksoi Berisha.

Ne fjalën e tij, Berisha u shpreh se ambasadori britanik King Smith bazuar në deklaratat e Lulzim Bashës, ka deklaruar në “Home Office” se Berisha po mbledh firmat e delegatëve të Elbasanit për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar me ndihmën e Suel Çelës.
Lidhur më këtë pretendim Berisha tha se ka denoncuar bandat e Elbasanit dhe të çdo qyteti me emra dhe lidhjet e tyre zyrtare, pasi sipas tij ata kërcënojnë mediat e qytetarët, duke mohuar kështu lidhjet me ta.

“Akuza tjetër, lidhja ime me bandat e Elbasanit. Burimi, Lulzim Basha. Edhe në këtë rast, ambasadori King-Smith ka përcjellë një shpifje të ish-kryetarit të PD. Ai në nëntor 2022 deklaroi se Berisha po mbledh firmat e delegatëve të Elbasanit për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar me ndihmën e Suel Çelës.

Unë iu përgjigja publikisht. Sali Berisha ka denoncuar bandat e Elbasanit dhe të çdo qyteti me emra dhe lidhjet e tyre zyrtare, miq të ambasadorit, më shumë se të gjithë politikanët shqiptarë së bashku. E kam bërë publikisht se ata kërcënojnë mediat e qytetarët dhe përpiqem t’ju prij atyre me denoncimin me emra që të njiheni tek publiku siç janë, me emra”, tha Berisha.

AKUZAT E SOROS

Me tej Berisha tha se çdo shqiptar duhet të njihet me raportin që do të bëhet publik sot pasi në të fshihen planet për të shkatërruar opozitën dhe shpopullimin e vendit.

“SHBA dhe Britania nuk fshihen pas këtij sulmi. Këto shtete të mëdha, aleate të Shqipërisë, janë viktimë e disa mollëve të kalbura që kanë rënë në rrjetën e Sorosit si McGonigal apo Yuri Kim, që u largua nga Shqipëria si sekretare e PS.
Rasti i Shqipërisë tregon se mjafton të shkatërrosh opozitën dhe mund të grabisësh një komb pa vështirësi. Mafia e Sorosit ka qenë prezent në çdo projekt antishqiptar në rajon, Ballkani i Hapur, ndarja e kufijve të Kosovës, kanë pasur si padrino Sorosin dhe partnerët e tij. Mafia e Sorosit është më shumë antishqiptare, ajo tani është antinjerëzore. Ata kanë në agjendë shkatërrimin e familjes dhe partive konservatore. Ishte kjo mafie që nxiste vaksimin e detyruar, duke e shndërruar vaksinën në një agjent dhunimi të të drejtave të njeriut. Ishte Elon Musk që tha shprehimisht se Soros urren njerëzimin. Ishte Donald Trump dhe Ron DeDantis që flasin për të si një armik.

Por është Sali Berisha që prej 7 vitesh e ka cilësuar atë si një gjeni negativ dhe monstër të njerëzimit. Raporti do bëhet publik për çdo shqiptar dhe ftoj çdo shqiptar ta lexojë pasi të vërtetat e tij tejkalojnë çdo imagjinatë.

Të vërtetat janë kaq tronditëse sa është në interes të gjithë botës të mësojë për këtë rast flagrant. Krahas betejës gjyqësore, do zhvilloj një fushatë mediatike ndërkombëtare, duke përdorur të vërtetën e këtij raporti”, tha ai.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.