Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan ish-komandantin e njësisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, me 26 vjet burg për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e shpallën fajtor ish-komandantin e njësisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, të premten për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri.
Vendimi është i pari për krime lufte që jepet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Në emër të popullit të Kosovës në arsyet e parashtruara në gjykim… trupi gjykues ju shpall fajtor për pikën tre, torturën si krim lufte si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale në formën e saj themelore… pikën një, paraburgimi arbitrar si një krim lufte si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale në formën e saj bazë… pikën katër, vrasje si krim lufte si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, tha kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia.
Mustafa u shpall “i pafajshëm për krimin e luftës të trajtimit mizor”, shtoi gjykatësja.
Mustafa, i njohur gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 si Komandant Cali u dënua me 26 vjet burg “duke llogaritur edhe kohën e kaluar tashmë në paraburgim”.
Vendimi mund të apelohet.
Familjarët e Salih Mustafës pas dënimit të tij nga Gjykata Speciale me seli në Hagë me 26 vjet burgim, janë shprehur se e kundërshtojnë këtë vendim dhe besojnë në pafajësinë e Mustafës.
Bajram Sopi, xhaxhai i gruas së Sali Mustafës ka folur para mediave pas dënimit të Sali Mustafës me 26 vjet burgim, që ka thënë se Mustafa nuk është fajtor dhe është shprehur se me kohën drejtësia do të vijë në shprehje.
“Unë e di që moti për shembull ky ka qenë pikërisht i akuzuar edhe për aspiratat e kombit tonë ka qenë i dënum 5 vjet prej regjimit serb, kështu që tani që u murr ky vendim me këtë Gjykatë nuk ndina aspak fajtor që është Saliu. Saliu nuk është fajtor por është diçka tjetër dhe këtu që mshifen pas saj mundohen me barazu viktimën me terrorizmin. Kështu qe na jemi plotësisht të qetë sepse drejtësia herdo kurdo ka me ardh në shprehje dhe besojmë në pafajësinë e tij si familjar”, ka thënë Sopi.
Ndërkaq, Kosovare Sopi, motra e gruas së Sali Mustafës është shprehur se vendimi për dënimin e Sali Mustafës është puro-politik dhe i ndikuar nga shteti serb.
Tutje, Sopi ka thënë se vendimi i ditës së sotme nga Specialja ka dëshmuar se Gjykata nuk i mbron të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.