Nga dje ka filluar samiti i Bashkimit Evropian, ku janë liderët e 27 vendeve. Ndonëse samiti vazhdon edhe sot, tashmë kanë dalë përfundimet e para të Këshillit Evropian.
Siç u raportua, dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është përfshirë në minutën e fundit në agjendën e samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian (BE), që po mbahet edhe sot.
Në konkluzionet që Këshilli Evropian miratoi për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u bën thirrje të dyja palëve që “të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte detyrimet që kanë marrë në dialog, përfshirë marrëveshjen e arritur në 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit ët komunave me shumicë serbe”.
Në dritën e tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Këshilli Evropian thekson se është urgjentisht e nevojshme të arrihet progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut me ndërmjetësimin e BE-së.
Këshilli përshëndeti propozimin e fundit evropian, i njohur gjithashtu si propozimi franko-gjerman, duke thënë se ai do të vendoste marrëdhëniet midis dy palëve në një “bazë të re dhe të qëndrueshme”.
“Këshilli Evropian mirëpret propozimin evropian për vendosjen e marrëdhënieve mes dy palëve mbi një bazë të re dhe të qëndrueshme, si një mundësi historike që të dyja palët duhet të shfrytëzojnë për të arritur perspektivën e tyre evropiane”, thuhet në përfundime.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell, ka paralajmëruar se së shpejti do të ftojë në takim Kurtin e Vuçiqin.
“Propozimi është në tavolinë. I kam ftuar dy liderët që të vinë në Bruksel së shpejti, brenda disa javësh, në mënyrë që definitivisht të shtyjmë përpara këtë propozim“, ka thënë Borrell.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u përgjigj duke thënë se do të shkojë në Bruksel vetëm kur të bëhet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
“Më thërrisni të vij si turist dhe nuk më intereson se kam qenë në Bruksel 200 herë. Nëse më thërrisni, më njoftoni se kanë dorëzuar Asociacionin, kur ta dorëzojnë, atëherë vij e flas për çdo gjë tjetër”, ka thënë Vuçiq dje për mediat serbe.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë javëve të fundit disa herë ka përsëritur se nuk do të tolerojnë që Asociacioni të ju vihet si parakusht në negociata.
Kurti ditë më parë tha se faktori ndërkombëtar është duke insistuar për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, por theksoi se është e padrejtë që Marrëveshja për Asociacionin të jetë parakusht për të nisur bisedimet Kosovë-Serbi konform planit franko-gjerman, i njohur tashmë si propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes dyja vendeve, propozim ky të cilin Kurti ka konfirmuar se Kosova në parim tashmë e ka pranuar.
Këtë Kurti e ka përsëritur edhe gjatë ditës së djeshme në seancën e Kuvendit ku po fliste për planin franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve.
Ai thotë se në Beograd po bëhet luftë politike që njëra pikë të vendoset para të tjerave që Asociacioni të jetë parakusht e në qendër.
Por, kryeministri ka shtuar se propozimi i BE-së është shumë i favorshëm për Kosovën sepse Asociacionin nuk e ka parakusht e as në qendër.