Samiti i Sofjes nuk ndryshon pozicionin bullgar ndaj Shkupit

Vetoja bullgare  ka shtuar drojën nëse Maqedonisë së Veriut po i përsëritet rasti me Greqinë, e cila për gati 20 vjet bllokoi integrimin evropian të shtetit, për shkak të moszgjidhjes së kontestit me emrin. Pala bullgare konteston identitetin sikur edhe gjuhën maqedonase, me pretendimin se ato deri para vitin 1945 kanë pasur “rrënjë bullgare”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të martën është takuar në Sofje dhe kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për çështjet e hapura mes dy vendeve, pavarësisht se Bullgaria veçse ka njoftuar Bashkimin Evropian se nuk pranon kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut.

Pala bullgare konteston identitetin sikur edhe gjuhën maqedonase, me pretendimin se ato deri para vitin 1945 kanë pasur “rrënjë bullgare”. Sikur këtë ta pranonte Maqedonia e Veriut, atëherë Bullgaria do të mbështeste nisjen e bisedimeve, por kjo është kundërshtuar nga autoritetet maqedonase.

Takimi në Sofje është zhvilluar në kuadër të samitit për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e Procesit të Berlinit, por nuk janë dhënë detaje nga ajo që është biseduar mes dy kryeministrave.

“Unë besoj se ne kemi rinovuar vrullin dhe mbështetjen e dukshme politike për procesin e zgjerimit dhe drejtimin e negociatave të pranimit. Ne, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta përdorim atë për të mirën e të gjithë qytetarëve,” ka deklaruar maqedonas Zaev.

Vetoja bullgare ndërkohë ka shtuar drojën nëse Maqedonisë së Veriut po i përsëritet rasti me Greqinë, e cila për gati 20 vjet bllokoi integrimin evropian të shtetit, për shkak të moszgjidhjes së kontestit me emrin.

Dy vendet kanë shpresuar se me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë të arritur në vitin 2017 do të zgjidhin dallimet, por në vend të kësaj, ato janë thelluar edhe më shumë duke bërë që palët të akuzojnë njëra-tjetrën jo vetëm për shkeljen e saj, por edhe për sjellje agresive.

 

Bullgaria njoftoi KE-në se nuk pranon kornizën negociuese me Maqedoninë e V.

Bullgaria ka njoftuar Komisionin Evropian se nuk pranon kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut, që nënkuptonte nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, përmes një letre dërguar KE-së, ka thënë se korniza negociuese nuk i siguron garancitë e nevojshme për përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bullgaria.

“Deklarata nuk paraqet një instrument ligjërisht të detyrueshëm dhe nuk siguron garancitë ligjore të kërkuara nga Bullgaria. Korniza negociuese me kërkesat tona mund të miratohet në një fazë të mëvonshme, por pa të, negociatat e anëtarësimit nuk mund të fillojnë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Korniza e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së ishte paraparë të miratohej në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, më 10 nëntor, por ky takim është shtyrë për 17 nëntor.

Të martën, ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, ka deklaruar se Bullgaria nuk është në gjendje ta miratojë kornizën për bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Zaharieva ka thënë se Bullgaria “nuk konteston gjuhën dhe identitetin modern maqedonas”.

Sofja konsideron se kombi maqedonas dhe gjuha maqedonase ekzistojnë që nga viti 1945 dhe i fton autoritetet e Shkupit të pranojnë se kanë rrënjë bullgare.

Veç kësaj, shteti bullgar kërkon që Maqedonia e Veriut të deklarojë se emri i saj i ri nuk përfaqëson pretendime territoriale në rajonin gjeografik të Maqedonisë së Veriut, si dhe të mos kërkojë njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari.

Vendimi i Bullgarisë është pritur me dëshpërim në Shkup.

“Jemi të zhgënjyer me vendimin e Republikës së Bullgarisë për të mos mbështetur miratimin e Kornizës së Negociatave për Maqedoninë e Veriut, i cili nuk është në përputhje me Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017”, thuhet në reagimin e Qeverisë në Shkup.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj Marrëveshjes dhe jemi të sigurt se ajo ofron një kornizë të shkëlqyeshme për menaxhimin e çështjeve bilaterale dhe ofron mekanizma për tejkalimin e problemeve. Në këtë drejtim, ne jemi të gatshëm të japim sqarime për të hequr shqetësimet e Republikës së Bullgarisë. E drejta për vetëvendosje është e drejta jonë e patjetërsueshme. Identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase janë një fakt dhe nuk duhet të diskutohen, sepse identiteti ynë nuk shkakton asnjë pretendim ndaj askujt, as tani dhe as në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

I kujt ishte Goce Delçev?

Moscaktimi i datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe qëndrimi i fundit i palës bullgare rreth figurës së Goce Dellçevit, vë në pikëpyetje edhe të ardhmen e Komisionit të ekspertëve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Ky komision duhet të gjejë një modalitet për festimin e përbashkët të figurës së Goce Dellçevit, i cili nga të dyja palët llogaritet si figurë kombëtare e tyre, si dhe duhet të angazhohet për gjetjen e një modeli të përbashkët për t’i përmirësuar librat e historisë.

Petar Todorov, anëtar i Komisionit në fjalë, thotë se zhvillimi i bisedimeve me palën bullgare bëhet edhe më i vështirë për shkak të ndërhyrjes së politikës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Todorov thotë se Komisioni i ekspertëve mund të përafrojë shumë më shpejt dallimet rreth çështjeve të caktuara, por shprehet se “sharra has në gozhdë” për shkak se politika përfshihet në këtë proces dhe nuk u lihet në dorë vetëm historianëve.

“Në Bullgari, jo rrallëherë paraqiten deklarata nga ana e politikanëve, të cilët në kuptimin e plotë të fjalës përcaktojnë rrjedhën e punës së komisionit dhe çfarë rezultate duhet të japë ky komision. Në masë ndoshta më të vogël kjo ndodh edhe në Maqedoni”, thotë Todorov.

Ai thekson se deklaratat e pamatura në masë të madhe, ua lidhin duart historianëve që të arrijnë ujdi për çështje të caktuara që kanë dallime të dyja shtetet, sa i përket historisë.

Nga ana tjetër, Ismet Jonuzi Krosi, ligjërues në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se raportet maqedonase-bullgare kanë hyrë në vlugun e fakteve të reja historike për ta pastruar historiografinë komuniste, e cila është dashur të pastrohej shumë herët në mes të këtyre dy shteteve fqinje.

Ai thekson se moscaktimi i datës, në njëfarë forme do të ngadalësojë edhe dinamikën e zgjidhjes së dallimeve për çështje të historisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Për sa i përket marrëveshjes mes dy shteteve, është në interes të të dy vendeve që këtë ta realizojnë në formën më të drejtë. Kjo ngase Republika e Maqedonisë së Veriut, ka nevojë për t’u bërë pjesë e BE-së. Ndërsa, duhet theksuar se për gjithë këtë që po ndodh, nuk është faji te proceset e sotme, por tek e kaluara komuniste, andaj është mirë që komisionet përkatëse me patjetër të gjejnë gjuhë të përbashkët për të mirën e të gjithëve, që të jemi pjesë e BE-së”, vlerëson ai.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.