Qytetarët serbë nga Kosova po shkojnë në Serbi për të votuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe.
Policia e Kosovës tha se për shkak të qarkullimit të shtuar, janë krijuar kolona dhe pritje në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.
Sa i përket aspektit të sigurisë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, Policia e Kosovës tha se situata është e qetë.
Më shumë se 25 autobusë u nisën nga stacioni i autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në qytetet në kufi me Kosovën.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë ka thënë se rreth 100,000 serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet e tjera që gjenden në komunat në kufi me Kosovës siç janë Tutini, Rashka dhe Vranja.
Qeveria e Kosovës për herë të parë nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të saj.