Serbia mund të heqë dorë nga procesi i anëtarësimit në BE

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se në rast të miratimit të rezolutës nga Parlamenti Evropian përmes të cilës i bëhet presion Serbisë t’i vë sanksione Rusisë, atëherë vendi i tij duhet të braktisë procesin për anëtarësim në Bashkim Evropian. Ai në mënyrë ironike i ka ftuar deputetët e PE-së që ta bëjnë këtë.

Gjatë ditës, REL-i ka publikuar draft-rezolutën e PE-së që pritet të miratohet e ku Serbia do të ftohet t’i bashkohet Perëndimit për të sanksionuar Rusinë për agresionin në Ukrainë.

Serbia është ndër shtetet e vetme në Evropë që nuk ka pranuar të vë sanksione ndaj Rusisë.

“U bëj thirrje deputetëve të Parlamentit Evropian që të vazhdojnë politikën e shantazhit dhe presionit ndaj Serbisë dhe të miratojnë sa më shpejt atë rezolutë, duke kërkuar që Serbia të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse. Nuk ka mënyrë më të mirë që Serbia të kuptojë se nuk ka vend në Bashkimin Evropian sesa politika e deputetëve të Parlamentit Evropian, ndaj kërkoj nga eurodeputetët që të mos ndryshojnë rastësisht dhe të vazhdojnë të na shajnë e shantazhojnë”, tha ministri i Brendshëm serb Vulin, përcjell gazeta “Danas”.

Ai përmes një komunikate me shkrim, në cilësinë e ministrit, ka thënë se nëse eurodeputetët “vazhdojnë me kërcënime dhe shantazhe”, atëherë se presidenti Alekasandar Vuçiq do ta rishqyrtojë vendimin për të vazhduar rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Vetëm shantazhet dhe kërcënimet tuaja mund ta bindin presidentin e të gjithë serbëve, Aleksandar Vuçiq, se duhet të largohet nga politika e afrimit me Bashkimin Evropian. Prandaj, deputetë të Parlamentit Evropian, mos kini turp që nuk ju pyesin dhe nuk ju dëgjojnë në vendet tuaja, thjesht vazhdoni me sulmet ndaj Serbisë dhe ndihmoni Serbinë dhe presidentin e të gjithë serbëve që sa më shpejt të largohen nga rruga e anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia është ushtarakisht neutrale dhe e tillë duhet të jetë edhe politikisht

Leave a Comment

Your email address will not be published.