Një javë më parë ishte ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili drejtoi kërcënime ndaj serbëve të cilët flasin dhe tregojnë për lokacionet e mundshme të trupave të shqiptarëve të varrosur. Kjo deklaratë e Daçiqit bëri që të reagojnë edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian. Marko Millosavleviq, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se gjatë 20 vjetëve në Serbi është krijuar një rrëfim i tillë, ku heshtet për varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Peruçac e Rudnicë, ndërsa përmenden vetëm viktimat serbe. Kosova ka mbi 1.600 persona të zhdukur nga lufta e fundit.
Prishtinë, 10 tetor – Kryetari i Partisë Liberale Demokratike serbe, Çedomir Jovanoviq, teksa ka folur për varrezat masive të shqiptarëve, ka thënë se ish-kryeministri serb, Zoran Gjingjiq kishte kërkuar që “të hetohej pa zhurmë, që të fitonte kohë për të kuptuar se çfarë të bëhej”.
Në emisionin “Çirilica”, ai ka thënë se asokohe mbretëronte “kaos total”.
“Fjalët si ‘nuk është e vërtetë, se është kurdisje se po kërkojnë konflikt me ushtrinë e policinë, Koshtunica e di se kjo s’është e vërtetë’ – pra kaos total. Prandaj edhe Dushko pyet ‘çfarë të bëj? E kam lëndën e mbyllur, sepse gjykatësi thotë ‘janë do kurdë’”, ka thënë ai, duke iu referuar ministrit të atëhershëm të Policisë, Dushko Mihajloviqit.
E aty, si ka thënë ai, “na u lidhën të gjitha vrasjet tjera”.
Teksa, sipas Jovanoviqit, ushtria mohonte dhe tjerët thoshnin se gjithçka është propagandë, “Gjingjiqi kërkoi të hetohej pa zhurmë”.
“Kujt nuk i kishte shkuar në mendje se dikush do t’i varroste një mijë trupa grash e fëmijësh në Batajnicë dhe se do t’i digjnin me trarë dhe me njëfarë vaji e që më pas do të mbuloheshin krejt me dhe, për më tepër në bazën e Njësisë Speciale Anti-terroriste që e kemi pasur për krenari. Komandanti i asaj njësie i ka shpëtuar dy fëmijë në Podujevë që nga krimi që e bënë ‘Skorpionët’. I ka nxjerrë vëlla e motër prej aty dhe i ka dërguar në Prishtinë në mes të luftës dhe u ka thënë mjekëve se do t’i vriste po qe se nuk do të ndihmonin”, ka treguar Jovanoviq, duke e quajtur “katastrofë”.
Ai ka folur edhe për tentim-vrasjen e Vuk Drashkoviqin në Magjistralen e Ibrit më 1999. Drashkoviq ishte asokohe njëri nga opozitarët më me ndikim në Serbi.
Për këtë krim u akuzua Radomir Markoviqi, ish-shefi i Sigurimit Shtetëror Serb.
“Është pohimi i Rade Markoviqit për magjistralen e Ibrit. Arrestohet. Hapet rasti Millosheviq. Rade Markoviq dëshmon për të gjitha”, tregon Jovanoviq, teksa pohon se vetë Markoviqi kishte dëshmuar se vetë Milosheviqi i kishte porositur vrasjet.
Për këtë, tregon ai “ekziston procesverbali”.
Ekzistimi i disa varrezave të tjera masive të shqiptarëve në Serbi është përmendur gjatë një debati në një medium serb ditë më parë.
Ndonëse gjatë debatit në emision “Qirilica”, ish-zyrtari i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë në kohën e luftës në Kosovë, Urosh Uvashkoviç, ka mohuar të jetë në dijeni dhe të ketë parë kufoma të trupave të shqiptarëve, ish-kryetari i Parlamentit të Vojvodinës njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate, Nenad Çanak, ka folur për deklarimet e ministrit te atëhershëm të policisë lidhur me ekzistimin e 16 varrezave të mundshme, për të cilat ishte marrë vendim që të mos flitej publikisht.
“Më duket ti ke qenë aty Çedo kur ministri i Policisë, Dushko Mihajlloviq, e tha këtë fjali: ‘Nuk mund të fle. Më duhet ta ndaj këtë me juve’. I kemi gjetur 16 varreza masive në Serbi. Pra, 16 varreza masive në Serbi. Dhe kur kam parë se çfarë kemi gjetur aty, duhet ta ndaj këtë me ju, dhe të merremi vesh se çfarë duhet bërë me gjithë këtë? U paraqita për të folur, dhe i thashë se nuk e kuptoja pyetjen. Kjo ka qenë shpejt pas 5 tetorit, mbase janari a shkurti. “Çka të bëjmë me gjithë këtë”, i thashë, nuk po e kuptoj pyetjen. Nuk jemi këtu për t’i fshehur krimet e ish-regjimit, por që t’i zbulojmë. D.m.th. nesër konferencë për shtyp, t’i marrim me vete gazetarët prej një lokacioni në tjetrin që të bëhen xhirime e që më pas të vendosim se çfarë do të bëjmë. Atëherë, Zoran Gjingjiqi, i cili përherë është mbajtur i rezervuar se nuk kishte qejf ta impononte mendimin e tij, ani që ka pasur peshë të madhe. Tha: “Jo, jo. Këtë punë duhet hetuar, por nuk duhet dhënë shumë publicitet, sepse kush do të investojë në një shtet ku sa herë që të mihësh tokën do ta nxjerrësh një kafkë. Atëherë e kuptova se e kishim një problem të brendshëm serioz”, kishte thënë Çanak.
Drejtori i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili që nga fillimi ishte i kyçur në procesin e gërmimeve dhe shfarosjes së trupave, thotë se në Batajnicë që nga viti 2006 më nuk është kryer asnjë gërmim derisa shton se nga 9 varreza që ishin kryer gërmimet, dy prej tyre kishin rezultuar negative.
Në mesin e 26 trupave që ishin gjetur në njërën prej varrezave masive në Batajnicë, ishin edhe tre anëtarët e familjes së Ngadhnjim Bicurrit.
Ndërsa, përfaqësuesi i familjeve të të pagjeturve, Bajram Qerkini, thotë se në Batajnicë ka ende lokacione të dyshimta.
Një javë më parë ishte ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili drejtoi kërcënime ndaj serbëve të cilët flasin dhe tregojnë për lokacionet e mundshme të trupave të shqiptarëve të varrosur.
Kjo deklaratë e Daçiqit bëri që të reagojnë edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian. 21 vjet pas luftës, Kosova ka mbi 1.600 persona të zhdukur nga lufta e fundit.!
Marko Millosavleviq, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se gjatë 20 vjetëve në Serbi është krijuar një rrëfim i tillë, ku heshtet për varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Peruçac e Rudnicë, ndërsa përmenden vetëm viktimat serbe.
“Këtu keni më shumë se 10 vende prej nga janë transportuar viktimat dhe numri i 744 të zhvarrosurve vetëm rreth dhjetë kilometra prej këtu, flet për krimin për të cilin nuk do të pushojmë së debatuari. Ne do të këmbëngulim për këtë dhe të përpiqemi për të edukuar të rinjtë, në mënyrë që të dinë të gjithë kontekstin e luftës në Kosovë dhe shkatërrimin e ish-Jugosllavisë”, tha ai.