“Sputnik”, portali i Kremlinit, shkruan se në Bujanovc është dhunuar flamuri serb, kryqi edhe pusi i kishës.
“Pusi i kishës në fshatin Shuçelica afër Bujanovcit u përdhos. Kryqi që është atje u dëmtua, flamuri serb u shqye”, shkruan “Sputnik” pa dhënë asnjë referencë apo citim mbi ngjarjen.
Vetë “Sputnik”, thekson se banorët e fshatit kanë deklaruar në polici se nuk ka ndodhur asnjë ngjarje e këtij lloji, e megjithatë mediat serbe po e sajojnë këtë lajm të rremë për të justifikuar një ndërhyrje policore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, para pak ditëve ka deklaruar në Parlament se Lugina është jugu i Serbisë dhe ka shtuar se investimi i Beogradit do të rritet në zonë. Ndërkaq, Vuçiç menjëherë bëri të ditur se komuna e Medvegjës nuk është më shqiptare.
“Ne dëgjojmë rregullisht se si Lugina e Preshevës përfshin Medvegjën, dhe pyetja është se ku janë kaq shumë shqiptarë në Medvegjë. Kur citoni numrat, a e shikoni se nuk ka aq shumë shqiptarë në Medvegjë, të cilët ne i respektojmë, por janë 30 herë më pak se serbët. Ndërkaq Serbët në Bujanovc nuk kanë përfaqësi politike pasi pushtetin e kanë vetëm shqiptarët”, tha Presidenti i Serbisë, në fjalën e mbajtur përpara Parlamentit.
Vuçiç, duke folur për largimin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, i ka dhënë një dimension ku ka parashikuar të ardhmen pa shqiptarë në Luginë.
“Unë hapa tre fabrika në qarkun e Vranjës, si dhe në Leskoc. Kam frikë se do të ketë probleme me disa investitorë për shkak të Covid-19“, tha Vuçiç.