Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dhe Zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, kanë takuar të hënën udhëheqësit institucionalë dhe liderët e partive opozitare, ku është kërkuar angazhim në synimin që të arrihet marrëveshja finale me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. E Lista Serbe në takim me diplomatin Palmer ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit
Palmer dhe Lajçak kanë takuar ndaras udhëheqësit institucionalë – presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Kurti. Në ditën e parë të vizitës nuk ka pasur deklarata për media.
Mirëpritet koordinimi SHBA-BE
Sipas njoftimit të presidencës, temë e diskutimit me diplomatët euro-amerikanë ka qenë menaxhimi i pandemisë, zbatimi i reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sa i takon procesit të dialogut me Serbinë, presidenca ka ritheksuar qëndrimin e institucioneve se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.
“Ajo ka ripërsëritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit. Për më tepër ajo ka theksuar çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces”, thuhet në komunikatë. “Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme”, citohet të ketë thënë Osmani .
Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, siç ka thënë presidenca, e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të rëndësishëm bashkëpunimin dhe koordinimin mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, në prag të, siç e ka quajtur ai, procesit të ri të dialogut Kosovë – Serbi.
Sipas njoftimit nga kryeministria, pas takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer, Kurti ka thënë se ky bashkëpunim është i mirëseardhur, sepse sipas tij, është i domosdoshëm.
“Kryeministri Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai: në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar për në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatueshmërisë së tyre”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Ditën e parë të vizitës, Palmeri e ka nisur duke takuar ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett. Kosnett ka shkruar në “twitter” se Palmer ka ardhur në Kosovë për të diskutuar sfidat, mundësitë dhe çështjet e ngutshme me të cilat përballet Kosova.
Opozita sqarohet për dialogun, Lista Serbe kërkon Asociacionin
Palmer i vetëm ka takuar edhe drejtuesit e dy partive kryesore opozitare. Partia Demokratike e Kosovës teksa ka sqaruar pozicionin e saj karshi dialogut, ka kërkuar një rol më të madh nga Shtetet e Bashkuara në këtë proces.
“Në këtë takim është biseduar për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, pritjet nga ky proces të PDK-së që duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë, rolin opozitar të partisë në jetën politike të vendit si dhe tema të tjera me interes për vendin. Kryetari Hoxhaj ka sqaruar pozicionin e PDK-së në raport me zhvillimet politike, dhe ka kërkuar një rol më të madh dhe të drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog si partner strategjik i Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Edhe Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka falënderuar Palmerin për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës.
“Kryetari Abdixhiku e falënderoi z. Palmer për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi se SHBA-ja është partneri më i fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit tonë. Po ashtu, kryetari Abdixhiku e njoftoi z. Palmer për qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Ndërsa zëvendësndihmës sekretari i SHBA-së, z. Palmer e falënderoi kryetarin Abdixhiku për konstruktivitetin që LDK-ja ka treguar në formimin e institucioneve”, ka njoftuar LDK-ja.
Palmer ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe të cilët kanë qenë më specifik sa i përket dialogut. Ky subjekt ka përsëritur kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Në takim u diskutua për situatën politike në Kosovë, pozicionin e popullit serb, kishën ortodokse serbe, por edhe për situatën e sigurisë. Veçanërisht është theksuar nevoja për të respektuar të drejtuat e popullit serb, por edhe për të vazhduar dialogun Prishtinë – Beograd nën përkujdesjen e BE-së, por në dritën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash, kryesisht në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe, energjinë dhe drejtësinë”, shkruan në komunikatën e Listës Serbe.
Për dialogun janë deklaruar edhe pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të hënën. Udhëheqësja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka thënë se është herët të flitet për marrëveshje të mundshme.
“Informacione zyrtare nuk kemi, në këtë rast po flas si udhëheqëse e grupit parlamentar. Në momentin kur ato t’i kemi po besoj nga kryeministri, qeveria dhe të gjithë ata që janë përfshirë drejtpërdrejt në procesin e dialogut, do të bëhen të njohura për publikun, për aq sa ka mundësi të bëhen në këtë fazë, për shkak se është fazë e hershme e përgatitjet dhe e koordinimit për takimet e radhës në Bruksel”, ka thënë Kusari-Lila.
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, të martën do ta kenë edhe një adresim para mediave.
Angazhimi BE-SHBA për arritjen e marrëveshjes
Para se të vijnë në Kosovë, Lajçak e Palmer ishin takuar më 26 maj në Bruksel. Mes tjerash temë e diskutimit ka qenë dialogu Kosovë – Serbi.
Në një intervistë ekskluzive të përbashkët dhënë për emisionin “Desku” të KOHËS më 2 mars të këtij viti, i dërguari i BE-së dhe zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit, Matthew Palmer, konfirmuan se Brukseli dhe Uashingtoni punojnë së bashku për arritjen e një marrëveshjeje finale. Për SHBA-në marrëveshja nënkupton njohjen e ndërsjellë, ndërsa për BE-në hapjen e rrugës së anëtarësimit të Kosovës.
Po ashtu, Lajçaku e Palmeri kishin ofruar garancitë që Kosova ka kërkuar respektivisht që Kushtetuta e dhe integriteti territorial janë vijat e kuqe që duhet respektuar. Në këtë drejtim, ngritja e Asociacionit që vazhdon të jetë kërkesa kryesore e serbëve ishte thënë se assesi nuk do të bëhet në shkelje të Kushtetutës.
“Kemi tri dokumente, kemi marrëveshje që u nënshkrua në vitin 2013 dhe u ratifikua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash. Pastaj është një marrëveshje e vitit 2015 ky dokument u dërgua në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës që publikoi vendimin e saj që thotë se është e rëndësishme që Asociacioni i ardhshëm respekton plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Pra nuk thuhet se Asociacioni nuk duhet të implementohet, por thuhet se do të implementohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Pra tani në bazë të këtyre tri dokumenteve, ne duhet të ulemi ose palët të ulen dhe të diskutojnë se si t’i implementojnë. Dhe ne i respektojmë plotësisht vijat e kuqe për Kosovën”, kishte deklaruar Lajçaku.
Ndërsa zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, kishte deklaruar se njohja e ndërsjellë është e domosdoshme.
“Unë hezitoj të përcaktoj ndonjë afat kohor specifik për dialogun. Por ne absolutisht ndajmë qëllimin e partnerëve tanë të Bashkimit Evropian për ta shtyrë procesin përpara, specifikisht për ta çuar përpara shpejt, për ta shtyrë para me vendosmëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të donin të kishte marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ligjërisht të detyrueshme, që hap rrugën e qartë për integrim evropian për dyja, Serbinë dhe Kosovën. Ky ka qenë një qëllim i disa administratave amerikane, me marrëveshje me njohje reciproke, ne e mbështesim fuqishëm këtë”, pati thënë Palmer.
Lajçak e Palmer kanë konfirmuar se nuk ka asnjë konflikt mes avancimit të dialogut dhe avancimit të agjendës për reforma të brendshme si lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i vendeve të punës.
Palmer: Marrëveshja e domosdoshme për tërheqjen e investimeve
Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer dhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, kanë vizituar të hënën edhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Sipas komunikatës së kësaj ode, Palmeri ka thënë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kyç për tërheqjen e më shumë investimeve amerikane dhe të tjera të huaja, si dhe për krijimin e vendeve aq shumë të nevojshme të punës për popullin e Kosovës dhe tërë rajonit.
“Palmer shprehu dëshirën të dëgjojë nga anëtarët e Odës Amerikane mbi klimën lokale të biznesit si dhe klimën rajonale të biznesit, aspekte këto që zënë vend me prioritet të lartë në agjendën e SHBA-së për promovim të integrimit ekonomik rajonal, për uljen e pengesave në integrimin ekonomik dhe në lëvizjen e njerëzve dhe kapitalit, duke i vlerësuar ato si një kornizë për integrimin e Kosovës në sistemin evropian, në mënyrë ideale si anëtare e BE, e që është edhe objektiv i SHBA-së për të ardhmen e Kosovës.
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë folën për rëndësinë e një dialogu më të fuqishëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat, por edhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, zhvillimin e kapaciteteve energjetike, si dhe trajnimin e fuqisë punëtore”, thuhet në komunikatë.