Një ditë pas vizitës së emisarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka lëshuar një deklaratë lidhur me takimet e tij në Prishtinë dhe Beograd.
“Në vizitën e tij të parë zyrtare Kosovës dhe Serbisë, më 9-10 tetor, ambasadori Richard Grenell u takua në Prishtinë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe me udhëheqësit e partive politike, duke përfshirë Albin Kurtin, Isa Mustafën, Vjosa Osmanin, Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, kurse në Beograd u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më tej shkruan se ambasadori Grenell i filloi të dyja ditët duke u takuar së pari me udhëheqësit e komunitetit afarist.
“Administrata e presidentit Trump fuqimisht beson që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme. Qëllimi është për t’i bërë bashkë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon. Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejt duke shikuar nga e ardhmja”, përfundon njoftimi i Ambasadës.
Richard Grenell, të enjten, ka shkuar në Beograd, prej ku dha mesazhin se rajonit i duhet paqja.