Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar presionin ndaj Beogradit për të hequr një orë e më parë barrikadat në veri të Kosovës.
Më herët pati një deklaratë të përbashkët të SHBA e BE që kërkonin qetësi nga të dyja palët, por në mbrëmje ka ardhur një deklaratë e drejtpërdrejtë nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.
“Sa i përket barrikadave, ato janë padyshim një problem. Shikuar nga këndvështrimi i komunitetit serb, kjo është një protestë për shumë prej tyre. Dua të them se e kuptuam pse e bënë këtë dhe i dëgjuam, por mendoj se ka ardhur koha që njerëzit që i vendosën ato barrikada t’i heqin. Shpresoj se ata do të jenë gati për t’i hequr ato barrikada sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ambasadori amerikan.
I pyetur se kur pret nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori amerikan tha se nuk është parashikues i mirë. Por ai e tha hapur se palët duhet të gjejnë emëruesin e përbashkët.
“E kam mjaft të vështirë të shpjegoj të kaluarën. Shpresoj që të marrëveshja ndodhë sa më shpejt. Shpresoj që njerëzit që vendosën barrikada do t’i heqin të njëjtat barrikada dhe do të vazhdojnë me procesin politik, me tensione të reduktuara, një situatë më paqësore, në mënyrë që t’i zgjidhim çështjet që janë shumë të rëndësishme. Për shembull, si do të funksionojë Asociacioni i Komunave Serbe. Zoti Escobar e tha shumë qartë se kjo do të ndodhë, se është rënë dakord më herët dhe mbetet një kusht. Tani çështja nuk është nëse do të ketë apo jo Asociacion të komunave serbe, por si do të funksionojë dhe si do të zbatohet”, tha Hill.
Më tej ai doli në mbështetje të Ballkanit të hapur. Ambasadori amerikan deklaroi se ky projekt është një alternativë e mirë për të sheshuar mosmarrëveshjet në rajon.