Shërbimi i detyruar ushtarak, a do ta merr Kosova modelin zviceran?

Çështja e shërbimit të detyruar ushtarak gjithmonë ka ngjallur interesim në vendin tonë. Shpeshherë qytetarët në përgjigjet para kamerave thonin se është një model që duhet ndjekur, si formë e vetëdijësimit dhe përgatitjes.

Diçka më zyrtare pati thënë ministri aktual i mbrojtjes, Armend Mehaj, kur para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë foli rreth integrimit në NATO, ndërsa kishte përmendur edhe këtë shërbim, si ëndërr të çdo qytetari, shkruan Nacionale

“Kemi plan të veprimit konkret. Sa i përket ushtrisë së detyrueshme, kjo është ëndrra e çdo qytetari të Republikës të Kosovës, përkohësisht plani është i hartuar për ushtri profesionale dhe jemi duke i parë mundësitë ne çfarë plani mundet me u shtri ushtria e obligueshme në të ardhmen.

Këtu mendoj se duhet parë shtetet baltike, sepse kanë pasur probleme me Rusinë. Interesimi është i madh. Kur kemi pasur konkurs garën e kaluar kanë qenë 400 aplikacione dhe kanë qenë 6 mijë aplikacione. Njënga objektivat kyçe që kam, është me e rritë numrin e grave”, kishte thënë ai.

Mbledhja

Gati dy javë më parë u mbajtë mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Kuvendi i Kosovës, përmes faqes zyrtare konfirmoi mbledhjen respektive, teksa shtoi se u shqyrtuan tri raporte me propozim-amendamente.

“Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga kryetari Bekë Berisha, u shqyrtuan tri raporte me propozim-amendamente për këto projektligje:

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbim në Forcës së Sigurisë së Kosovës. Propozim-amendamentet e grupit punues për këto projektligje i paraqiti Shqipe Mehmeti – Selimi, kryesuese grupi. Me këtë rast, amendamentet e propozuara u mbështetën nga anëtarët e Komisionit, ndërkaq raportet procedohen tutje”, thuhej ndër të tjerash në komunikatë.

Lidhur me këtë, Gazeta Nacionale kontaktoi me deputeten dhe kryesuesen e grupit punues, Shqipe Mehmeti-Selimi. Kjo e fundit deklaroi se janë në fazat fillestare rreth hartimit të një draft koncepti.

“Sa i përket shërbimit ushtarak të obligueshëm, Ministria e Mbrotjes është në fazën fillestare të hartimit të një draft-koncepti i cili ka nevojë ende të plotësohet”, tha fillimisht Mehmeti-Selimi.

Përveç kësaj, kryesuesja Mehmeti-Selimi foli edhe rreth një ekipi të përzgjedhur, që tashmë ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Zvicër. Siç thuhet, kjo vizitë është bërë me qëllim të hartimit të një koncepti ose ligji më të përshtatshëm.

 

“Për të hartuar një koncept dokument ose ligj sa më të përshtatshëm, Ministria e Mbrojtjes ka zgjedhur një ekip që ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Zvicër, ku për së afërmi e kanë parë mënyrën e organizimit dhe rregullimit të çështjes së shërbimit të obliguar ushtarak. Ky ekip do të vazhdojë edhe më tutje të analizojë dhe të marrë shembuj nga praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara dhe të shohin mundësitë për të adoptuar në sistemin e Republikës së Kosovës”, përfundoi Shqipe Mehmeti-Selimi për Gazeta Nacionale.

Skepticizmi

Një shërbim i detyruar ushtarak është vështirë të realizohet, sidomos për ne, duke u bazuar në ato që thotë eksperti i sigurisë, Drizan Shala. Ai në një prononcim për Nacionalen tha se ky shërbim, sipas konceptit, nuk përkonin me planin e tranzicionit të FSK-së, të paktën deri më 2028.

“Konceptualisht shërbimi i detyruar ushtarak nuk përkon me planin e tranzicionit të FSK-së, i njohur si plani gjithëpërfshirës që në vetëvete ka vonim dhe ngecje në fazën e dytë dhe që e cila deri në 2028 nuk përfundon.Pas vitit 2028, FSK nëse arrin standardet e kërkuara atëherë mund të pranohet në Marrëveshjen për Partneritet për Paqe, si paradhomë para antarësimit në NATO”.

Shala gjithashtu beson se i gjithë ky plan, që sipas tij është i ministrit Mehaj, është i prirë të dështojë, kjo pasi qeveria mund të ketë ambicie, por nuk përkon as me realitetin, as me linjën buxhetore.

“Me modelin shërbim ushtarak të detyruar, qeveria në këtë pikë e huq që nga propozuesi ( Ministri ) deri te votimi që ka ndodhur tani në Kuvend.Modeli doktrinar që ka FSK është ai amerikan dhe ku aty shërbimi ushtarak ka karakter profesional vullnetar, në bazë të procedurave konkuruese.Qeveria mund të ketë ambicie, por që nuk përkon as me realitetin, as me vijën buxhetore që duhet të plotësojë”, përfundoi ai.

Leave a Comment

Your email address will not be published.