Dëme të mëdha kanë shkaktuar vërshimet me të cilat u përballën shumë rajone në Kosovë ditët e fundit.
Një nga qytetet e prekura është Fushë-Kosova. Madje, në një nga fshatrat e kësaj komune, në Vragoli, niveli i ujit është ngritur dukshëm, duke bllokuar tërësisht nënkalimin tek ura në kuadër të rrugës në drejtim të Pejës.
Faqja e këtij fshati në Facebook ka postuar dy fotografi përmes së cilës shihet një veturë tërësisht e mbuluar nga ujërat.
“Bashkëvendas të dashur, një lutje për të gjithë ju që të keni kujdes dhe të mos tentoni të kaloni ndër urën tonë sepse kjo është gjendja momentale”, ka shkruar faqja në mëngjesin e së shtunës.
Komuna e Drenasit ka njoftuar se rruga rruga regjionale Drenas-Magure, përkatësisht tek Lagja Morina në Çikatovë të Vjetër në drejtim të rrugës për tek “Guri i Plakës”, është e bllokuar nga vërshimet e shkaktuara nga reshjet e shiut.
Përmes një postimi në “Facebook”, nga komuna kanë kërkuar ju kanë bërë thirrje qytetarëve qe të mos kalojnë nga kjo rrugë dhe të përdorin alternative të tjera.
Kreu i kësaj komune, Ramiz Lladrovci thotë se vërshime të tilla nuk mbahet mend që ka ndodhur ndonjë herë.
Uji i rrëmbyeshëm merr me vehte edhe asfaltin
Komuna e Malishevës ka njoftuar se shkaku i reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve, rruga që lidhë fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar rëndë dhe është tërësisht e pakalueshme.
Në fotografitë e dërguara nga komuna, shihet se si rruga është këputur dhe asfalti është larguar në tërësi.
“Si pasojë e reshje të shumta dhe vërshimeve, rruga që lidhë fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar rëndë dhe është tërësisht e pakalueshme, pasi rruga është këputur dhe asfalti është larguar në tërësi. Luten të gjithë ata që mendojnë të kalojnë nëpër atë rrugë, të mos udhëtojnë në atë pjesë, por të shfrytëzojnë rrugët tjera”, thuhet në njoftimin e komunës.