Shkrimtarja franceze Annie Ernaux është fituese e Çmimin “Nobel” për letërsi për vitin 2022.
Sipas njoftimit të Akademisë Suedez të Shkencave, Çmimi “Nobel” në letërsi për vitin 2022 i jepet autores franceze Annie Ernaux “për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.
“Në shkrimet e saj, fituesja e ‘Nobel Prize 2022’ në letërsi Annie Ernaux shqyrton vazhdimisht nga këndvështrime të ndryshme një jetë të shënuar nga pabarazi të forta në lidhje me gjininë, gjuhën dhe klasën. Ajo ka shkruar mbi tridhjetë vepra letrare” – thuhet në njoftimin e Akademisë Suedeze.
Lidhur me këtë pati edhe një reagim nga shkrimtari kombëtar shqiptar, Ismail Kadare, i cili e ka ndjekur ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel, i ulur në një nga lokalet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë me bashkëshorten dhe miqtë e tij.
I pyetur nëse ishte zhgënjyer që përsëri nuk kishte mundur të fitonte këtë çmim, Kadare u përgjigj se nuk kishte asnjë lloj përjetimi.
“Siç e shikoni nuk kam ndonjë përjetim. 40 vjet më parë edhe mund të kisha”, tha Kadare për Euronews.
Ndërkohë bashkëshortja e tij, Helena Kadare u shpreh se shkrimtaren që fitoi Nobelin nuk e njohin, madje nuk kanë dëgjuar edhe pse prej shumë vitesh jetojnë në Francë.
“Nuk e njohim shkrimtaren që fitoi Nobelin, edhe pse jetojmë në Francë. S’e kam dëgjuar kurrë, për të njohur jo se jo, por nuk e kam dëgjuar as si emër. Derisa në Nobel është e njëjta juri dhe ka thënë jo 40 vjet, nuk ke pse ta ndryshosh mendimin”, u shpreh shkrimtarja Helena Kadare.