Shqipëria e ndarë në dysh: Nevoja ulëritëse për kohezion kombëtar

Shqipëria nuk duhet të jetë peng i dinosaurëve që monopolizojnë jetën politike, duke e kthyer edhe parlamentin në një teatër të shpifur të jashtëqitjes njerëzore siç ndodhi në të enjtet e 2013-2019 apo në turpin e injorancës dhe mediokritetit e deputetëve rezervë pas 2019-s.

 

Shqipëria po përjeton prej vitesh tashmë, gati 30 vjet, një situatë të rënduar të polarizimit politik. Vendi është i ndarë në dy gjysma thuajse: njëra me të majtën dhe tjetra me të djathtën. Dy palë që kërkojnë egërsisht të marrin kontrollin e frenat e vendit me çdo kusht.

Një përplasje gjelash që e ka kthyer token tonë në një arenë gladiatorësh ku në fakt gjërat nuk janë krejt siç duken, pasi lojtarët nuk vriten, por bëjnë biznes me njëri-tjetrin.

Ama vendi është i ndarë, në mes, e kjo reflektohet në politikë, në shoqëri, në media, në ekonomi, e madje edhe në kulturë.

Prej vitesh tashmë kemi dy anë të prera të kundërta në një medalje; kemi dy Shqipëri. Një Shqipëri që shkon mirë, po ecën drejt standardeve Europiane, po shkon drejt faktorizimit si ”kampion në Ballkan” dhe një Shqipëri “të rrënuar”, që është në mjerim, ku ka krim, korrupsion, kapje shteti e diktaturë, ku “kultura është përdhunuar nga shteti” etj.

Kush ka të drejtë: mazhoranca dhe atë që e besojnë, apo opozita dhe pasuesit e saj? E vërteta padyshim që është diku në mes, por shumë në mes, pasi palët janë në ekstrem me qëllim, që të polarizojnë egërsisht vendin dhe njerëzit.

Këto ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit ne kemi njerëz në terren që janë të egërsuar, armatosur dhe të motivuar për të luftuar egërsisht për të ruajtur pushtetin e shefave të tyre. Tensioni është aq i lartë, po aq i lartë, sa mjafton vetëm pak që të ndizet zjarri e të shkaktohen tragjedi.

Rasti më emblematik dhe i freskët është Kavaja, ku Zoti shmangu një tragjedi të madhe nga përdorimi i armës së zjarrit. Po ç’rëndësi ka nëse njëri ishte i këtij e tjetri i atij?

Shqiptarët i kanë drejtuar tytat e armëve njëri-tjetrit?

E për çfarë? Për pushtetin e Edi Ramës, Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe Ilir Metës?

Po në ferr të shkojnë këto monstra që po i marrin frymën këtij vendi me këtë atmosferë tensioni!

Duan që të çojnë vendin para?! Shqipëria ka nevojë për normalitet politik e kohezion shoqëror, e mbi të gjitha për paqe sociale!

Polarizimi i tejskajshëm sjell vetëm fatkeqësi; ky duel gjelash nuk është zgjidhje, edhe po të fitojë njëri e të humbasë tjetri.

Duhet një stinë e re e cila duhet të largojë një herë e përgjithmonë gjuhën e urrejtjes, aktet e dhunës dhe luftën e palogjikshme ndaj njëri-tjetrit.

Ka nevoj për një sistem politik që rikthehet te Republika, ndoshta jo perfekte, por të paktën tek Republika e vitit 1991. Me një President Republike të ndarë nga beteja politike, me një parlament normal e funksional, i cili vetë, prej procesit që bëhet vetëm në Kuvend të prodhojë qeveritë, e jo jashtë tij në kulisat e qelbura të krimit e korrupsionit.

Edhe në vitet e para pas rrëzimit të diktaturës ishte Parlamenti që mbante debatin e plotë politik dhe nga aty dilnin pikëpyetjet e zgjidhjet, diskutimet e kompromiset.

Shqipëria nuk duhet të jetë peng i dinosaurëve që monopolizojnë jetën politike, duke e kthyer edhe parlamentin në një teatër të shpifur të jashtëqitjes njerëzore siç ndodhi në të enjtet e 2013-2019 apo në turpin e injorancës dhe mediokritetit e deputetëve rezervë pas 2019-s.

Vendi duhet kthyer në normalitet, në kohezion e paqe sociale, duke zbutur menjëherë polarizimin, ndryshe do të kemi vetëm skifterë me gishtin në këmbëz, gati për ta shkrepur siç ndodhi në Kavajë. E kjo vjen me një pakt të madh kombëtar mes forcave më të mëdha të vendit: PS e PD. Edi Rama duhet ta bëjë ftesën e Lulzim Basha të japë kushtet e tij, duke u distancuar nga Ilir Meta, e natyrisht edhe nga Saliu…/Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published.