Kryeministri Edi Rama bëri të ditur, këtë të mërkurë, se sulmi kibernetik ndaj institucioneve shqiptare ka ardhur nga Irani.Forcat RENEA, njësi Anti-terror dhe njësia anti-eksploziv janë futur në ambientet e brendshme të Ambasadës iraniane, pas largimit të trupës diplomatike drejt aeroportit të Rinasit.
Rama po ashtu ka njoftuar se si pasojë e kësaj, Qeveria shqiptare ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.
“Në 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim.
Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë”, tha Rama.
Ndërkohë, Forcat RENEA, njësi Anti-terror dhe njësia anti-eksploziv janë futur në ambientet e brendshme të Ambasadës iraniane, pas largimit të trupës diplomatike drejt aeroportit të Rinasit.
Një pjesë e dokumenteve që ndodheshin në Ambasadë janë shkatërruar gjatë ditës së djeshme, por do kontrollohet godina për të gjetur prova apo dokumente me interes.
Brenda ambasadës janë vetëm disa persona, staf shqiptar.
Kryeministri Edi Rama kërkoi një ditë më parë që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohet brenda 24 orëve nga Shqipëria.
Gjatë një fjalimi të publikuar në rrjetet sociale, Rama deklaroi se ky vendim i Këshillit të Ministrave, vjen pas u zbulua se pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, qëndron Republika Islamike e Iranit.