Shqiptarët në Greqi kundërshtojnë mbylljen e kufinjve me Shqipërinë

Kufiri me Greqinë mbetet i mbyllur deri më 14 qershor, për ketë arsye, Komuniteti Shqiptar në shtetin fqinj ka organizuar sot pasdite një proteste.  Sipas tyre për shkak të bllokimit të bashkimeve familjare shumë, qytetarë nuk kanë mundësi të jenë me familjarët e tyre.

Kufiri me Shqipërinë mbetet i bllokuar, pavarësisht se në të dyja vendet shifrat e infektimeve kanë rënë ndjeshëm dhe pavarësisht se me shtete të tjera, Greqia i ka hapur kufijtë.

Luan Zyka, kryetar i Komunitetit Shqiptar në Selanik, tha për Euronews Albania se shqiptarët në Greqi e quajnë një pengesë serioze për mijëra shqiptarë mos hapjen e kufirit, si edhe një veprim jo të studiuar dhe jo serioz nga ana e autoriteteve greke.

“Në këtë e quajmë një pengesë serioze për mijëra shqiptarë dhe grekë që kalojnë kufirin nga të dyja anët, një pengesë serioze për qarkullimin e lirë të mallrave dhe për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve që kanë mbetur nga ana tjetër e kufirit, probleme me bashkimin familjar, probleme shëndetësore etj. Ne e shikojmë këtë si jo serioze nga ana e autoriteteve të administratës greke, edhe pse u kemi kërkuar me shkrim autoriteteve greke që të shikojë në mënyrë përparësore hapjen e pikës së Kapshticës”, u shpreh z. Zyka.

Ai tha se aktualisht, hyrja e shqiptarëve në Greqi, apo edhe  anasjelltas, bëhet me kosto shumë të lartë të cilën jo të gjithë mund ta përballojnë.

“Kalonin më shumë se 2-3 mijë veta në ditë. Hyrja në Greqi për ata që kanë hall të madh bëhet me kosto të lartë që nuk mund ta përballojë kushdo. Ky është një problem jo i menduar mirë nga administrata e shtetit grek”, tha Luan Zyka.

Për këtë, në Athinë sot në orën 18:00 shqiptarët do të dalin në një protestë miqësore për të ndërgjegjësuar opinionin grek dhe për t’i dhënë një mesazh qeverisë greke që ta shikojë këtë punë me seriozitetin më të madh.

Luan Zyka tha se situata po shkon në kufijtë e diskriminit ndaj shqiptarëve, në një kohë që diaspora shqiptare në Shqipëri, kishte fituar të drejtat dhe liritë e tyre. Ky fakt e bën situatën të papranueshme për shqiptarët në Greqi.

“Qytetarët shqiptarë që janë në Greqi dhe janë me mijëra, janë një forcë e madhe aktive në shoqërinë greke. Jemi në kufijtë e diskriminimit të qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të bëhet ky dallim me pikat kufitare të Shqipërisë dhe me të tjerët të lehtësohet. Këtë vendim e shikojmë si diskriminim dhe nuk duam që ne, diaspora shqiptare në Greqi të bëhet objekt i të tilla niveleve diskutimi”, u shpreh z. Zyka.

“Prania jonë këtu është më e ligjshme, prania e diasporës është më e lirë, shteti grek po merr masa administrative ligjore për të lehtësuar jetën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, por dalin çaste të tilla jo shumë të mira që të kujtojnë marrëdhënien midis dy vendeve”, shtoi ai.

Z. Zyka theksoi se Komuniteti Shqiptar në Greqi kërkon hapjen e të gjitha pikave kufitare, që shqiptarët dhe grekët të mund të qarkullojnë të lirë ndërmjet dy shteteve, gjithmonë duke respektuar masat kundër COVID-19.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që pandemia nuk është zhdukur, çdo gjë të bëhet në bazë të protokollove të  sigurisë. Ne kërkojmë që të hapen totalisht të gjitha pikat kufitare, sigurisht duke respektuar masat” tha Luan Zyka./ euronews.al

Leave a Comment

Your email address will not be published.