Shumë qytetarë të Kosovës kanë filluar të blejnë miell në sasi të madhe, pas sulmeve të Rusisë mbi Ukrainën, derisa janë shprehur të shqetësuar për mungesë të mundshme të bukës, ushqimit dhe derivateve. Edhe çmimet që janë rritur kanë ngjallur panik. Qeveria ka filluar të marrë masa për rezervat shtetërore.
Për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi i bukës pritet të rritet deri në 70 për qind më shumë në Kosovë , kjo për shkak se Republika e Kosovës furnizohet nga Serbia me grurë e kjo nga Ukraina, dhe kështu do të ndikojë që të shtrenjtohet mielli e më pas produktet tjera.
Ketë paralajmërim e ka bërë kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri.
Sipas Tahirit, prodhimet e grurit në Kosovë nuk i plotësojnë kërkesat më shumë se 30 për qind, andaj pjesa tjetër importohet nga Serbia e shtete tjera.
“Prodhimet e grurit në vend nuk i plotësojnë kërkesat më shumë se 30 për qind, andaj pjesa tjetër importohet. Kjo do të ndikojë të ketë ngritje të çmimit të bukës për 70 për qind”.
Fillimi i luftës në Ukrainë, ka bërë që edhe çmimi i naftës dhe derivateve të saj të ngrihet automatikisht për katër centë për litër edhe në Kosovë.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve ka thënë se trendi është rritës dhe se në ditët në vijim mund të ndodhë që cemi të shkojë deri në 1.60 cent për litër.
“Në berëzën ndërkombëtare ka pas menjëherë rritje në 60 dollarë për ton, që do të thotë se ka ndikuar lufta Rusi-Ukrainë. Nuk mund të themi se kaq do të arrijë cemi, 1.60 apo më tepër, por çmimet janë duke u rritur në mënyrë ekstreme. Nuk jemi larg [1.60] dhe nëse rritja do të vazhdojë më nga katër cent, për pesë ditë mund të arrihet aty”.
Berjani ka thënë se ka shpresë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i lëshojnë në treg rezervat e tyre të naftës.
“Kur pati nisur lufta në Irak, ish presidenti George Bush i pati vendosur rezervat në treg dhe shpresoj se njëjtë do të veprojë edhe Joe Biden. SHBA është shtet i madh”.
Ai më tej ka thënë se pavarësisht situatës, në Kosovë nuk do të ketë krizë për furnizim.
Për të shuar këto shqetësime të qytetarëve, ministri i Financave Hekuran Murati dhe ministrja e Ekonomisë Rozeta Hajdari kanë dalë në konferencë për media ditën e shtunë.
Ministri Murati ka thënë se nuk ka nevojë për panik, duke treguar se janë siguruar edhe kanale për furnizim në rast se ka mungesë.
“Duhet t’i sigurojmë qytetarët që nuk ka nevojë për panik. I kemi parë sot radhët e gjata para fabrikave të miellit. Ma kujtuan marsin e vitit 2020. Nuk ka nevojë për panik. Jemi siguruar mjaftueshëm dhe kemi siguruar kanale për furnizim në rast se ka mungesë”, ka thënë Murati.
Ndërkaq ministrja Hajdari ka thënë se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.
Ajo është shprehur se këto konstatime kanë ardhur pas takimeve me mullisët e vendit.
“Në takim me mullisët na kanë siguruar që Kosova ka miell edhe për 3 deri në gjashtë muaj. Madje edhe sot na thanë se Kosova nuk ka nevojë për panik. Kemi edhe vende mike që sigurojnë se do ta ndihmojnë Kosovën me furnizime shtesë nëse ka nevojë pas disa muajsh”, ka thënë Hajdari.
Mirëpo, Ismail Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se Kosova nuk ka rezerva të mjaftueshme shtetërore.
“Nuk mendoj se duhet të ketë panik për grumbullim të stoqeve. Konflikti është i kontrolluar jashtë bllokut perëndimor. Shteti ynë nuk ka rezerva. Qeveria ka marrë vendim ditë më parë ku ka ndarë 10 milionë për të krijuar rezerva”.
AI vlerëson se pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të ketë ndikon edhe në Kosovë për faktin se ekonomitë në ditët e sotme janë të ndërvarura.
“Invazioni rus e ka çrregulluar balancin ekonomik nëpër bursat ndërkombëtare. Edhe Rusia edhe Ukrainë janë dy shtete dominuese në tregun e drithërave dhe kanë ndikim edhe në derivate të naftës dhe gazit. Direkt nuk jemi të cenuar por bursat ndërkombëtare kanë rritur çmimet e drithërave dhe OPEC çmimin e naftës, të gjitha produktet shërbyese dhe prodhuese do të kenë kosto më të lartë. Do të ketë valë të rritjes së çmimeve. Kjo mund të ndodhë që në ditët e para”.
Ndërkaq, fabrika për prodhimin e miellit “M&Sillosi” ka njoftuar të gjithë qytetarët se në treg ka mjaftueshëm miell dhe nuk ka nevojë që të bëhet panik.
Në njoftimin e tyre për media thuhet se furnizimi me grurë është i rregullt dhe prodhimi po vazhdon me kapacitete të plota.
Kjo fabrikë ka kërkuar nga qytetarët që të mos krijojnë stoqe të panevojshme, duke shtuar se nëse të gjithë blejnë përnjëherë do të krijojnë vështirësi në furnizimin me miell.
“Njëkohësisht, M&Sillosi kërkon nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave dhe të disa tregtarëve të papërgjegjshëm të cilët arrijnë të përfitojnë nga kjo situatë. Nuk ka nevojë për krijimin e stoqeve të panevojshme nëpër shtëpitë tuaja. Në të gjitha marketet furnizimet me miell vazhdojnë dhe ato do të mbahen të furnizuara me rregull. Nëse të gjithë blejnë përnjëherë është e vështirë të ketë miell tërë kohën. Prandaj, mos bëni panik sepse miell ka mjaftueshëm dhe nuk kemi mungesë të rezervave të grurit”.
Kurse, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje gjatë ditës së diele, ku edhe është marrë vendim që të furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave të përjashtohet nga procedurat e prokurimit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën është miratuar kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave të përjashtohet nga procedurat e prokurimit. Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, Republika e Kosovës ka rritur sasinë e nevojshme të rezervave në përputhje me Programin për rezervat shtetërore. Ndërkaq vendimi i sotëm ka për qëllim lehtësimin e mëtejmë të furnizimit me produkte të rezervës shtetërore, sipas nevojave”.
Sipas legjislacionit në fuqi, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të mbrojtur popullsinë në rast të ndonjë lufte apo rreziku të drejtpërdrejt nga lufta, emergjencave civile, fatkeqësive ekonologjike e të ngjashme.
Rezervën shtetërore e administron Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Sipas Ligjit për rezerva shtetërore, vendndodhja e mallrave të rezervës shtetërore dhe sasia e tyre konsiderohet sekret shtetëror./Monitor.al