SI U TRAJTUAN NË VENDET E EUROPËS KOLABORACIONISTËT E LUFTËS II BOTËRORE?

Kolaboracionizmi si fakt historik dhe fenomen ka ekzistuar prej shekujsh, por gjatë Luftës Dytë Botërore u shfaq në përmasa dhe forma të pa para. Historikisht ai është shfaqur në forma të ndryshme, por gjatë luftës së fundit, pavarësisht nga emërtimet, në vartësi të kushteve specifike të vendeve të pushtuara, ai u shtri në fusha të ndryshme të jetës politike, ushtarake, ekonomike, kulturore etj. Specialistë të kësaj fushe përcaktojnë disa lloje kolaboracionizmi: ushtarak, administrativ, ekonomik, intelektual, ideologjik, shpirtëror, seksual etj.

Shkruan Shaqir VUKAJ

Mbas përfundimit të Luftës Dytë Botërore, në fjalorin politik hyri në përdorim një term i ri – kolaboracionizëm (nga frëngjishtja collaboration-bashkëpunim). Fillimisht me fjalën “kolaboracionizëm” nënkuptohej bashkëpunimi i Qeverisë Franceze të Vishisë (kryesuar nga mareshali Peten) me pushtuesit gjermanë, por më vonë filloi të përdorej edhe për qeveri të tjera europiane, organizata ushtarake apo persona te veçantë që kishin bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, italianë apo japonezë ose kishin vepruar nën kontrollin e drejtimin e tyre.

Filloi të përdorej edhe fjala “kuisling”, që vinte nga emri i ish kryeministrit të Norvegjisë, V. Kuislingut, gjatë periudhës së pushtimit gjerman, dhe që mbetet model i bashkëpunëtorit dhe shërbyesit të pushtuesit.
Në të gjithë Europën e më gjerë, “kolaboracionistët” apo “kuislingët” u quajtën tradhtarë të atdheut, për çka, sipas fajeve të kryera, u dënuan nga gjykatat e vendeve të tyre.

Sipas interpretimit juridik të së drejtës ndërkombëtare, kolaboracionizmi është bashkëpunim i ndërgjegjshëm, i qëllimshëm dhe vullnetar me armikun (pushtuesin), për interes të tij, në dëm të shtetit dhe popullit të vet. Në kohën e sotme, në kodin penal të shumicës së vendeve të botës, kolaboracionizmi klasifikohet si tradhti kombëtare.
Tërheq vëmendjen fakti se shumica e kolaboracionistëve janë përpjekur të paraqiten si patriotë, dhe bashkëpunimin me pushtuesin ta përligjin si vepër në “shërbim të atdheut”.

Sigurisht që motivet e bashkëpunimit të kolaboracionistëve europianë kanë qenë të ndryshme. Sipas disave, nëpërmjet bashkëpunimit me pushtuesit, ata kanë synuar “realizimin e aspiratave etnike, në luftën kombëtare kundër popullit dominues në atë shtet” (shembulli i kroatëve, sllovenëve në ish Jugosllavi, sllovakëve në Çekosllovaki, disa popujve e kombeve jo ruse në ish Bashkimin Sovjetik etj.), “realizimin e ideve nacional-socialiste për krijimin e rendit të ri dhe krijimin e Europës nëpërmjet bashkimit të shteteve evropiane”, “realizimin e ideve reformuese dhe vendosjen e rregullave te reja shtetërore” (gjenerali Vllasov në B. Sovjetik dhe ushtria që ai komandonte, e krijuar dhe armatosur nga gjermanët), “kthimin e pavarësisë për vendet e tyre” (lituanezët, letonezët, estonezët, ukrainasit, gjeorgjianët etj. në B. Sovjetik), “për të luftuar kundër komunizmit” etj.

Jo më kot, për kolaboracionistët, ka hyrë në përdorim termi “Tradhti patriotike”, prandaj dhe studiuesi D. Litlejohn, librin e tij “Historia e kolaboracionizmit në Europën e pushtuar nga Gjermania”, botuar në v.1972, e ka titulluar “Tradhtarët patriotë”.

Problemet që lidhen me veprimtarinë e kolaboracionistëve apo bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazi-fashistë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në shumicën e vendeve europiane, (kryesisht në ato perëndimore) quhen të tejkaluara dhe, kolaboracionizmi e kolaboracionistët janë përcaktuar me kohë dhe kanë marrë dënimin e merituar.

Në kohën e tanishme, pothuajse askush në këto vende nuk merret me rehabilitimin e tyre. Për shumë politikanë e popuj në vendet me demokraci të vërtetë, kolaboracionistët janë turp kombëtar, që nuk dëshirojnë as t’i përmendin e t’i kujtojnë dhe “harresa” është mënyra më e mirë për dënimin e tyre edhe pas vdekjes. Një mësim shumë kuptimplotë vjen nga SHBA. Në fillim të viteve ‘90-të të shekullit të kaluar, me ligj të posaçëm u ndalua hyrja në SHBA e bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazifashistë.

La France Sous l'Occupation Nazie | SuperprofKolaboracionistët francezë në përfundim të LDB

Megjithatë edhe sot e kësaj dite, studiues të veçantë, vazhdojnë hulumtimet, kërkimet e studimet, me tepër në planin teorik dhe psikologjik, duke u përpjekur të analizojnë më së shumti motivet që i shtynin këta njerëz të viheshin në shërbim të pushtuesve, origjinën e kolaboracionistëve, shkaqet e bashkëpunimit me pushtuesin etj. por, me ndonjë përjashtim tepër të radhë, pa u përpjekur të justifikojnë veprimet e tyre.

Vazhdojnë të mbahen konferenca kombëtare e ndërkombëtare me këtë temë, por vetëm në raste tepër të rralla, kur studiuesit kanë gjetur dokumente bindëse e fakte, që vërtetojnë se ndonjë prej atyre që është cilësuar gabimisht si kolaboracionist, kërkohet rehabilitimi i tij.

***

Kolaboracionizmi si fakt historik dhe fenomen ka ekzistuar prej shekujsh, por gjatë Luftës Dytë Botërore u shfaq në përmasa dhe forma të pa para. Historikisht ai është shfaqur në forma të ndryshme, por gjatë luftës së fundit, pavarësisht nga emërtimet, në vartësi të kushteve specifike të vendeve të pushtuara, ai u shtri në fusha të ndryshme të jetës politike, ushtarake, ekonomike, kulturore etj. Specialistë të kësaj fushe përcaktojnë disa lloje kolaboracionizmi: ushtarak, administrativ, ekonomik, intelektual, ideologjik, shpirtëror, seksual etj.
Kolaboracionizmi politik: bashkëpunim me armikun, të shprehur qartë mbi bazën e parimeve ideore (krahas tjerave, krijimi i partive dhe lëvizjeve politike të ngjashme me partinë e pushtuesit, fashiste apo naziste).

Kolaboracionizëm ushtarak: inkuadrimi në reparte ushtarake e policore dhe pjesëmarrja në luftë kundër bashkatdhetarëve të tyre ose kundër aleatëve.

Kolaboracionizmi administrativ: një formë e bashkëpunimit me armikun nëpërmjet pjesëmarrjes në organet e niveleve të ndryshme, të kontrolluara dhe drejtuara nga pushtuesit, duke filluar nga qeveria e deri tek administrata lokale.

Kolaboracionizmi ushtarako-politik: shërbimi vullnetar apo i detyruar në njësitë ushtarake të pushtuesve gjermanë ose italianë.

Kolaboracionizmi ekonomik: bashkëpunimi në fusha të ndryshme ekonomike në interes të pushtuesit.
Kolaboracionizmi kulturor: bashkëpunimi me pushtuesit në sferën shpirtërore, që i shërben përhapjes së propagandës dhe realizimit të postulateve ideo-politike të pushtuesit.

Kolaboracionizëm seksual: marrëdhënie intime të vajzave apo grave me oficerë, ushtarë apo nëpunës të pushtuesit.

Si më i rrezikshmi, për të cilin nuk ka asnjë afat kohor, pothuajse në të gjitha kodet penale të vendeve te ndryshme, është kolaboracionizmi ushtarak, që është realizuar ushtarakisht, duke vrarë bashkatdhetarët e vet ose përfaqësues të forcave të Koalicionit Antifashist.

Për kohë lufte është vështirë të vihet kufi i prerë midis “kolaboracionizmit” dhe “aleancës”. Kështu gjatë luftës, disa shtete, Hungaria, Bullgaria, Rumania e Finlanda vepruan si aleatë (vitet e para të luftës) edhe si kundërshtarë të Gjermanisë (në përfundim të luftës). Pavarësisht nga zhvillimi i ngjarjeve, kjo nuk e zvogëlon aspak fajin e atyre njerëzve që udhëhoqën këta vende dhe luftuan në përbërje të njësive të veta kombëtare, ose nën komandën hitleriane, kundër vendeve të koalicionit apo në vendet e pushtuara kundër forcave që kundërshtuan pushtimin nazi-fashist.

Pushtuesit gjermanë apo ata italianë, në asnjë vend të pushtuar nuk janë deklaruar si pushtues, por duke shfrytëzuar kushtet specifike të secilit vend, kanë përdorur parulla si bashkim, çlirim, kalim transit i ushtrive të tyre neper këto vende (për nevoja gjeostrategjike apo ushtarake – siç shpreheshin ata) dhe, në shumicën e vendeve të pushtuara, kanë krijuar të ashtuquajturat qeveri vendase, me njerëz besnikë të tyre. Në të gjitha vendet e pushtuara ata kanë krijuar “Republika të pavarura” ose “protektorate” me “të drejtë shtet formuese” duke krijuar qeveri, administrata, njësi ushtarake apo policore me vendas.

Terren tepër i përshtatshëm për ta kanë qenë vendet me përbërje heterogjene popujsh, kombesh e kombësish si Bashkimi Sovjetik apo Jugosllavia, ku ata e konsideronin veten të shtypur e të sunduar nga kombi më i madh (rusët në B. Sovjetik, serbët në Jugosllavi etj).

Në 12-13 mars 1938, Austria u pushtua nëpërmjet “bashkimit” (Anshlus), të saj me Gjermaninë. Statusi i saj, karakterizohej nga një origjinalitet i dyfishtë. Nga njëra anë, ajo ishte viktima e parë e pushtimit paqësor nga Gjermania. Nga ana tjetër, austriakët u përfshinë në ushtrinë hitleriane dhe përbënin një pjesë të konsiderueshme të trupave ushtarake gjermane, madje oficerët austriakë dalloheshin për politikën represive ndaj popujve të origjinës “jo ariane”.

Për politikën e ndjekur, Austria u përfshi në sistemin e politikës pushtuese naziste dhe, në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të SHBA, Britanisë së Madhe dhe B. Sovjetik, në tetor 1943, u cilësua si vend që “mban përgjegjësi dhe që nuk mund t’i shmanget pjesëmarrjes në luftë, në anë të Gjermanisë Hitleriane”.

Tipik ka qenë sistemi i pushtimit dhe drejtimit të territoreve të ish Çekosllovakisë. Në mars të v.1939, menjëherë mbas pushtimit të Çekosllovakisë, udhëheqja naziste vendosi krijimin e “Protektoratit të Bohemisë dhe Moravisë” me status shtetformues, që i përkiste Gjermanisë. Për Berlinin ishte tepër e rëndësishme që protektorati, në sytë e opinionit ndërkombëtar të konsiderohej si objekt i së Drejtës Ndërkombëtare. Për realizmin e këtij projekti shërbente qëndrimi i qartë kolaboracionist i një pjese të ish elitës politike të Çekosllovakisë.

Në fund të luftës, në prill të v.1945, gjermanët tentuan t’i japin pushtet qeverisë kolaboracioniste dhe madje të shpallin të ashtuquajturën Republika Çeko-Morave.
Pushtimi gjerman në Sllovaki (pushtuesit e shkëputën nga territoret e tjera të Çekosllovakisë) u realizua në një formë tjetër, formalizuar si “Sovranitet shtetëror” i Republikës Sllovake. Kryetari i qeverisë sllovake, prifti J. Tiso, iu drejtua Hitlerit për ta marrë në “mbrojtje” Republikën e re Sllovake dhe kuptohet që Berlini u përgjigj menjëherë pozitivisht.

Polonia u bë një poligon i vërtetë prove, ku Hitleri verifikoi strukturën e vet të drejtimit në një vend të pushtuar, me qëllim universalizimin e tij, nëpërmjet shpalljes së të ashtuquajturës “guberne gjenerale”, me në krye kolaboracionistin G. Frank, ku gjoja drejtonin polakët, por në nivele të ultë, lokale (kryetarë fshatrash apo qendrash të vogla banimi, vojtë, kryetarë të këshillave drejtuese të qyteteve të vogla e fshatrave etj.).

Megjithatë edhe në Poloni kolaboracionizmi ka qenë i dukshëm, aq sa historiani polak Cezar Gmiza, shkruante në tetor te v.2005 në javoren Vprost se, rreth 500 mijë polakë kanë shërbyer në Vermaht. Franku, në vitin 1940, deklaronte se tashmë Polonia nuk duhet quajtur një vend i pushtuar, por pjesë përbërëse e “Perandorisë së madhe Gjermane”.
Realisht Austria, Çekosllovakia dhe Polonia u kthyen në vende satelite.

Vendi që ka vuajtur më shumë nga kolaboracionizmi ka qenë Franca. Nga njëra anë, nën udhëheqjen e De Golit u formua Lëvizja e Rezistencës e cila dërgoi trupat e veta të luftonin përkrah aleatëve, nga ana tjetër, Lëvizja e Rezistencës (ku u aktivizuan përfaqësues të partive dhe rrymave të ndryshme, që nga komunistët deri tek anarkistët) brenda Francës, nga ana tjetër, në qytetin Vishi ishte formuar një qeveri, e kryesuar nga heroi i Luftës Parë Botërore Mareshali Peten që mbështeste Gjermaninë Hitleriane.

Në Belgjikë pushtuesit gjermanë u mbështetën tek kolaboracionistët vendas, konkretisht tek reksistët, ithtarë të Rajhut të Tretë, udhëhequr nga L.Degrel si dhe tek “Aleanca Kombëtare Flamande” dhe “Aleanca Punëtore Gjermano-Flamande”. Gjatë periudhës së pushtimit vazhdonin të vepronin administrata vendase dhe organet e policisë belge. Megjithëse xhandarmeria ishte krijuar me belgë, ajo ishte pjesë e xhandarmerisë gjermane në Belgjikë.

Në v.1941 u formuan dy legjione belge që u dërguan të luftonin në frontin Lindor, ndërsa në v.1943 u krijuan dy brigada SS, të cilat ne v.1944, mbi bazën e tyre u formuan dy divizione SS. Gjatë gjithë periudhës së pushtimit e gjithë industria dhe ekonomia belge u vu në shërbim të administratës pushtuese gjermane.

Në veprimtarinë e tyre në Danimarkë, pushtuesit gjermanë u mbështetën te qeveria kolaboracioniste. E gjithë ekonomia daneze u vu në shërbim të pushtuesit. Në planin politik u krijua Partia Nacional Socialiste Daneze. Në planin ushtarak vepronte Korpusi Vullnetar SS (Danmark). Në v.1943 nga danezë dhe suedezë u krijua divizioni tankist SS (Nordland).

Në Holandë vepronte haptazi lëvizja Nacional-Socialiste, kryesuar nga A. Mjusert. Aty u formua një qeveri kolaboracioniste, kryesuar nga A. Mjusert, nën drejtimin e kontrollin e plotë te pushtuesve gjermanë. Në planin ushtarak njësitë ushtarake të krijuara me vendas, si legjioni “Nederland”, brigada SS “Nederland” apo brigada “Landshtorm Nederland” luftuan kundër ushtrive aleate anglo-amerikane. Sipas të dhënave të historianëve holandezë, në trupat SS kanë shërbyer rreth 40 mijë holandezë

Norvegjia u sulmua nga Gjermania Naziste më 8-9 prill 1940, me pretekstin e mbrojtjes nga Britania e Madhe dhe Franca. Norvegjia e pushtuar u administrua nëpërmjet qeverisë së kryesuar nga V. Kuislingu, që është konsideruar si modeli i pushtimit të një vendi dhe realizimi i të gjitha objektivave të pushtuesit, nëpërmjet një qeverie vendase. Jo me kot ka hyrë në përdorim emërtimi “kuisling” që përdoret edhe sot e kësaj dite për të konkretizuar një bashkëpunëtor tipik të pushtuesit apo tradhtari të atdheut.

Gjatë periudhës se pushtimit, në Norvegji u zbatuan të gjitha normat e modelet e Gjermanisë Naziste. Edhe vet Kuislingu, që kryesonte të vetmen parti të lejuar, “Partinë e Unitetit Kombëtar” u quajt Fyhreri i Norvegjisë. Njëlloj si në Gjermani, u ngritën kampe përqendrimi për kundërshtarët e regjimit, u ndoqën deri në fund hebrenjtë etj. Gjithë ekonomia norvegjeze u vu në shërbim të Gjermanisë.

***

Në Ballkan u përdorën emërtime dhe forma të tjera, ku pothuajse kudo u krijuan “Qeveri Kombëtare”. Në Jugosllavi, një shtet artificial, i krijuar vonë, mbas Luftës Parë Botërore, nga bashkimi i vendeve e popujve të ndryshëm, pushtuesit italianë fillimisht, dhe, më vonë ata gjermanë, shfrytëzuan kontradiktat e brendshme, mosmarrëveshjet e armiqësitë midis popujve që i kishin bashkuar në një shtet pa i pyetur.

Kështu u shfrytëzuan armiqësitë e vjetra midis serbeve e kroatëve, midis serbëve e hungarezëve, apo midis serbëve e sllovenëve. Si të veçanta ata trajtuan problemin e shqiptarëve të Serbisë (Kosovë), Maqedonisë (deri në afërsi të Tetovës) dhe Malit të Zi ( Ulqin, Tuz, Hot, Grudë etj.) një pjesë të cilëve i bashkuan me Shqipërinë (por jo të gjithë shqiptarët etnikë) apo të maqedonasve që i bashkuan me Bullgarinë.

Në Serbi u vendos regjim i menjëhershëm pushtimi ushtarak, me perspektivë transformonin në “Shtet i pavarur serb”. Në maj të v.1941, hitlerianët filluan ta drejtojnë Serbinë edhe direkt, edhe nëpërmjet njerëzve të tyre, kolaboracionistëve M.Stojadinoviç, M.Acimoviç dhe, në gusht të atij viti formuan “Qeverinë e re serbe” me në krye M.Nediçin.
Specifik është rasti i krijimit të të ashtuquajturit “Shtet i pavarur i Kroacisë”, që ishte produkt i përbashkët i politikës pushtuese të Gjermanisë dhe Italisë.

Pushtuesit, duke shfrytëzuar kontradiktat dhe armiqësitë e vjetra dhe të reja midis kroatëve dhe serbëve, dhe kryesorja, dëshirën e kroatëve për tu shkëputur nga Jugosllavia dhe dëshirën e hershme për të krijuar shtetin e tyre të pavarur (ëndërr e vjetër e patriotëve kroatë). Pavarësisht nga emërtimi, qeveria kroate u kthye në një qeveri marionetë që varej krejtësisht nga Gjermania, ku gjithçka u vu në shërbim të politikës së Berlinit.

Një krijesë të veçantë shtetërore, vendosën pushtuesit italianë në Malin e Zi. Mbasi pushtuan Malin e Zi, italianët shfrytëzuan pakënaqësinë e malazezëve ndaj nacionalizmit serb. Duke u mbështetur në separatistët vendas, që donin shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia, dhe vënien nën “mbrojtjen” e Italisë, ata premtuan rivendosjen e “Mbretërisë” së Malit të Zi.

Për këtë qëllim ata krijuan Komitetin e Përkohshëm Administrativ të Malit të Zi, ngritën administratën e re me në krye kolaboracionistë vendas dhe kryeministër S. Drleviçin. Në maj 1941 Mali i Zi u shpall Mbretëri e Pavarur. Mbas pushtimit gjerman, në v.1943, administrata u organizua mbi bazën e modelit që gjermanët kishin organizuar në Serbi.

Në Greqi pushtuesit krijuan qeverinë kolaboracioniste me në krye gjeneralin G.Collakogllu. Faktikisht aty u vendos një kondominium origjinal gjermano-italian me dy komandantë ushtarakë, me dy administrata, me dy të plotfuqishëm politikë dhe ekonomikë, nga Gjermania dhe Italia. Mbas kapitullimit të Italisë, gjermanët zgjeruan formalisht të drejtat e qeverisë së I. Ralisit në zonën italiane të pushtimit.

Kështu mund te vazhdohet me të gjitha vendet e tjera të pushtuara, ku u krijuan “Qeveri Kombëtare”.

Një nga problemet më të mprehta që doli para fitimtarëve, menjëherë mbas lufte, ishte si duhej të veprohej, krahas drejtuesve kryesorë të Gjermanisë dhe Italisë, me kolaboracionistët. Madje, pa mbaruar lufta, disa qeveri të vendeve të pushtuara që vazhdonin aktivitetin në emigracion, kishin përgatitur bazat ligjore për dënimin e kolaboracionistëve të vendeve të tyre, pa fol për grupet e rezistencës që kishin përgatitur listat e bashkëpunëtorëve të pushtuesit dhe veprimtarinë e tyre gjatë periudhës së pushtimit.

Sipas të dhënave të vendeve të ndryshme, në periudhën 1945-1955 në Europë janë zhvilluar 13607 procese gjyqësore kundër tyre.

Vendi që ka vuajtur më së shumti nga kolaboracionizmi ka qenë Franca, prandaj aty edhe qëndrimet ndaj tyre e dënimet kanë qenë radikale. Urrejtja ndaj kolaboracionistëve ishte aq e madhe sa kërkohej me çdo kusht që spastrimet e dënimet të ishin të ashpra dhe të shpejta. Për të vendosur mbi baza ligjore dënimin e tyre, Asambleja Konsultative e Francës, në gusht-shtator 1944, aprovoi dy ligje për dënimin e atyre që “i kishin dhënë ndihmë Gjermanisë dhe aleatëve të tyre, që kishin dëmtuar unitetin kombëtar, të drejtat dhe barazinë e shtetaseve francezë”.

Sipas të dhënave zyrtare, në Francë u zhvilluan 170 mijë procese gjyqësore ndaj kolaboracionistëve, ku 120 mijë vetë u dënuan, nga të cilët, 4785 vetë me vdekje. Vetëm 4 muajt e parë, mbas çlirimit të Parisit, janë dënuar me vdekje 6763 vetë nga të cilët 1500 prej tyre janë ekzekutuar menjëherë.

Sigurisht që këto shifra nuk japin gjithë pasqyrën e plotë të ngjarjeve, sepse, sipas vlerësimeve të qeverisë franceze, ditët e para të çlirimit të Francës, partizanët, mbas një procesi të shkurtër gjyqësor kanë dënuar dhe ekzekutuar rreth 4500 kolaboracionistë të tjerë. Sipas shifrave që japin studiues të ndryshëm, në Francë janë ekzekutuar me gjyqe të rregullta, gjyqe të shpejtuara ose pa gjyqe, 20-30 mijë kolaboracionistë.

Tërheq vëmendjen fakti se që ditët e para të çlirimit të Parisit ata përzunë si kolaboracionist të dërguarin e Vatikanit, Nuncin apostolik.

Më shumë se kushdo në Europë, francezët përndoqën dhe dënuan bashkëqytetaret e tyre që kishin pas marrëdhënie intime me pushtuesit gjermanë. Sipas të dhënave te historianëve, për “kolaboracionizëm horizontal” (shprehje e përdorur me ironi për femrat franceze që kishin pas marrëdhënie me oficerë e ushtarë gjermanë) krahas dënimeve tjera, janë qethur zero mbi 20 mijë prej tyre…

Me shumë interes u ndoq gjyqi ndaj mareshalit Peten dhe Pjer Laval. Të dy u dënuan me vdekje, por për arsye moshe, Petenit iu fal jeta dhe iu kthye me burgim të përjetshëm.

Gjyqet kundër tyre kanë vazhduar deri në v.1949, por me urdhër të presidentit De Gol, ato u ndërprenë, siç shprehej ai, për hir të “unitetit të kombit”, sepse ndarja e kombit në “tradhtarë dhe patriotë” i kishte sjellë dëme të mëdha “Unitetit të Kombit, që duhej venë mbi gjithçka”. Në v.1953 u shpall amnisti për kolaboracionistët dhe me ligj u ndalua të përmendej bashkëpunimi me pushtuesit, duke zgjidhur një herë e mirë problemin e kolaboracionisteve, por jo duke e harruar… e ç’është më e rëndësishme, duke mos i rehabilituarFrancezët nëpërmjet harresës u munduan ta shlyejnë këtë turp të bashkatdhetarëve të tyre. Për të harruar këtë turp që kolaboracionistët i kishin lënë Francës, De Goli u përpoq që krahas harresës, të krijonte mitin se i gjithë populli francez kishte luftuar kundër pushtuesve gjermanë. Siç shkruante një studiues francez, para disa kohësh “Ishin grisur faqet e turpshme të historisë së Francës gjatë Luftës Dytë Botërore”.

Por francezët e ndershëm e patriotë i mundonte fakti se disa nga kolaboracionistët kishin fshehur veprimtarinë e tyre, nuk kishin marrë dënimin e merituar, dhe pavarësisht se dukej se gjithçka ishte mbyllur për hir të “ruajtjes së unitetit të kombit”, mbas 30 vjetësh u hapën arkivat e “bëmave të Vishisë” si dhe të proceseve gjyqësore të viteve të para mbas lufte kundër kolaboracionistëve. Në planin juridik dhe shoqëror, dokumentet e publikuara për këto procese kundër kolaboracionistëve patën rendësi të madhe për sqarimin e opinionit të gjerë francez, i cili në shumicën dërmuese i aprovoi dënimet e dhëna në atë kohë.

Njëkohësisht, hapja e arkivave, nxori në pah fajet edhe të disa kolaboracionistëve të tjerë që kishin arritur të fshiheshin. Mbi këtë bazë u zhvilluan disa gjyqe, ndërmjet të cilëve mbahet mend ai i vitit 1998, kundër Moris Paponit, i cili kishte fshehur bashkëpunimin me pushtuesit gjermanë, me firmë të të cilit ishin arrestuar dhe çuar nëpër kampe 1600 hebrenj (theksojmë se ai mbas lufte kishte arritur jo vetëm të fshihte të kaluarën por të zinte poste të rëndësishme deri atë të ministrit). Gjyqi që u zhvillua me shumë bujë e dënoi Paponin me 10 vjet burg…

Statistikat flasin qartë për urrejtjen dhe qëndrime të pafalshme ndaj kolaboracionistëve në Norvegji, Belgjikë dhe Holandë. Kështu në qoftë se në Francë janë dënuar 12 vetë ndër 10 mijë banorë, në këto vende janë dënuar nga 40 deri në 64 vetë për 10 mijë banorë.  

Tepër të prerë e kategorikë kanë qenë holandezët ndaj kolaboracionistëve. Qeveria Holandeze që ndodhej në Londër prej disa vitesh, kishte filluar përgatitjet për “spastrimin e madh”. Që në Londër ajo kishte bërë ndryshimet e duhura në Kodin Penal. Për këtë qëllim ishte ndryshuar dhe përfshirë në kodin e ri dënimi me vdekje për tradhtarët e atdheut. Po ashtu, për disa lloj krimesh ishin parashikuar dënime të rënda.

Mbi këto baza janë arrestuar 200 mijë vetë, gjysma e të cilëve më vonë u liruan. Atje u krijuan “Gjykata speciale” që kanë funksionuar deri në v.1950. Mbi 200 vetë janë dënuar me vdekje, rreth 5000 vetë janë dënuar nga burgim i përjetshëm deri në 5 vjet, ndërsa 6000 të tjerë deri 5 vjet burg. Po ashtu 17500 nëpunës u pushuan nga puna, ndërsa 6000 të tjerëve u dhanë masa disiplinore. Ndërmjet të dënuarve me vdekje ishte kryeministri A.Mjusert, si dhe disa ish ministra, që u dënuan për tradhti të lartë ndaj atdheut.

Në kuadrin e “Spastrimit kombëtar”, në Norvegji kishin lindur pengesa kushtetuese, sepse, së pari, sipas Kodit Penal të v.1902 nuk parashikohej dënim me vdekje. Së dyti, sepse duhej përcaktuar në mënyrë të prerë statusi politik i Norvegjisë në periudhën e pushtimit 1941-1945, pra, në se Norvegjia ishte e pushtuar apo ishte në gjendje lufte me Gjermaninë dhe, kjo sepse Mbreti dhe Qeveria kishin emigruar në Angli para pushtimit. Këto “pengesa” u kapërcyen dhe kolaboracionistët u arrestuan menjëherë sipas listave të hartuara paraprakisht nga luftëtarët e rezistencës. Norvegjia konsiderohet vendi ku kolaboracionistët janë dënuar më rëndë se kudo në Europë. Megjithëse një vend me popullsi prej rreth 3.3 milionë banorë, në Norvegji u akuzuan për kolaboracionizëm 92 mijë vetë, u nxorën para gjykatave 46 mijë kolaboracionistë, nga të cilët 37150 vetë u dënuan me afate të ndryshme burgimi, ndërsa 60 vetë u dënuan me vdekje (kryeministri Kuisling u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në sy të turmave që kërkonin me ngulm ta shihnin me sytë e tyre vdekjen e tij).

Viktima të urrejtjes popullore u benë edhe 50 mijë vajza e gra që kishin pas marrëdhënie intime me oficerë apo ushtarë gjermanë, 14 mijë prej të cilave kishin lindur fëmijë nga këto marrëdhënie. Ato u arrestuan dhe 5 mijë prej tyre u dërguan neper kampe përqendrimi. Sot duken të pabesueshme, por atëherë u përgatit edhe internimi i tyre në Australi (megjithëse qeveria australiane nuk i pranoi). Urrejtja për kolaboracionistët kishte arritur deri aty, sa edhe fëmijët e lindur nga marrëdhëniet e norvegjezeve me ushtarakët gjermanë, iu nënshtruan ofendimeve, sharjeve, abuzimeve e deri tek mbyllja nëpër spitale psikiatrike.

Në Danimarkë menjëherë mbas çlirimit u arrestuan 20 mijë vetë të akuzuar për kolaboracionizëm. Më 1 qershor 1945 parlamenti danez, ratifikoi një ligj të ri që parashikonte dënime të rënda për bashkëpunëtorët e pushtuesve. Para gjyqit dolën dhe u dënuan 15742 vetë, nga të cilët 3641 vetë me mbi 4 vite burgim, 62 vetë me burgim të përjetshëm dhe 78 vetë me vdekje.

Në Belgjikë kolaboracionistët u ligjëruan “me shtetësi të humbur”, madje u vu në përdorim një term i ri, “joshtetas” (pa shtetësi). Sot duken të pabesueshme ato që kanë ndodhur atëherë. Rreth 600 mijë vetë u vunë në listat e të dyshuarve si bashkëpunëtorë të pushtuesit. Para gjykatave u nxorën 57 mijë vetë, nga të cilët u dënuan 23584 vetë për “kolaboracionizëm politik”, 31831 vetë për “ndihmë ushtarake” pushtuesve, ndërsa 20652 personave ju hoqën të drejtat civile. 42 vetë u dënuan me vdekje, disa prej tyre u ekzekutuan në prani të turmave. Rreth 2 mijë vetë u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa rreth 5 mijë vetë u dënuan me nga 10 deri në 20 vjet.

Tërheq vëmendjen një fakt interesant. Për disa vite mbas lufte, çdo belg që donte të zinte një vend pune, ka qenë i detyruar të merrte një certifikatë garancie politike, ku kryesorja ishte qëndrimi i tij gjatë luftës…

Në Luksemburgun e vogël, janë dënuar për kolaboracionizëm rreth 10 mijë vetë, nga të cilët 12 prej tyre me vdekje.

Tepër ashpër u sollën me kolaboracionistët në Çekosllovaki, madje ekzekutimi i tyre kishte filluar pa mbaruar lufta. Dhe kjo lidhej me faktin se humbja e luftës nga pushtuesit gjermanë u shoqërua jo vetëm me “gjueti shtrigash” ndaj atyre që kishin bashkëpunuar me gjermanët, por sidomos me fatin e rreth 3 milionëve gjermanosudetë që u dëbuan, ndaj të cilëve u aplikua “përgjegjësi kolektive”. ( Vëmë në dukje se dëbimi i gjermanosudetëve u bë në bazë të vendimit të marrë nga Treshja e Madhe, në Konferencën e Podsdamit). Në shumicën e rasteve, ngjarjet atje janë zhvilluar në mënyrë spontane, megjithëse ligjërisht ato mbështeteshin në dekretet e Presidentit Benesh, të nxjerra gjatë verës dhe vjeshtës së v.1945 (shumica e tyre janë në fuqi edhe sot, dhe megjithëse këto 25 vjet kanë qenë në pushtet të djathtë e të majtë, asnjë qeveri apo parlament çek nuk i ka prekur), e konkretisht në “Dekretin e ndëshkimit të madh”, mbi bazën e të cilit u krijuan Gjykatat Popullore.

Lidhur me numrin e viktimave nga radhët e gjermanëve të Çekosllovakisë, janë dhënë shifra të ndryshme, por komisioni i përbashkët çeko-gjerman, i krijuar për këtë qëllim, ka arritur në përfundimin, se gjatë dëbimit të tyre nga Çekosllovakia, në vitet 1945-1947, janë vrarë 20 – 30 mijë vetë, por numri më i madh i tyre janë eliminuar ditët e para mbas largimit të pushtuesve gjermanë, apo siç është quajtur, gjatë “dëbimit të egër”.

Shifrat e studiuesve më autoritarë çekë, flasin për rreth 100 mijë vetë të dënuar, që vlerësohet si një nder vendet me qëndrim ndër më radikalët. Sipas të dhënave zyrtare, atje janë dënuar 713 vetë me vdekje dhe 741 me burgim të përjetshëm, ndërsa mijëra të tjerë me afate të ndryshme burgimi. Ndërmjet të dënuarve me vdekje ka qenë dhe Kryeministri i Sllovakisë gjatë pushtimit nazist, Tiso. Me qenë ai ishte prift Vatikani e dënoi sipas ligjeve të veta, krahas tjerave duke e hequr nga lista e prelatëve, madje sipas disa studiuesve e çkishëroi…

Në Austri u shpallën 130 mijë vetë në kërkim, nga të cilët 23 mijë iu nënshtruan proceseve gjyqësore, ku u dënuan 13.600 vetë, nder të cilët 43 vetë me vdekje.

 

***

Ndërmjet vendeve ndërluftuese të Luftës Dytë, Bashkimi Sovjetik mbajti barrën më të rëndë, qoftë për nga shkatërrimet e dëmet e pësuara, qoftë për nga numri i të vrarëve. Vërtetë ai kishte numrin më të madh të atyre që luftuan me armë në dorë kundër pushtuesit, por ai kishte edhe numrin më të madh të kolaboracionistëve.

Për shumë vite ata cilësoheshin si tradhtarë, spiunë apo bashkëpunëtorë të pushtuesit, por rrallë e me raste, sepse propaganda hyjnizonte heroizmin e popujve sovjetikë gjatë Luftës Patriotike. Problemi i kolaboracionistëve shmangej me qëllim, madje si term filloi të përdorej vonë, mbas viteve 90-të.

Sipas të dhënave të arkivave gjermane, në zonat e pushtuara, në v.1943 gjermanët kishin përfshirë në reparte të rregullta ushtarake e policore rreth 800 mijë shtetas sovjetikë, madje rreth 75 për qind e legjionarëve të huaj të Vermahtit ishin shtetas sovjetikë. Po sipas këtyre të dhënave, numri i kolaboracionistëve sovjetikë ka arritur në rreth 1.5 milionë sovjetikë, nga të cilët 1.2 milionë u përfshinë në forcat e armatosura gjermane (trupat SS, Vermaht, polici, reparte ndihmëse) etj. Me shtetas sovjetikë u krijuan njësi të tëra ushtarake në shërbim të Hitlerit si “Ushtria Çlirimtare Ruse”, “Ushtria Popullore Kombëtare Ruse,” “Korpusi Kazak i Kavalerisë”, “Korpusi Bjellorus”, “Divizioni Bjellorus i trupave SS”, “Ushtria Nacional Çlirimtare Ukrainase”, “Korpusi territorial Lituanes”, “Legjioni Letones”, e dhjetëra njësi të tjera mbi baza nacionale të popujve të përfshirë brenda Bashkimit Sovjetik, duke filluar nga myslimanët e Krimesë e deri tek ata të Uzbekistanit, malësorët e Kaukazit etj. Gjermania arriti të pushtonte një pjesë të mirë të territorit të shtetit sovjetik, territor ku jetonin mbi 90 milionë njerëz (nga afro 200 milionë që ishte popullsia e B. Sovjetik). Në ndryshim me vendet e tjera, ai nuk krijoi qeveri qendrore kolaboracioniste, megjithëse në disa nga vendet e pushtuara, si në Ukrainën Perëndimore, Lituani, Letoni, Estoni etj. ai krijoi administrata, polici etj. vendase. Pikërisht në këto rajone të Ukrainës, apo republikave të Baltikut, që i ishin bashkuar me dhunë Bashkimit Sovjetik në v.1939 (sipas Marrëveshjes Molotov-Ribentrop) gjermanët gjetën shumë bashkëpunëtorë.

Janë të shumta arsyet se përse gjermanët arritën të rekrutojnë një numër aq të madh njerëzish në shërbim të tyre. Kolaboracionizmi sovjetik ka qenë më i komplikuar dhe më i shtresëzuar dhe kjo, për shumë arsye, por ndër më kryesorët përmendim: pushtimi i republikave të Baltikut dhe Ukrainës Perëndimore në v.1939, kolektivizimi i detyruar i bujqësisë, reprezaljet e viteve 30-të, veprimtaria e emigracionit të mbas Luftës Civile, një pjesë së cilës u vu në shërbim të gjermanëve, politika shtypëse e diskriminuese e ndjekur që në kohën e carizmit e më vonë nga pushteti sovjetik ndaj popujve jo rusë, rekrutimi nga numri i madh i robërve sovjetikë të kapur nga gjermanët në fillim të luftës (vetëm gjatë v.1941 janë kapur 3.8 milionë robër lufte) etj.

Siç del nga shumë dokumente të publikuara vitet e fundit, Qeveria Sovjetike është sjellë në mënyrë të diferencuar në qëndrimet dhe dënimet ndaj kolaboracionistëve. Në ndryshim me disa prej vendeve europiane të pushtuara, që në fillim të luftës, kur gjermanët, brenda një kohe shumë të shkurtër (qershor-nëntor) iu afruan dyerve të Moskës, Qeveria Sovjetike nxori akte ligjore për qëndrimin ndaj bashkëpunëtorëve të pushtuesve gjermanë (akti i parë mban datën 12 dhjetor 1941, i dyti, 18 shkurt 1942, i treti më 19 prill 1943). Sipas një Dekreti të Presidiumit të Sovjetit Suprem, ata kolaboracionistë që kishin kryer krime kundër popullsisë civile dhe robërve të luftës, dënoheshin me vdekje, ndërsa të tjerët duhej të dërgoheshin në kampe përqendrimi, ku do të behej “verifikimi dhe filtrimi’ i tyre.

Mbas lufte, Qeveria Sovjetike u ndesh me një aspekt të ri të problemit të kolaboracionistëve. Në territorin e Gjermanisë ndodheshin miliona shtetas sovjetikë, (sipas dokumenteve të botuara, 4.2 milionë prej tyre janë kthyer në B. Sovjetik, 273 mijë nga të cilët u dërguan ne kampe përqendrimi) shumica dërmuese e të cilëve ishin dërguar atje me forcë, si fuqi punëtore ose si rob lufte. Por, krahas tyre kishte edhe prej atyre që kishin bashkëpunuar me pushtuesin dhe kishin ikur vullnetarisht bashkë me gjermanët. Megjithëse edhe sot e kësaj dite nuk ka shifra të sakta, shumica dërmuese e tyre, fillimisht u dërguan në kampe “verifikimi dhe filtrimi” siç quheshin kampet ngritura për këtë qëllim, ku u “verifikuan dhe u filtruan” miliona njerëz dhe ku shumica e kaluan provën me sukses. Megjithatë shumë prej tyre nuk u lejuan të ktheheshin në vendbanimet e tyre, por u dërguan me punë në rajone të tjera, për një afat gjashtë vjeçar.

Dënimi i kolaboracionistëve atje ka filluar pa mbaruar lufta. Në territoret e çliruara, u krijuan menjëherë gjykata speciale dhe ata që kapeshin, i nënshtroheshin gjykimit dhe dënimit të menjëhershëm. Madje ekzekutimet bëheshin publikisht. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet numri i saktë i të dënuarve në atë periudhë.

Por krahas qëndrimit të diferencuar ndaj kolaboracionistëve, që u gjykuan individualisht, gjatë kësaj periudhe, që në v.1943, Kremlini filloi deportimin e disa popujve, kombeve e kombësive me akuzën “bashkëpunëtorë të pushtuesit”, ose që nuk kishin shkuar në radhët e Ushtrisë Sovjetike, ose që kishin dezertuar, duke aplikuar dënim kolektiv. Kështu janë deportuar drejt Siberisë, Kazakistanit e Uzbekistanit kallmikët, çeçenët, ballkarët, karaçajevët, tatarët e Krimesë, gjermanët e Povollzhjes etj. Sipas të dhënave të autorëve rusë, janë deportuar 10 popuj, nga të cilët 367 mijë gjermanë nga Republika Autonome e gjermanëve të Povollzhjes, 70301 mijë karaçajevë, të gjithë çeçenët dhe ingushetët, 191044 tatarë të Krimesë e shumë të tjerë.

Një fakt për të cilin është folur pak në të kaluarën, që gjatë lufte, por edhe mbas saj, në rajonet e Ukrainës Perëndimore, në Lituani, Letoni, Estoni në disa rajone të Kaukazit etj. njësi të rregullta ushtarake të këtyre vendeve, organizuar nga gjermanët vazhdonin të luftonin kundër Ushtrisë së Kuqe. Kështu, vetëm në periudhën shkurt-tetor 1944 janë vrarë 44 mijë vetë prej tyre, janë zënë rob 37 mijë vetë, dhe janë internuar 100 mijë vetë. Gjatë vitit 1944 janë vrarë apo kapur rob 76 mijë vetë, ndërsa gjatë vitit 1945 janë vrarë 29 mijë vetë dhe janë kapur rob 36 mijë vetë.

Sipas të dhënave të institucioneve zyrtare ruse, të botuara mbas viteve 90-të, në periudhën 1945-1953 në B. Sovjetik janë arrestuar 164 mijë vetë të akuzuar si kolaboracionistë.

Në ndryshim me shumë vende të tjera ku personat që kalonin në anën e armikut dënoheshin me burgime të gjata deri në dënim me vdekje, udhëheqja sovjetike, për shumë arsye, për shumicën e kolaboracionistëve vendosi dënimin e tyre me gjashtë vjet internim në kampet e përqendrimit. Në fillim të v.1951 në këto kampe numëroheshin 355 mijë kolaboracionistë.

Në shtator të v.1955 Presidiumi i Sovjetit Suprem nxori dekretin “Mbi amnistinë e shtetasve sovjetikë që kishin bashkëpunuar me pushtuesit gjatë Luftës Patriotike 1941-1945”.

Studiues të ndryshëm japin të dhëna të ndryshme për dënimet e kolaboracionistëve sovjetikë, por të dhëna të sakta, sipas tyre, nuk mund të jepen sepse shumë dokumente e materiale të asaj periudhe mbahen akoma në arkiva të kyçura.

 

***

Me gjithë dënimet që u dhanë fillimisht, menjëherë mbas lufte, shumë njerëz në të gjithë Europën nuk ishin të kënaqur dhe i konsideronin ato tepër të zbutura. Në maj të vitit 1945 në Belgjikë shpërtheu një valë demonstratash, ku njerëzit kryenin vetëgjyqësi ndaj kolaboracionistëve, madje në mjaft raste fyenin edhe familjet e tyre. Në Danimarkë ku kolaboracionizmi nuk kish qenë aq i dukshëm, mbi 10 mijë vetë dolën në demonstrate duke kërkuar dënime me të ashpra, madje u organizua dhe një grevë e përgjithshme.

E dhimbshme ishte situata që u krijua mbas lufte për viktimat e pafajshme, fëmijët e lindur nga marrëdhëniet e gjermanëve me vendase. Sipas të dhënave të përafërta në Francë kanë lindur rreth 200 mijë fëmijë të tillë, në Norvegji 10-12 mijë, në territoret e pushtuara të B. Sovjetik rreth 100 mijë etj. Shumica e këtyre fëmijëve u poshtëruan në mënyrën më mizore. Për shembull, në Norvegji 90 për qind e tyre u shpallën me të meta mendore dhe i dërguan në çmendina, ku i kanë mbajtur deri në vitin 1960. Vetëm në vitin 2005 parlamenti skandinav u kërkoi falje zyrtarisht këtyre viktimave te pafajshme dhe vendosi për dëmshpërblimin e tyre. Në B. Sovjetik u dërguan në shtëpi fëmijësh ku ju ndërruan emrat dhe u fshehën prejardhjen…

Kjo ishte situata që u krijua në disa prej vendeve europiane menjëherë mbas lufte dhe qëndrimi ndaj kolaboracionistëve. Me kalimin e kohës gjërat gradualisht filluan të ndryshonin. Ra dufi e urrejtja për ta, e kryesorja ndaj familjeve, fëmijëve e pasardhësve të tyre, që nuk u përndoqën, nuk i tregoi kush me gisht si bijtë e kolaboracionistëve…

Por edhe fëmijët dhe trashëgimtarët e tyre u pajtuan me vlerësimin e përgjithshëm, heshtën, nuk u ndjenë dhe nuk tentuan t’u dilnin zot baballarëve e paraardhësve të tyre për veprimtarinë e tyre si kolaboracionistë…

Me kohë filloi të “harrohej” ky problem. Dukej sikur ai i përkiste historisë, e që nuk duhej marrë më me të. Atyre u vjen turp për të kaluarën dhe nuk duan ta kujtojnë dhe kryesorja, nuk merren me rehabilitimin e tyre, për më tepër me “heroizimin” e veprës së tyre tradhtare. /DITA

http://www.gazetadita.al/pjesa-ii-shaqir-vukaj-fundi-i-kolaboracionisteve-per-ata-qe-u-vjen-turp-per-te-kaluaren-dhe-nuk-duan-ta-kujtojne/

 

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.