Si u trajtuan pasardhësit e Isa Boletinit nga regjimi komunist?!

Hakmarrja e regjimit komunist ndaj familjes sonë filloi që në vitin 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto, vranë me atentat djalin e Isës dhe babanë tim Adem Boletinin. Si rezultat i politikës të ndjekur nga Beogradi dhe Tirana komuniste, që pas vrasjes së gjyshit në 1913, nga familja jonë u vranë apo ekzekutuan 15 vetë dhe dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime.
Hakmarrja e sllavo-komunistëve ndaj familjes së njohur të Isa Boletinit, filloi që në nëntorin e vitit 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto vranë me atentat babanë tim nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Vjenë
Pas kësaj si në Mitrovicë ku jetonte pjesa më e madhe e Boletinëve, ashtu edhe në Shqipëri, familja jonë u gjënd nën një persekucion të egër dhe barbar nga regjimet komuniste të Titos dhe të Enver Hoxhës. Nga ky represion i paparë që u ndoq ndaj djemëve, nipave dhe mbesave të Isa Boletinit, numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarëve nga familja jonë arriti në 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën për vite të tëra në burgjet e tmerrshme të Serbisë dhe Shqipërisë. Regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj familjes së Boletinëve ndoqi po atë politikë të cilën kishte ndjekur për shumë vjet regjimi komunist i Titos dhe si rezultat i kësaj vetëm në vitin 1962-in, Isa Boletinit iu akordua titulli i lartë i Heroit të Popullit. Edhe pas kësaj familja jonë vetëm një herë pati ftesë zyrtare për të shkuar në Vlorë në përvjetorët e ditës së ngritjes së Flamurit dhe në 1981 kur u inagurua monumenti i gjyshit tim Isa Boletinit në Shkodër, familjen tonë nuk e thirrën, duke na thanë se na kishin harruar;. Dëshmon, Isa Boletini, (nipi i Isa Boletinit) ish-mësues i Edukimit Fizik, Mjeshtër Sporti dhe arbitër ndërkombëtar i volejbollit, i cili rrëfen se si u trajtua familja e tij si nga regjimi komunist i Titos në Jugosllavi, ashtu dhe nga ai i Enver Hoxhës në Shqipëri. Po si filloi hakmarrja e regjimit komunist të Tiranës ndaj familjes së Isa Boletinit dhe kush ishin viktimat e asaj familje që u ekzekutuan, vranë, burgosën dhe internuan të nxitur politika zyrtare e Beogradit? Lidhur me këto e fakte të tjera nga historia tragjike e familjes Boletini, na njeh rrëfimi i nipit të tij Isa Boletinit të ri, i cili e ka ndjerë vetë mbi shpatullat e tij peshën e rëndë të dhunës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Leave a Comment

Your email address will not be published.