Punëtorët e arsimit, ata të shëndetësisë dhe ata të Policisë së Kosovës do të ulen nesër për të vendosur për masa të reja sindikale, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të shtyjë implementimin e Ligjit për paga.
Të dy sindikatat, ajo e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, i kanë thënë Kohës Ditore, se do t’i radikalizojnë veprimet, duke mos përjashtuar grevë në afat të pacaktuar.
Gjykata Kushtetuese e ka miratuar sot përkohësisht kërkesën e Avokatit të Popullit për pezullim të Ligjit për Paga. Sipas njoftimit për media, kjo masë do të zgjasë deri më 30 mars të vitit 2020.
Kërkesa për pezullim të Ligjit, në Kushtetuese ishte bërë pasi Avokati i Popullit ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruar kundër Ligjit për paga, duke përfshirë këtu edhe ankesat nga punëtorët në shëndetësi, arsim, polici dhe në shërbimin civil.
Por para këtij vendimi, sindikalistët e arsimit e të shëndetësisë kishin paralajmëruar greva për nesër.
Të gjithë punëtorët shëndetësorë, të premten nga ora 07:00 deri në ora 15:00 do të jenë në grevë dhe do të trajtojnë vetëm rastet emergjente, kishte marrë vendim dje Federata Sindikale e Shëndetësisë.
Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla, është shprehur më i ashpër në një prononcim në profilin e tij në Facebook, pasditen e së enjtes. Ka përmendur edhe mundësinë e trazirave sociale.
“Kjo është e tepërt. Bravo për varfërimin e mbi 60000 familjeve; Bravo për stimulimin e largimit të kuadrova nga Kosova; Bravo për shkatërrimin e arsimit, shëndetësisë dhe policisë; Bravo për avancimin e grupeve anti-shtet. Bravo për nxitje të trazirave sociale. Bravo për humbjen e shpresës tek fëmijët. A keni frikë nga Zoti dhe gjaku i atyre që ranë për këtë vend”, ka thënë Syla. “Publikisht po deklarohem se duke i kërkuar falje FAMILJES unë nuk do ndalem në asnjë mënyrë e JU ja ku më keni. Tani se bashku ecim. TURP TURP TURP. Ky shkrim nuk ka të bëj me pozitën time aktuale por veç se një mjek specialist me përvojë 26 vjeçare dhe një FAMILJE e cila ka dhënë shumë për këtë vend”, ka thënë ai.
Edhe Sindikata e arsimit ka paralajmëruar se të premten mund të ketë grevë dy orëshe në arsim me kërkesën që në fund të muajit të ju dalin pagat me rritje sipas ligjit për paga. Ky propozim është dhënë në mbledhjen e Këshillit drejtues të SBASHK-ut që është mbajtur sot. Vendimin pritet ta marrë nesër kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj.
Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli ka thënë se ende nuk kanë një vendim si do të veprojnë por që ka gjasa që nesër të mblidhet Këshilli dhe të dalin me një qëndrim.
Javën e kaluar Institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar ligjin për paga në Gjykatën Kushtetese pasi ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër këtij ligji.