Serbët në Kosovë po planifikojnë të fillojnë vetë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kështu ka raportuar sonte gazeta në Beograd “Blic”, e cila thotë se është planifikuar që shumë shpejt të mbahet një Kuvend i madh i serbëve në Kosovë, në të cilin do të vetëshpallet Asociacioni dhe do të krijohen organet e tij.
“Plani është që së shpejti të fillojë formimi i Asociaconit të Komunave Serbe dhe organeve të tij, dhe Dragisha Miloviq, mjek i shquar dhe ish-kryetar i Komunës së Zveçanit, do të propozohet për kryetar të parë ”, ka zbuluar bashkëbiseduesi i “Blic”.
Sipas këtyre burimeve në të cilat thirret “Blic”, selia e Asociacionit do të ishte në Mitrovicë të Veriut.
Burimi sqaron se ngjarjet e javëve të fundit kanë ndikuar në këtë vendim.
Gjithnjë sipas gazetës serbe, Asociacioni do të ketë Kuvendin, Presidentin, Këshillin dhe organet tjera.
– Kuvendi, si organi më i lartë, do të përbëhet nga përfaqësues të caktuar nga secili kuvend i komunave anëtare nga radhët e këshilltarëve të zgjedhur.
– Presidenti përfaqëson Komunitetin dhe asistohet nga nënkryetari. Kryetarin dhe nënkryetarin i zgjedh Kuvendi nga radhët e këshilltarëve të komunave anëtare dhe kryetarëve të tyre.
– Këshilli , i cili përbëhet nga maksimumi 30 anëtarë nga radhët e banorëve të komunave anëtare, duke përfshirë të gjithë kryetarët e komunave anëtare.
– Një komision i përbërë nga shtatë anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi nga radhët e kryetarëve të komunave dhe banorëve të komunave anëtare.
– Administrata, e drejtuar nga Shefi i Administratës.
– Zyra e Ankesave, e cila do të ketë mandatin të shqyrtojë ankesat në lidhje me objektivat.
Kujtojmë se Kosovës kohëve të fundit i është kërkuar nga ndërkombëtarët që të paraqes një draft statut të Asociacionit, por që kjo akoma nuk është bërë nga Qeveria e Kosovës.