Që nga 8 shkurti 42 persona janë testuar për shkak të dyshimeve se mund të kenë qenë të prekur me koronavirus në Kosovë, megjithatë asnjëri nga ta nuk ka rezultuar pozitivë me të. Nga Klinika Infektive është thënë për “Zërin” se që nga java e kaluar kanë pasur vazhdimisht raste të dyshuara me koronavirus dhe se kanë marrë të gjitha masat për t’u mbrojtur nga ai.
Ndërsa nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës është bërë e ditur se nga data 1 shkurt i këtij viti e deri më tre mars nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, si dhe nga pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1 mijë e 879 udhëtarë. Nga aeroporti “Adem Jashari” 327 udhëtarë, në Merdare 779 udhëtarë, në Vërmicë 599 udhëtarë, në Jarinjë 85 udhëtarë, në Dheu i Bardhë 40 udhëtarë, në Hani të Elezit 29 udhëtarë, në Kullë 7 udhëtarë, në Qafë të Morinës 7 udhëtarë dhe në Bërnjak 6 udhëtarë, shkruan Zëri.
Derisa në vend ende nuk janë shënuar raste me koronavirus, në shtetet tjera janë shënuar qindra mija të tilla. Vetëm në Itali numri i të infektuarve ka arritur në mbi 1 mijë e 600, ndërsa mbi 100 raste me koronavirus janë raportuar edhe në Gjermani.
Kërkohen kontrolle më të rrepta në pikat kufitare
Koronavirusi është bërë temë diskutimi përsëri në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi. Në këtë Komision gjatë ditës së djeshme u diskutua për masat, të cilat duhet të merren për mbrojtjen nga ai. Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se duhet të bëhen kontrolle më të rrepta në pikat kufitare. Ai ka propozuar që të shikohen nga afër se a qëndrojnë deklarimet për masat e marra për mbrojtjen nga koronavirusi. “Propozoj t’i shohim nga afër pikat kufitare për të parë nga afër masat që janë ndërmarrë në vendhyrjet në Kosovë, sepse sipas disa informacioneve nuk po bëhet ndonjë kontroll e detajuar dhe është rrezik potencial për përhapjen e koronavirusit”, ka thënë ai. Ndërsa anëtari tjetër i këtij Komisioni, Fitim Uka, është shprehur se është e pamundur që të bëhen kontrolle të rrepta nëpër pikat kufitare.
OBSH: Jemi në territor të paeksploruar
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) është shprehur se zyrtarët e shëndetit publik po veprojnë në territor të paeksploruar, pasi luftojnë përhapjen e koronavirusit, i cili ka infektuar më shumë se 90 mijë njerëz në 73 vende dhe territore që nga mbrëmja e së hënës. Virusi është përhapur në çdo kontinent përveç Antarktidës. Punëtorët e mjekësisë tani po luftojnë me grupe të shpërthimit vdekjeprurës të virusit në Korenë e Jugut, në Iran dhe në Itali. Ndërsa tashmë zyrtarët francezë i kanë mbyllur rreth 120 shkolla në zonat ku janë raportuar më së shumti raste të personave të infektuar me koronavirusin e ri. Ministri i arsimit, Jean-Michel Blanquer, paralajmëroi se ky numër mund të rritet në ditët në vijim. Deri më tani janë raportuar 172 vdekje nga koronavirusi jashtë territorit të Kinës, duke rritur kështu numrin global të vdekjeve në 3 mijë e 115