E frymëzuar nga Homeri që e shkroi “Iliadën”, poemën epike për Iliumin (Trojën), si edhe nga Virgjili, autori i “Eneidës”, autorja italiane Margherita Sarrochi (1560 – 1617) e shkroi “Skanderbeidën”, poemën e gjatë epike për betejat heroike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, mbretit të Epirit. Kjo vepër, e cila për herë të parë u botua më 1606 në Romë pati edhe tri botime të tjera pas vdekjes së autores, më 1623, më 1626 dhe përsëri më 1723, shkruan sot Koha Ditore.
Poezia epike me 7.568 vargje, të përfshira në 11 këngë dhe tri përmbyllje të shkurtra, sa pati varianti i parë i botuar, pësoi modifikime e shtesa në variantin e dytë (23 këngë), të cilin autorja i kishte plotësuar e rregulluar vetë, por e kishte lënë dorëshkrim, pasi nuk kishte arritur ta botonte sa qe gjallë. E njohur edhe si poema e parë epike që ka autore një grua, kjo vepër erdhi në duart tona pas punës së përkushtuar të Rinaldina Rusell, profesoreshës së gjuhëve dhe letërsive evropiane nga Universiteti i New Yorkut.
Ajo e përktheu nga italishtja e vjetër në anglisht, dhe e përgatiti për botim duke e pasuruar me një parathënie të gjatë studimore, e cila i paraprin kësaj vepre, që u botua më 2006 nga The University of Chicago Press, e titulluar “Scanderbeide – The Heroic Deeds of George Scanderbeg, the King of Epir” (Skenderbeida – Betejat heroike të Gjergj Skënderbeut, mbretit të Epirit).