Partitë politike edhe sot (e premte) deri në mesnatë kanë afat për të paraqitur programet e tyre dhe për të bindur qytetarët që t’ua japin votën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen me 14 shkurt.
Nesër, do të jetë heshtje zgjedhore. Subjektet politike patën kohë 10 ditë që të shpalosin programet e tyre. Ndonëse ishte kohe pandemie, tubimet u mbajtën në shumicën e rasteve duke mos u respektuar masat antiCovid.
Numri Qendrave të Votimit në të gjithë vendin është 888 me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.
Po ashtu, sipas listës përfundimtare të certifikuar u bë e ditur edhe për të dhënat e votuesve nga jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar suksesshëm gjatë periudhës së aplikimit (13 – 21 janar).
Gjatë periudhës së aplikimit, KQZ-ja ka pranuar gjithsej 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim. Pas vlerësimit të aplikacioneve janë aprovuar 102 mijë e 100 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 28 mijë e 68 aplikacione. Arsyet e refuzimit janë të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre, 15 mijë e 933 aplikues janë refuzuar për shkak se kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11 mijë e 164 aplikues janë refuzuar për shkak se nuk i kanë dëshmuar ose identitetin ose kriterin e zotësisë juridike dhe ose aplikacionet për regjistrim kanë qenë të panënshkruar.