Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë se po bën spastrim etnik në Luginën e Preshevës. Nëpërmjet një statusi në Facebook, Osmani, thotë se gjatë vetëm katër viteve të fundit, autoritetet serbe kanë fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civil në komunën e Medvegjës
”Në regjistrimin e vitit 2011 Medvegja numëronte 7438 banorë. Tani, ndonëse pa statistika zyrtare, supozohet se në Mdvegjë janë të regjistruar afërsisht vetëm 600 shqiptarë. Përgjatë viteve të fundit, Medvegja është vënë në shënjestër të politikës serbe, duke tentuar largimin përfundimtar të çdokujt që flet shqip në ato anë.
Gjatë vetëm katër viteve të fundit autoritetet serbe kanë fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civil në komunën e Medvegjës. Përmes ‘pasivizimit të adresave’ të vendbanimit, shteti serb ka bërë largimin përfundimtar të shqiptarëve nga regjistri civil i Serbisë, duke ua pamundësuar marrjen e dokumenteve të reja, të drejtën e qasjes në shërbime mjekësore ose asistencë sociale e madje edhe largim nga lista e votuesve, që pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje”, shkruan kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Një tjetër problem që vë në dukje kryeparlamentarja e Kosovës në pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi është edhe fakti se për një veprim të tillë shteti serb nuk lëshon fare një vendim me shkrim që dëshmon se ju është pasivizuar adresa.
Sipas Osmanit, me këto veprime të qëllimshme për të kryer spastrim etnik, Serbia nuk e meriton anëtarësimin në BE.
“Ky veprim nuk është i rastësishëm: ai synon t’i parandalojë qytetarët shqiptarë të ndërmarrin veprime ligjore kundër Serbisë për shkelje të të drejtave të tyre dhe diskriminim në baza etnike. Përveç në Medvegjë, pasivizimi i adresave është evidentuar edhe në dy komunat tjera me popullsi shqiptare, Bujanoc e Preshevë.
Ky fakt është i njohur, e madje i dokumentuar nga organizata të ndryshme që veprojnë në Serbi dhe jashtë saj. Përkundër thirrjes së shpeshtë për ndihmë nga veprimtarët dhe aktivistët shqiptar nga Medvegja, kërkesat e tyre mbeten të paadresuara. Republika e Kosovës nuk mund të heshtë më!
Adresimi i çështjes së lirive dhe të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të bëhet në të gjitha instancat, brenda dhe jashtë vendit. Ky nuk është thjeshtë një problem i izoluar: veprimet e shtetit serb karshi shqiptarëve të Luginës ngërthejnë në vete shkelje fondamentale të të drejtave të njeriut. Një shtet që aktivisht angazhohet në spastrim etnik, edhe pse me metoda të ‘sofistikuara’ siç është pasivizimi i adresave, nuk e meriton anëtarësimin në BE, përfundon Osmani