Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë, reagon fuqishëm SHBA: Irani sulmoi aleatin tonë, do të mbajë përgjegjësi për këtë incident

Shtëpia e Bardhë ka reaguar pas vendimit të qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhenieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje e sulmit kibernetik ndaj institucioneve publike në vend.

Përmes zëdhënëses, Adrienne Watson, Shtëpia e Bardhë mbështet vendimin e Shqipërisë ndaj Iranit, ndërsa thekson se dënon fuqishëm sulmin kibernetik ndaj institucioneve publike në Shqipëri.

Në deklaratë theksohet se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrë veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së dhe që krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike.

Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin kibernetik të Iranit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ne i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Rama që Irani të mbajë përgjegjësi për këtë incident të paprecedentë kibernetik. Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së dhe që krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike.

Për javë të tëra, qeveria amerikane ka qenë në terren duke punuar së bashku me partnerët e sektorit privat për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur, rikuperuar dhe hetuar sulmin kibernetik të 15 korrikut që shkatërroi të dhënat e qeverisë dhe ndërpreu shërbimet qeveritare për publikun. Ne kemi arritur në përfundimin se Qeveria e Iranit kreu këtë sulm kibernetik të pamatur dhe të papërgjegjshëm dhe se ajo është përgjegjëse për operacionet e mëvonshme të hakerave dhe rrjedhjeve.

Sjellja e Iranit shpërfill normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, e cila përfshin një normë për të përmbajtur nga dëmtimi i infrastrukturës kritike që ofron shërbime për publikun. Shqipëria i sheh rrjetet qeveritare të prekura si infrastrukturë kritike. Aktiviteti keqdashës kibernetik nga një shtet që dëmton qëllimisht infrastrukturën kritike ose në ndonjë mënyrë tjetër dëmton përdorimin dhe funksionimin e saj për të ofruar shërbime për publikun, mund të ketë efekte kaskaduese vendase, rajonale dhe globale; paraqesin një rrezik të lartë të dëmtimit të popullatës; dhe mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për korrigjimin afatgjatë dhe ftojmë partnerët dhe aleatët të bashkohen me ne për të mbajtur përgjegjës aktorët kibernetikë keqdashës dhe për të ndërtuar një të ardhme dixhitale të sigurt dhe elastike.”

Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar se Teherani ka qenë mbrapa ndonjë sulmi kibernetik ndaj faqeve të Qeverisë së Shqipërisë.

Shqipëria ka urdhëruar dëbimin e zyrtarëve iranianë nga shteti dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, duke thënë se hetimet kanë treguar se sulmet kibernetike të muajit korrik janë kryer nga Irani si “agresor shtetëror”.

“Ky është vendim i pamatur dhe i nxituar, që është bazuar në insinuata të pabazuara”, ka thënë Ministria e Jashtme iraniane.

Sipas ministrisë, vetë Irani ka qenë viktimë e sulmeve kiberbetike në infrastrukturë kritike.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se u ka dhënë afat prej 24 orësh të gjithë diplomatëve iranianë që të largohen nga shteti.

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit janë përkeqësuar ndjeshëm pasi autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) më 2013.

Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Shtëpia e Bardhë ka dënuar veprimet e dyshuara të Iranit dhe ka paralajmëruar për “veprime të mëtejme” për sulmin “e pashembullt” kibernetik ndaj aleates së NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara do të marrin veprime të mëtejme për të mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e aleates së NATO-s dhe vendosin precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, ka thënë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson përmes një deklarate.

Pas sulmit kibernetik të muajit korrik, Ambasada amerikane në Shqipëri pati ngritur alarm për një kërcënim të mundshëm, që është thënë se ka pasur cak një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim.

Ky samit ishte planifikuar të mbahej në Durrës më 23 dhe 24 korrik.

Samiti ishte paraparë të organizohej nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të dyja grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.

Leave a Comment

Your email address will not be published.