Në syzimin e tij “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Bekim Lumi ka ndërmarrë studimin krahasues të tragjedisë së William Shakespeare-it “Makbethi” në raport me kodin zakonor shqiptar “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që për shumëkënd mund të dukej diçka jo shumë e prekshme, kur kemi parasysh largësitë jo të vogla kohore, kulturore, etj., midis dy situatave. Një krijim dramatik krahasohet me një botë të përkufizuar brenda asaj që njihet si “Kanuni”, shkruan Koha Ditore.
Studimi i krahasuar i tekstit të Shakespeare-it dhe përpjekja për të përkapur domethëniet e veprimeve themelore të tragjedisë “Makbethi”, që mbështetej në një histori konkrete mbretërore mesjetare skoceze, me disa nocione themelore të atmosferës dhe të realiteteve që përkufizohen te “Kanuni i Lekë Dukagjinit” sikur mëtonte të nxirrte paralele midis dy botëve të ndryshme, por të një thelbi njerëzor. Bekim Lumi i ka hyrë, kështu, përmes krahasimit dhe përafrimit të këtyre dy botëve, rindërtimit të shtratit të përbashkët të natyrës njerëzore, të njatij “mysafiri të vonuar”, pra, jo gjenuin në kulturën tonë, dhe të pjesës së botës që shpreh “Kanuni”. Leximi paralel, i zbritur në shenjat minimale të asaj bote, ia bën të mundur atij të synojë rindërtimin e thelbit të raporteve njerëzore që ai kujton se mund të jenë tejkohore, paçka se në dukje të kohëve të largëta.
Nga bota e “Kanunit” ai na sjell në vëmendje rende si raporti midis mikut, mikpritjes dhe nderës e përkufizimeve të detajuara përmes formulash të vjetra si “shpija e Shqyptarit âsht e Zotit dhe e mikut”, apo “mikut do t’i bâhet nderë me bukë e krypë e zêmër”, të cilat shprehin të ngurtësuara jo vetëm raportet juridike, po më shumë se kaq, raportet njerëzore në kontaktet, shkëmbimet, frikët ekzistenciale, synimet e përtardhura.