Talebanët kanë filluar të hyjnë nga të gjitha anët në Kabul dhe janë pranë marrjes së kryeqytetit. “Reuters” duke cituar zyrtarë të NATO-s bën me dije se anëtarë të stafit të BE-së janë zhvendosur në një vend më të sigurt.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë nisur që të evakuojnë diplomatët nga ambasada e tyre me helikopter. Agjencia e lajmeve thotë gjithashtu se një zyrtar amerikan ka konfirmuar se më pak se 50 zyrtarë të ambasadës amerikane do të qëndrojnë, me një ekip kryesor që tani punon nga aeroporti i Kabulit.
Zyrtarët amerikanë thanë se diplomatët po transportoheshin në aeroport për t’u larguar nga vendi. Po ashtu bëhet me dije se po dërgohen dhe ushtarë për të bërë të mundur evakuimin e sa më shumë qytetarëve dhe të shmanget ndonjë tragjedi.
Qeveria e Presidentit Ashraf Ghani duket se është në ditët e saj të fundit dhe pritet që të japë dorëheqjen. Një zyrtar taleban i tha Reuters se grupi nuk donte viktima, ndaj ka bërë thirrje për dorëzim dhe armëpushim.