Masat e ndërmarra përfundojnë me 18 prill 2021 dhe më 19 prill duhen masa të reja për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, thotë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka konfirmuar se pas së dielës do të ketë lirim të masave.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka njoftuar se të hënën do të hapen lokalet e gastronomisë dhe qendrat tregtare, duke respektuar masat strikte kundër Covid-19.
Kjo është bërë me dije pas takimit të ministrit të MAPL-së, Elbert Krasniqi, dhe atij të Shëndetësisë, Arben Vitia, me kryetarët e komunave të Kosovës.
“Duhet ta kemi të qartë se situata në institucionet shëndetësore është mjaft alarmante sepse këto institucione janë të stërngarkuara më pacientë të infektuar më Covid-19 dhe hapësira e këtyre institucioneve afër limiteve. Masat e ndërmarra përfundojnë me 18 prill 2021 dhe më 19 prill duhen masa të reja për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19. Është shumë e rëndësishme që sot të diskutojmë bashkërisht që masat që do të hyjnë në fuqi të koordinohen së bashku me nivelin lokal dhe propozimet e juaja si kryetarë dhe përfaqësues të komunave janë shumë të rëndësishme”, ka njoftuar MAPL-ja.
Po ashtu, është bërë me dije se janë bërë grupe punuese me përfaqësuesit e gastronomëve për të punuar rreth qasjes dhe punës së këtij sektori në të ardhmen.
“Në anën tjetër kemi bërë grupe punuese me përfaqësuesit e gastronomeve për të punuar rreth qasjes dhe punës së sektorit të gastronomisë në të ardhmen dhe aktiviteti i tyre do të rifillojë nga data 19 prill 2021 duke respektuar në përpikëri masat për mbrojtjen e shëndetit publik. Si përfundim duhet theksohet se Republika e Kosovës i ka masat më liberale duke i krahasuar ato me masat e vendeve të rajonit dhe Evropës”, ka njoftuar MAPL-ja.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka konfirmuar se pas së dielës do të ketë lirim të masave.
Ibrahimi sqaroi se pas takimit që kanë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë rënë dakord që 90% e kërkesave të tyre ku përfshihet edhe heqja e orës policore dhe fillimi i punës për gastronominë dhe qendrat tregtare, të zbatohen mas 18 prillit.
“Në takim u dakorduam që 90% e rekomandimeve të kërkesave të komunave do të gjejnë vend në vendimin që do merren në zbutjen e masave. Ishte zotim i ministrit Vitija që do të përkthehen në vendim qeveritar këto rekomandime tonat. Një kërkesë tjetër që u parashtrua nga Asociacioni jonë ishte që para finalizimit të masave të reja anti-Covid edhe njëherë bordi i Asociacionit të komunave të konsultohet në mënyrë që të shihen modalitetet më të mira për zbatimin e masave”, tha Ibrahimi për Ekonomia Online.
Ai thotë se çdo lirim i masave duhet që të shoqërohet edhe me kujdes të shtuar si nga institucione dhe qytetarët, por edhe me monitorim nga Instituti, Kombëtar i Shëndetit, Publik.
“Është kërkuar në detaje çdo kërkesë e Asociacionit, e përkrahur nga kryetarët e komunave sepse i kemi elaboruar në detaje në bazë të praktikave që janë duke ndodhur në nivelin lokal dhe kryetarët kanë kërkuar që tu kushtohet kujdes edhe zhvillimit ekonomik-lokal sepse ajo po ka impakt në zhvillimin e qëndrueshëm të komunave. Shpresojmë dhe besojmë që do kemi një liberalizim të masave sa ishin deri më tani, mirëpo në përputhje me kërkesat e Institutit Kombëtar Publik”, theksoi ai.
Ibrahimi ka garantuar se kryetarët e komunave janë zotuar se do të bashkëpunojnë me nivelin qendror sa i përket respektimit të masave.
“Ishte një takim konstruktiv dhe konsultativ me kryetarët e komunave, dhe besojmë që një frymë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Të gjithë kryetarët e komunave u shprehën të gatshëm për një bashkëpunim korrekt me nivelin qendrorë. U pa shumë mirë që zbatimi i masave ndodh në nivelin lokal dhe për këtë arsye një bashkëpunim i sinqertë mes nivelit qendrorë dhe lokal duhet të ndodh edhe në të ardhmen”, përfundoi ai