Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova pret të përmirësohet padrejtësia që po bëhet lidhur me regjimin për viza.
“E uroj Kroacinë për marrjen e kryesimit të radhës të Këshillit të BE-së. Zagrebi është zëri i Ballkanit në Bruksel, prandaj i mirëpresim këta gjashtë muaj të ardhshëm. Zotimi i Kroacisë për të organizuar Samitin e Zagrebit në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është një mundësi tjetër për të konfirmuar përkushtimin e tërë rajonit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”, shkruan Thaçi në facebook.
Thaçi, tutje thekson se “si Kosovë presim që edhe më zëshëm të kërkohet të përmirësohet padrejtësia që po na bëhet, duke mos marrë vendimin e merituar për heqjen e regjimit të vizave”.
“Marrëdhënia me BE-në duhet të ndërtohet mbi besim dhe respekt të ndërsjellë. Ky pres të jetë mesazhi i Kroacisë për BE-në në këta muaj të kryesimit të Këshillit”, ka përfunduar Thaçi.
Kroacia nga data 1 janar 2020 do të kryesojë presidencën e BE-së duke pasuar Finlandën.
Vendi më i ri anëtar që nga viti 2013, do të kryesojë presidencën e Këshillit të BE-së për herë të parë.
Kujtojmë se 2019-a është vlerësuar vazhdimisht si vit i cili duhet harruar sa u përket politikave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Qytetarët e Kosovës janë shprehur optimistë për liberalizimin pasi Kroacia mori kryesimin e BE-së.