Gjykata Speciale ka njoftuar se më 9 nëntor në orën 15:00, do të mbahet paraqitja e parë e Hashim Thaçit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
“Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale. Aktakuza e redaktuar publike mund të lexohet këtu.”, thuhet në njoftimin për media.
Paraqitja e parë e Hashim Thaçit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij. Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet.
Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.
Ndryshe, dje ish-presidentit Hashim Thaçi i është konfirmuar aktakuza nga ana e Gjykatës Speciale. Në një konferencë për media, Thaçi bëri të ditur edhe për dorëheqjen e tij nga posti i presidentit pasi siç u shpreh ai “s’do të lejojë në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës, unë sot jam dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës”