Tre investitorë në garë për hotelin Grand

Paqartësitë rreth hotelit Grand në Prishtina po vazhdojnë edhe pas 14 vjetësh që kur se ishte privatizuar, si pjesë e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. I privatizuar në vitin 2006 në një vlerë prej mbi 8 milionë euro, kontratat obligonte blerësin që të bënte investime në vlerë prej mbi 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë.

Hoteli Grand, që gjendet në qendër të Prishtinës, dikur ishte ikonë e kryeqytetit. Por, tashmë ai ka humbur shkëlqimin dhe ngadalë po shkatërrohet si pasojë e moskujdesjes.

Ky hotel dështoi të privatizohej dhe sot ka mbetur nën mëshirën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Paqartësitë rreth Hotelit Grand po vazhdojnë edhe pas 14 vjetësh që kur se ishte privatizuar.

Mirëpo, shpresa që ky Hotel të kthehet në gjendje të mirë ende nuk janë shuar.

Këto ditë kanë dal në skenë edhe disa investitorë potencialë që kanë hyrë në garë për “ikonën” e Prishtinës.

Ministri e Tregtisë dhe Industrisë ka njoftuar se janë paraqitur tre investitorë të mundshëm strategjikë për “Hotelin Grand” në Prishtinë. Në anën tjetër votimi i Grupit Operacional për shqyrtimin e aplikimeve të këtyre investitorëve u shty për javën e ardhshme.

“Kryesuesi i grupit operacional për subjektin aplikues “Unitas Energy AG” SH bëri të ditur se kjo kompani ka kërkuar afat shtesë deri në kompletimin e dokumentacionit. Në këtë takim u votua, me një vërejtje, grupi operacional për subjektin aplikues “Moxico Luma Kosovo Mining” LLC”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu, Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike vendosi për formimit e Grupit Operacional për sektorin e bujqësisë “KBI Ereniku”, në Gjakovë për subjektin aplikues “Abrazen” LLC, vlera e të cilit arrin shifrën 16 milionë euro.

Gjithashtu, Komisioni ndërministror sipas njoftimit i dha dritën e gjelbër edhe formimit të Grupit Operacional lidhur me sektorin e energjisë në Vushtrri. Subjekti aplikues “Cicavica Wind Farm 1 LLC” synon të investojë në këtë komunë 1 milion e 620 mijë euro në sektorin e energjisë me erë.

“Në këtë takim nuk u votua Komisioni operacional për subjektin aplikues “Nixone Energy Group” SHPK, që synon të investojë 62 milionë euro në sektorin e energjisë në komunën e Suharekës. Po ashtu u votua formimi i Grupit operacional për sektorin e bujqësisë, për subjektin “Frutex SHPK”, që synon të investojë në vlerë prej 12 milionë eurosh”, thuhet në njoftim.

Ekipet operacionale sipas njoftimit do t’i analizojnë dhe shqyrtojnë aplikacionet e investitorëve potencialë në mënyrë profesionale dhe pastaj komisioni ndërministror do t’i përcjellë në kryeministri.

Pacolli e Berisha nuk heqin dorë nga Grandi

Grand Hotel Prishtina ishte shitur për 8 milionë euro me kusht që aty të investohen rreth 20 milionë euro, por për shkak të mospërmbushjes së obligimeve, ai iu mor privatizuesit.

Por, mosrealizimi i zotimeve nga ana e blerësit thuhet se bëri që kjo ndërmarrje shoqërore të hynte në paqartësi në mes blerësit të Hotelit Grandit, Zylqif Berisha pronar i kompanisë NTP ‘Unio Commerce’ dhe AKP-së.

Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2012 tërhoqi aksionet në ndërmarrjen e re Grand Hotel dhe ktheu këtë ndërmarrje nën administrimin e vet.

Kjo tërheqje e aksioneve nga blerësi i këtij hoteli konsiderohej si e padrejtë.

“Në kohën kur më kanë larguar nga Hotel Grandi (viti 2012) dhe atë e kanë bërë me polici, unë e kam kuptuar se më është ndërruar fleta poseduese nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe është bërë bartja e pronësisë së Hotel Grandit nga ‘NTP Unio Commerce’, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, kishte thënë Berisha.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit patën treguar se me Hotelin Grand, të gjitha procedurat gjyqësore lidhur me këtë veprim ligjor të AKP-së kanë përfunduar me vendime gjyqësore përfundimtare në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Por, procesi gjyqësor rreth Hotelit Grand është duke vazhduar.

Grand Hotel, sipas AKP-së, në vitin 2012 ishte trashëguar nga ish-blerësi në kushte jo të mira infrastrukturore dhe financiare.

Por, ky hotel, krahasuar me të kaluarën është pothuajse jashtë veprimtarisë për të cilën ishte destinuar në kohën kur u ndërtua 40 vjet më parë, në vitin 1978.

Aktualisht, në hapësirat e Hotelit Grand operojnë biznese të ndryshme, duke filluar nga shtëpi mediale, zyra për shërbime të ndryshme ligjore, të kontabilitetit, organizata të huaja, aparate bankare, hapësira reklamuese, shërbime medicinale.

Nga rreth 800 punëtorë sa numëronte Hoteli Grand në fillim të veprimtarisë së tij, aktualisht ka vetëm 80 punëtorë.

Grand Hotel ishte inauguruar më 25 prill të vitit 1978. Ai ka një sipërfaqe nga përafërsisht 32.000 m2. Hoteli ka 202 dhoma me një shtrat, 142 dhoma me dy shtretër, 9 dhoma me tre shtretër, 9 apartamente dhe 2 rezidenca.

Hoteli është i pajisur me objekte tjera: restaurant, tavernë, kafe bar, bar i natës si dhe salla për konferenca.

Behgjet Pacolli ka vite që e llogarit si pronë të tij “Hotel Grand”-in, ani pse Gjykatat e vendit nuk e njohin si blerës.

Vitin e kaluar në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Behgjet Pacolli, Hotel Grandin e ka futur në listën e pasurive të paluajtshme të tij.

Në bazë të deklarimeve të Pacollit, vlera e Hotelit dikur më me nam në Prishtinë, llogaritet të jetë 3 milionë e 630 mijë euro.

Hoteli Grand aktualisht është në proces të likuidimit. Që nga marrja nën kontroll të drejtpërdrejt të ‘Hotel Grandit’ nga AKP dhe përfshirja e saj në likuidim./Monitor.al,Fatos Shala, Prishtinë

Leave a Comment

Your email address will not be published.