Tre policë të Kosovës dyshohet të jenë kidnapuar të mërkurën në mesditë nga forca serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, kidnapimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.
Sipas njoftimit, tre policët që ishin në detyrë në këtë pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur. Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur vetura zyrtare, por jo edhe policët.
“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe. Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në mediat në Serbi është raportuar më herët “për arrestim” të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Mediat në Serbi kanë publikuar fotografi për të cilat thonë se janë tre policët e Kosovës, që të mërkurën, sipas Policisë së Kosovës, janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të vendit.
Kurti: Hyrja e forcave serbe në Kosovë, agresion dhe synim për destabilizim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim, kidnapimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit nga forcat serbe.
Në një reagim në Facebook, Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve. Ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët të dënojnë aktin e Serbisë.
“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kosova ndalon hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia
Qeveria e Kosovës ka vendosur që asnjë mall nga Serbia nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë. Kjo ka ardhur pas kidnapimit të tre policëve kufitarë në veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përveç agresion ky është edhe synim për destabilizim.
Për këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla të cilët kanë kërkuar nga organet ndërkombëtare lirimin e menjëhershëm të tyre.
Policia e Kosovës do të mbajë konferencë për media në orën 17:00.
Media e afërt me Vuçiqin publikon identitetin e 3 policëve të Kosovës që u kidnapuan në veri
Tre pjesëtarë të Policisë Kufitare të Kosovës, janë kidnapuar sot në territorin e Kosovës, në afërsi të Leposaviqit në rrugë ilegale.
Siç ka marrë vesh mediumi i afër me Vuçiqin, “Novosti”, bëhet fjalë për Rifat Zekën, Beqir Sefën dhe Mustafa Shemin.
Hapšenje Kurtijevih specijalaca pic.twitter.com/Iz3wCR0gfC
— Arsil (@arsagarson) June 14, 2023