Lufta Rusi-Ukrainë, pararojë e një rendi të ri botëror autoritar

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara ishin një fanar i demokracisë. Ajo mund ta përmbushë edhe një herë atë rol, por jo domosdoshmërisht vetëm me tanke dhe avionë, por duke prodhuar energji. Evropa ka nevojë për një burim të qëndrueshëm energjie për t’i shpëtuar shantazhit të Putinit. Në veçanti Kina, është shumë e ndjeshme ndaj çështjeve të energjisë, por edhe ato të ushqimit.

Nga Robert Maginnis/ “Fox News”

Tiranët në Moskë dhe Pekin po tentojnë që ta transformojnë rendin botëror liberal të pas Luftës së Ftohtë, në favor të atij që dominohet prej tyre në vendet ku mbizotëron diktatura dhe korrupsioni. Lufta aktuale në Ukrainë, është një shembull paraprak i asaj “bote” të re, dhe mund ta çojë botën në prag të një lufte bërthamore.

Udhëheqësit perëndimorë duken të hutuar nga lufta e presidentit rus Vladimir Putin. Udhëheqësi autoritar i Kremlinit mobilizoi një numër të madh trupash në kufi, krijoi pretekstin për një sulm, dhe hyri në Ukrainë duke premtuar se do ta çmilitarizojë dhe de-nazifikojë atë; një sjellje tipike e manualit të Josif Stalinit.

Më pas Putini e paralajmëroi Perëndimin që të mos e kërcënojë, pasi “përgjigja e Rusisë do të jetë e menjëhershme dhe do të sjellë pasoja (ndoshta bërthamore), që nuk i keni hasur kurrë në historinë tuaj”.Putin i përshkallëzoi kërcënimet të dielën kur urdhëroi vendosjen në gatishmëri të lartë të forcave bërthamore ruse, një lëvizje kjo që mund të përshkallëzohet në një luftë bërthamore.

Lideri autoritar rus ia atribuoi përshkallëzimin e masave “deklaratave agresive ndaj vendit tonë” nga fuqitë e NATO-s dhe sanksionet financiare të Perëndimit kundër Moskës dhe oligarkëve rusë. Pushtimi i Ukrainës është një zile alarmi për një rend të ri botëror që po vjen, dhe sidomos për kërcënimin bërthamor të Putinit.

Mjerisht, klasa jonë politike këtu në SHBA duket e painformuar si duhet rreth sulmit të Putinit në Ukrainë, dhe veçanërisht kasaphanës që po ndodh në rrugët e Kievit. Po, Putini ka të ngjarë të arrijë ta pushtojë atë vend pa marrë parasysh kostot, pasi ai ka aftësi ushtarake shumë të mëdha, dhe Perëndimi nuk ka gjasa të ndihmojë sepse Putini do t’ua ndërpresë gazin ose mund të sulmojë me raketat hipersonike me mbushje bërthamore nga enklava ruse në Baltik, Kaliningrad.

Ndërkohë, nëse dështon për momentin në Ukrainë, Putini do të bëjë çdo përpjekje për të rimarrë ish-vendete Traktatit të Varshavës, duke filluar nga Baltiku. Situata është shumë e qartë. Lufta në Ukrainë nuk do të kishte nisur nëse Putin nuk do të kishte miratimin e heshtur të mikut të tij, presidentit kinez, Xi Jinping.

Mos harroni se ata u takuan më 4 shkurt në fillimin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke premtuar mbështetje reciproke, pra atë që disa analistë e quajnë tani si një aleancë të re midis fuqive autoritare, një jehonë e Fuqive të Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dy tiranëve u është sosur durimi me rendi botëror pro-perëndimor, me vlerat dhe institucionet e tij liberale. Ata synojnë ta rrëzojnë atë për të krijuar një rend të ri sipas dëshirës së tyre. Dhe kjo i përshtatet ambicieve kineze. Mbretëria e Mesme që daton që3500 vjet më parë, sundoi Kinën deri në fillimin e shekullit XX-të nëpërmjet 15 dinastive.

Që nga viti 1949, pas një lufte të egër civile dhe pushtimit nga japonezët, komunistët sollën leninizmin në mesin e asaj popullsie të madhe. Kinezët i kujtojnë vazhdimisht vetes poshtërimet e përjetuara nga evropianët gjatë shekullit XIX-të, por e mirëpritën Riçard Niksonin në vitin 1972 si dhe komunitetin global të kombeve.

Më pas Bill Klinton u garantoi anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë, një akt që tani e ka bërë Kinën shumë të pasur. Tani, regjimi kinez po rikthehet në origjinë, ashtu si edhe Putin:jashtë me rendin liberal dhe brenda menjë rend autoritar sipas imazhit të tij.

Udhëheqësi komunist Xi Jinping është shumë i ngjashëm me Putinin. Lideri kinez refuzon gati çdo gjë që ka lidhje me perëndimin:ai shpërfill ligjet tona, manipulon zgjedhjet tona, grabit korporatat tona nga pronësia e tyre intelektuale, vjedh atë që nuk mund të blejë, dhe kërcënon ose vret ata që nuk i respektojnë mandatet e regjimit të tij.

Xi ndoshta është edhe më i keq se Mao Ce Dun, i cili gjatë sundimit të tij thuhet se vrau 45 milionë kinezë. Ne duhet t’i kuptojmë këta njerëz, sidomos historinë e tyre. Përdorimi i imazheve perandorake ruse nga Putini në fjalimet e tij, sugjeron se ai synon të shkojë përtej Bashkimit Sovjetik, për të rikrijuar perandorinë cariste.

 

Ndaj lindi një “inat”i fortë kulturor që hodhi rrënjë të thella. Këtu ekziston një precedent historik, një leksion që u shpërfill hapur nga Perëndimi. Lufta e Parë Botërore përfundoi me Traktatin e Versajës, i cili i poshtëroi gjermanët e mundur.

Traktati e detyroi Gjermaninë të pranonte klauzolën e fajit të luftës dhe përgjegjësinë totale për atë luftë, si dhe t’u paguante aleatëve dëmshpërblime. Por ashtu ajo e shkatërroi Wehrmacht-in, ushtrinë gjermane. Ai poshtërim çoi më pas në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.

Pas asaj lufte populli gjerman ishte shumë i shqetësuar,dhe ekonomia e tyre ishte në krizë të plotë. Ata ishin gati ta pranonin ndihmën, por nga aleatët nuk pati asgjë të tillë. Prandaj u ngjit në pushtet një nacionalisti si Adolf Hitleri, që nxiti hiper-nacionalizmin, e rindërtoi me shpejtësi ekonominë dhe ushtrinë gjermane, dhe më pas e përdori fuqinë e sapo-gjetur kundër pjesës tjetër të Evropës.

Si Putin po ashtu edhe Xi janë si Hitleri, në aspektin që janë të zemëruar me Perëndimin dhe janë shumë ambiciozë. Ata po e përdorin nacionalizmin për të ringjallur madhështinë e dikurshme të vendeve të tyre. Tani dallimi përkundrejt Luftës së Dytë Botërore, është se Moska dhe Pekini kanë së bashku shumë energji, njerëz, teknologji dhe para.

Ata mund të shkatërrojnë rendin e vjetër dhe të ndërtojnë një rend botëror sipas imazhit të tyre autoritar. Po Perëndimi çfarë duhet të bëjë? Ai duhet të gjejë mënyrën për të ulur tensionet, dhe veçanërisht mundësinë e një lufte bërthamore.

Megjithatë, është e qartë se rendi ynë botëror po ndryshon, dhe kjo do të thotë se Perëndimi duhet të ndërmarrë të paktën tre hapa të rëndësishëm, duke qenë shumë vigjilent ndaj zhvillimeve të mëtejshme.

Së pari, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara ishin një fanar i demokracisë. Ajo mund ta përmbushë edhe një herë atë rol, por jo domosdoshmërisht vetëm me tanke dhe avionë, por duke prodhuar energji. Evropa ka nevojë për një burim të qëndrueshëm energjie për t’i shpëtuar shantazhit të Putinit. Në veçanti Kina, është shumë e ndjeshme ndaj çështjeve të energjisë, por edhe ato të ushqimit.

Së dyti, Perëndimi duhet ta pranojë se Putin dhe Xi janë thelbësisht kundër parimeve të tij. Fjala është për një luftë civilizimesh, diçka e ngjashme me “Përplasjen e qytetërimeve” të Samuel Hantingtonit. Nuk bëhet fjalë për ideologji, por për botëkuptime të kundërta, dhe kundërvënie të vlerave liberale përkundrejt atyre autoritare. Perëndimi duhet të kundërshtojë në mënyrë agresive sjelljen keqdashëse ruse dhe kineze, si dhe të ndëshkojë shkeljet e tyre të vazhdueshme.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara në bashkëpunim me NATO-n, duhet të transferojnë asete ushtarake shtesë në Evropë, dhe sidomos në Poloni, Rumani dhe Baltik. Si Putin po ashtu dhe Xi duhet ta kuptojnë se SHBA dhe aleatët e saj janë të vendosur ta kundërshtojnë këtë sulm ndaj rendit global.

Gjithashtu ne duhet të ndërtojmë baza të reja në Azi, për të kundërshtuar me vendosmëri çdo ambicie aventureske të kinezëve atje. Aleanca djallëzore e Putinit dhe Xi, do të përpiqet ta shkatërrojë rendin tonë botëror liberal dhe ta shndërrojë atë në një rend të sunduar nga liderë autoritarë që pushtojnë sipas dëshirës vende sovrane si Ukraina apo Tajvani, dhe imponojnë mënyrat e tyre drakoniane, duke na grabitur të gjitha liritë tona.

Shënim:Robert Maginnis, oficer në pension i ushtrisë amerikane, dhe analist ushtarak mbi Rusinë dhe Ukrainën me përvojë në terren.

Leave a Comment

Your email address will not be published.