Ukraina në prag të agresionit nga Rusia

Rusia ka mbledhur rreth 70% të kapacitetit ushtarak të nevojshëm për një pushtim të plotë të Ukrainës në javët e ardhshme, thonë zyrtarët amerikanë. Toka pritet të ngrijë dhe ngurtësohet nga mesi i shkurtit, duke i mundësuar Moskës të sjellë më shumë pajisje të rënda, thanë zyrtarët e paidentifikuar.

Rusia thuhet se ka më shumë se 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, por mohon të planifikojë të sulmojë. Zyrtarët amerikanë nuk dhanë prova për vlerësimin e tyre. Ata thanë se informacioni bazohej në inteligjencë, por se nuk ishin në gjendje të jepnin detaje për shkak të ndjeshmërisë së tij, raportojnë mediat amerikane.

Zyrtarët thanë gjithashtu se nuk e dinin nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte vendosur të ndërmerrte një hap të tillë, duke shtuar se një zgjidhje diplomatike ishte ende e mundur. Duke folur në kushte anonimiteti, dy zyrtarë amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se kushtet e motit do të ofrojnë një dritare maksimale për Rusinë që të çojë përpara pajisjet midis 15 shkurtit dhe fundit të marsit.

Sipas raportimeve, zyrtarët paralajmëruan se një pushtim rus i Ukrainës mund të shkaktojë deri në 50,000 vdekje civile. Ata vlerësuan gjithashtu se një sulm mund të bëjë që kryeqyteti ukrainas, Kiev, të bjerë brenda disa ditësh dhe të shkaktojë një krizë refugjatësh në Evropë ndërsa miliona njerëz largohen.

Trupa shtesë amerikane kanë mbërritur në Poloni si pjesë e një dislokimi të ri për të forcuar forcat e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s në rajon.

Grupi i parë zbarkoi në Rzeszow në juglindje të vendit të shtunën. Administrata Biden njoftoi ditë më parë se do të dërgonte rreth 3000 trupa shtesë në Evropën Lindore.

Moska thotë se trupat e saj janë në rajon për stërvitje ushtarake, por Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë mbeten të shqetësuar se Kremlini po planifikon të nisë një sulm.

Tensionet vijnë gati tetë vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në rajonin lindor të Donbasit.

Moska akuzon qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e marrëveshjes së Minskut – një marrëveshje ndërkombëtare për të rivendosur paqen në lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit dhe të paktën 14,000 njerëz janë vrarë që nga viti 2014.

Rusia po këmbëngul që Ukraina nuk duhet të lejohet të bashkohet me NATO-n.  Rivaliteti midis Rusisë dhe SHBA-ve, të cilat ende zotërojnë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë, daton që nga Lufta e Ftohtë. Ukraina ishte atëherë një pjesë vendimtare e Bashkimit Sovjetik komunist.
Mes retorikës së ashpër të konfliktit dhe provokimeve të Perëndimit dhe Rusisë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i ka kërkuar të shtunën SHBA “të shfaqë provat” që ka për pretendimet se “Rusia do të pushtojë vendin e tij të mërkurën”.

Në një linjë të ngjashme me Ukrainën, edhe Moska ka vijuar sonte akuzat ndaj Perëndimit duke thënë se “po kërkojnë të provokojnë luftë me çdo kusht”, shkruan rrjeti britanik “Daily Mail”.

Planet e pushtimit të supozuar, u raportuan fillimisht nga e përditshmja gjermane Der Spiegel, e cila detajonte rrugët specifike që mund të merren nga njësitë ruse, të cilat ishin analizuar nga CIA e Pentagoni, para se të prezantoheshin te presidenti Joe Biden.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken mbajti sot një telefonatë me homologun rus Sergei Lavrov për krizën, pasi “planet e detajuara” shtuan më shumë frikën dhe alarmin për luftë në Evropën lindore.

Ai tha se kishte paralajmëruar Lavrov se “agresioni nga Moska do të pritej me sanksione të forta, të vendosura dhe një kundërpërgjigje transatlantike”.
Ndërsa presidenti Zelensky i tha sot haptazi SHBA: “Nëse keni informacion 100 përqind të sigurtë se Rusia do të sulmojë Ukrainën, ju lutem na e jepni edhe ne”.

Ai shtoi se e kuptonte se rreziqe të tilla ekzistojnë dhe se vendi i tij është i gatshëm të marrë çdo masë të nevojshme.
Ndërkohë mijëra britanikë, amerikanë e qytetarë evropianë janë urdhëruar të largohen nga Ukraina pasi “në rast të një sulmi nga Rusia nuk do të ketë evakuime ushtarake”.

Zhvillimi vjen teksa ministria ukrainase e mbrojtjes raportonte shtatë incidente të shkeljes së armëpushimit në zonën rebele të Donetsk në 24 orët e fundit, duke akuzuar se forcat pro-ruse kishin hapur zjarr pranë Pisky. Mediat perëndimore thonë se tensionet mund të përshkallëzohen të dielën kur nis faza e zjarrit në manovrat ushtarake ruse në detin e Zi dhe Detin Azov.

Manovrat do të zgjasin një javë, gjatë të cilave do të bllokohen rruget detare tregtare në detin Azov dhe ngushticen Kersh mes Rusisë e Krimesë.  Zëdhënësi i Kremlinit,Dmitry Peskov tha se manovrat detare ruse janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar detar, por mbikqyrësit e NATO-s thanë se kjo nuk përjashton mundësinë e një “sulmi amfib ndaj Ukrainës”.

Ambasada Amerikane në Tiranë, ka shpërndarë në rrjetet sociale thirrjen e publikuar më herët nga SHBA,  ku i bën apel të gjithë qytetarëve amerikanë që ende janë në Ukrainë të largohen menjëherë.  Këshilltari Amerikan i Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë Jake Sullivan, ka bërë thirrje urgjente për largim nga Ukraina në një afat jo më shumë se 24 apo 48 orë.

Postimi i ambasadës Amerikane:

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan: “Ne nxisim të gjithë qytetarët amerikanë që janë ende në Ukrainë të largohen menjëherë. Ne duam të jemi të qartë në këtë pikë – çdo amerikan në Ukrainë duhet të largohet sa më shpejt që të jetë e mundur në 24-48 orët e ardhshme”.

Telefonata 62 minutëshe/ Biden-Putinit: SHBA kosto të rënda Rusisë nëse Ukraina pushtohet

Janë zbardhur detajet e bisedës disa minutëshe mes Presidentit të SHBA Joe Biden dhe liderit rus Valdimir Putin. Gjatë bisedës telefonike të presidentit amerikan Biden me presidentin rus Vladimir Putin, Shtëpia e Bardhë thotë se Biden “e kishte të qartë se, nëse Rusia ndërmerr një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët dhe partnerët do të përgjigjen me vendosmëri dhe do të imponojnë kosto të shpejta dhe të rënda për Rusia.”

Telefonata e Biden me Putinin zgjati pak më shumë se një orë.

“Presidenti Biden përsëriti se një pushtim i mëtejshëm rus i Ukrainës do të prodhonte vuajtje të gjerë njerëzore dhe do të zvogëlonte pozitën e Rusisë,” thotë Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se Biden “e kishte të qartë me Presidentin Putin se ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten të përgatitura për t’u angazhuar në diplomaci, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët , dhe se janë po aq të përgatitur për skenarë të tjerë”.

Sipas AP, Putin dëshironte që biseda telefonike të bëhej të hënën, por ajo u vendos për sot, pas këmbënguljes nga pala amerikane, duke pasur parasysh se shërbimet e inteligjencës amerikane kanë dhënë informacione se së shpejti Rusia mund të pushtojë Ukrainën.

Më herët, Putin foli me presidentin francez Emanuel Macron dhe të premten, Biden zhvilloi një bisedë virtuale me aleatët më të rëndësishëm të NATO-s dhe Bashkimin Evropian.

“Paralajmërimi për sulmin rus ndaj Ukrainës”, Lavrov zhvillon një bisede telefonike të tensionuar me Blinken

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Anthony Blinken.

Lavrov akuzoi Shtetet e Bashkuara se duan të provokojnë një konflikt në Ukrainë me akuzat e tyre për një ndërhyrje të mundshme dhe të afërt ruse.

“Fushata propagandistike e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj mbi një sulm rus ndaj Ukrainës synon të provokojë autoritetet e Kievit që të përdorin një zgjidhje ushtarake të problemit të Donbasit, rajoni i Ukrainës Lindore, në kufirin me Rusinë, ku forcat ukrainase kanë luftuar me separatistët pro-rusë për tetë vjet, mbështetet nga Moska”, thuhet në deklaratë.

Në të njëjtën kohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken siguroi se rruga diplomatike mbetet e hapur për të shmangur një konflikt në Ukrainë, por se do të ishte i nevojshëm një de-përshkallëzimi nga ana e Moskës, gjatë bisedës telefonike të sotme me të, i tha Blinken homologut të tij rus, sipas Departamentit të Shtetit.

“Një pushtim i Ukrainës, të cilin Rusia akuzohet se po e përgatit , “do të çonte në një përgjigje vendimtare, masive dhe të bashkuar transatlantike,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.

Kërcënimi rus për pushtim të Ukrainës ka shkaktuar reagime shqetësuese pothuajse tek të gjitha vendet dhe jo vetëm në SHBA, të cilat dhanë alarmin dhe zhvendosen mijëra ushtarë me hipotezën, sipas tyre konkrete, të një pushtimi.

Çuditërisht, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbajtur një qëndrim në dukje të qetë, ditët e fundit, ai është përpjekur të qetësojë ujërat dhe të ulë frikën ndaj një pushtimi rus, madje duke kritikuar qeveritë perëndimore për alarmin e ngritur.

Qëndrimi i Zelenskyt vjen në përputhje me mënyrën se si ai i ka menaxhuar tensionet me Rusinë deri më tani, por orët e fundit e kanë vendosur atë në një pozitë të vështirë. Ai duhet të balancojë përshkallëzimin e tensioneve edhe ndaj aleatëve perëndimorë të cilët kanë investuar kohë për të gjetur një konsensus diplomatik, por edhe mjete luftarake për mbrojtjen e Ukrainës.

Nëse vërtetë Rusia e pushton vendin, Zelensky mund të akuzohet se ka minimizuar rrezikun e një lufte dhe nuk ka bërë mjaftueshëm për ta shmangur atë, siç pretendojnë tashmë, disa nga kritikët e tij.

Qëndrimi i kujdesshëm i presidentit ukrainas është shfaqur në disa raste gjatë javëve të fundit. Ai e barazoi tensionin në kufi me momente të tjera të ngjashme mes Rusisë dhe Ukrainës, pa i dhënë asaj një specifikë apo urgjencë të veçantë.

Një gjë të tillë, Zelensky e bëri kur tha se rreziku i një pushtimi rus është i barabartë me atë të prillit të kaluar, kur Rusia grumbulloi rreth 40.000 ushtarë në kufi dhe më pas i tërhoqi ata. Ai e bëri përsëri një gjë të tillë edhe kur barazoi rrezikun aktual në zonën kufitare me tensionet që kanë vazhduar mes Rusisë dhe Ukrainës që nga vitit 2014, atëherë kur Rusia aneksoi Krimenë.

Zelensky kritikoi gjithashtu krerët e qeverive perëndimore për tonet e tyre, sipas tij, krejt të pajustifikueshme dhe tepër alarmante.

Unë jam presidenti i Ukrainës, unë jetoj këtu dhe mendoj se e njoh situatën më mirë se çdo president tjetër”, tha ai, duke iu referuar shqetësimeve të shprehura nga Joe Biden dhe Emmanuel Macron për përkeqësimin e situatës në kufi.

Një rast tjetër kur Zelensky u mundua të shuante frikën e një pushtimi rus të vendit, ishte kur kritikoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për të evakuuar familjarët e stafit të ambasadës amerikane në Kiev, kryeqytet i Ukrainës, duke e konsideruar një vendim të tillë si të tepruar.

Diplomatët janë si kapitenët, ata duhet të jenë të fundit që braktisin anijen që po rrezikohet të fundoset, por Ukraina nuk është Titaniku”, ironizoi Zelensky.

Po ashtu, ka pasur edhe raste të tjera që presidenti ukrainas e ka marrë shumë seriozisht mundësinë e një pushtimi rus, si në rastin kur kritikoi presidentin e SHBA-ve Joe Biden, kur ky i fundit tha se NATO nuk do të dinte si t’i përgjigjej një “sulmi të vogël” të Rusisë në Ukrainë. Ose edhe atëherë kur ai tha se një luftë në Ukrainë nuk do të ishte vetëm një luftë mes Ukrainës dhe Rusisë, por një “luftë evropiane, një luftë e vërtetë”. Këto deklarata, në një farë mënyrë, dukej se kundërshtonin angazhimin e tij për të ulur frikën dhe tensionin e krijuar nga pushtimi i vendit nga Rusia.

Qetësia e Zelenskyt ka disa arsye. Pjesërisht, siç tha ai vetë, perspektiva e një lufte të afërt rrezikon të destabilizojë ekonominë e vendit dhe politikën e brendshme, për të cilat ai ka çdo interes t’i ruajë të paprekura. Siç shpjegoi Wall Street Journal, “qetësia olimpike” është një strategji shumë specifike, e miratuar nga Zelensky, me mbështetjen e këshilltarëve të tij më të afërt.

Sidoqoftë, në përgjithësi, Zelensky po e trajton kërcënimin e një pushtimi rus siç është përpjekur ta bëjë gjithmonë, me kujdes dhe duke shmangur sa më shumë të jetë nevoja përplasjet frontale. Zelensky është 44 vjeç, presidenti i shtatë që udhëheq vendin që nga pavarësia me Bashkimin Sovjetik. Një nga premtimet kryesore të tij, së bashku me çrrënjosjen e korrupsionit, ishte të gjente një zgjidhje diplomatike për uljen e tensioneve me Rusinë, duke arritur nënshkrimin e një marrëveshje paqe me Putinin, pa qenë nevoja për të shkuar në luftë.

Në fjalimin e tij të parë si president, Zelensky i tha qytetarëve të vendit se “do bënte çdo gjë që ishte e mundur për të arritur një paqe me Rusinë”, një frazë kjo që u shndërrua në moto, duke qortuar ashpër kundërshtarin e tij kryesor, Petro Poroshenko, ish-president i vendit, i cili humbi zgjedhjet për shkak edhe të marrëdhënieve të tij të këqija me Rusinë.

Megjithatë, gjërat nuk kanë ecur aq mbarë, Zelensky arriti të kuptojë se marrëveshja me Putinin nuk ishte aq e thjeshtë dhe gradualisht ka marrë pozicione më të ndrydhura, për shkak edhe të kritikave të marra nga brenda, veçanërisht nga pjesa e atyre që e akuzojnë për një qëndrim të nënshtruar ndaj Rusisë.

Një pikë kthese, ku marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës u përkeqësuan edhe më shumë, erdhi veçanërisht me administratën e Joe Biden, e cila deklaroi se ishte e gatshme të kundërshtonte ekspansionizmin rus dhe premtoi mbështetjen e SHBA-së për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Të gjitha këto ndryshime mund ta kenë bindur Putinin të veprojë përpara se “status quo”-ja aktuale, në përgjithësi ende pro ruse, të ndryshojë. Disa nga ish-bashkëpunëtorët e tij, komentuar nga Wall Street Journal, thanë se Zelensky ende shpreson se është në gjendje të gjejë një gjuhë konsensusi me Rusinë për të nënshkruar një marrëveshje paqeje. Qëndrimi i tij i kujdesshëm dhe i qetë në dukje mund të shërbente për të treguar se ai nuk ka dëshirë të merret me Rusinë si armik dhe për rrjedhojë të mos ndikojë në përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve.

Megjithatë, duke pasur parasysh nivelin e tensioneve, pozicioni i Zelenskyt është i rrezikshëm, veçanërisht duke marrë për bazë edhe protestat në të shkuarën për shkak të qëndrimit të tij ndaj Rusisë, pasi konsiderohej një qëndrim shumë i papajtueshëm. Ndërsa gjatë javëve të fundit, kundërshtarët dhe kritikët e tij, veçanërisht Poroshenko, e kanë akuzuar atë se e ka marrë shumë pak seriozisht kërcënimin e një pushtimi rus, duke mos marrë masat e duhura për mbrojtjen e vendit.

Ka edhe nga ata që e vlersojnë qetësinë e Zelenskyt dhe besojnë se ai po e menaxhon një situatë shumë delikate me kaq kompetencë dhe vendosmëri, pa iu dorëzuar panikut. Por nëse Putin do të vazhdonte me një pushtim të vendit, Zelensky do të rrezikonte gjithçka dhe përveç problemeve që lidhen me menaxhimin e një konflikti të armatosur, ai do të humbte edhe besueshmërinë e tij në popull dhe jo vetëm, por edhe tek aleatët e tij perëndimorë, duke nënvleftësuar rrezikun e një pushtimi të dytë rus brenda një dhjetëvjeçari.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.