Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë. Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiç.
Lajmi vjen pasi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në orët e para të së martës se Policia e Kosovës, nga 1 nëntori, nis me zbatimin e planit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, që i lëshojnë autoritetet serbe.
Ky plan pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri të Kosovës, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Vuçeviç tha për Televizionin Happy në Serbi se Vuçiç, si komandant i përgjithshëm, ka urdhëruar ushtrinë serbe që ta ngrejë nivelin e gatishmërisë luftarake në atë pikë që të mund t’i përgjigjet çdo detyre.
“Serbia është një vend serioz. Ajo merr përgjegjësi për të gjitha problemet e mundshme”, tha Vuçeviç.
Ai shtoi se, mëngjesin e së martës, është bërë qortimi i parë për targat.
“Kur Serbia flet për paqe dhe stabilitet, nuk do të thotë se ne jemi të dobët, se mund të na maltretojnë dhe poshtërojnë. Ajo që duhet ta dijë populli, është se ushtria serbe është shumë herë më e fortë seç ka qenë, meriton respekt… Ne duhet të punojmë për më shumë staf, për armatim më të madh, për trajnim të forcave rezervë. Ne nuk po përgatitemi për luftë, por nuk mund të jemi plotësisht të papërgatitur për gjithçka që ndodh”, tha Vuçeviç.
Targat që i lëshojnë autoritetet serbe, konsiderohen të paligjshme në Kosovë, por ato janë toleruar në veri të Kosovës që nga paslufta, më 1999. Ndërkaq, serbët në pjesë të tjera të Kosovës ka vite që i kanë regjistruar automjetet e tyre me targa që i lëshon shteti i Kosovës.
Çështja e targave është bërë shkas i tensioneve në veri, verën e kaluar, kur disa serbë lokalë janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada. Për të qetësuar situatën dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 nëntor.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar sërish shtyrje, edhe për dhjetë muaj të tjerë, dhe janë shprehur “të zhgënjyera” me mosveprimin e qeverisë sipas kërkesave të tyre, informon REL.
Pikërisht në mesnatën ndërmjet të hënës dhe të martës ka filluar së zbatuar vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e automjeteve që nuk janë konvertuar nga ato ilegale në ato RKS.
Vozitësit janë paralajmëruar se targat e qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë janë të paligjshme dhe se duhet menjëherë të vizitojnë qendrën më të afërt të regjistrimit dhe t’i ndryshojnë ato në RKS.
Dhe siç raportohet, automjeti i parë ka kaluar saktësisht në mesnatë dhe zonja e cila ka marrë paralajmërim, domethënë një “qortim”, ka thënë për Euronews Serbia se ende nuk e di nëse do ta riregjistrojë automjetin e saj në targa RKS.
“Ata nuk na thanë asgjë kur arritëm në vendkalim. Tani për tani, nuk do të bëj asgjë…”, citohet të ketë thënë ajo.
Duke nisur nga 1 nëntori e deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes.
Sipas mediumit në fjalë, në Jarinje nata ka kaluar e qetë, nuk ka pasur kontrolle të shtuara policore dhe as ndonjë incident.
Siç shkruan më tej ky medium, rreth pesë kilometra nga vendkalimi në Jarinje, ishin dy patrulla të KFOR-it. Para mesnate ishin katër vetura të pjesëtarëve të KFOR-it amerikan dhe më vonë lituanez.
Telegrafi ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe do t’ju mbajë të informuar me të rejat rreth zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Kujtojmë se përkundër kërkesave të SHBA-së dhe BE-së për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e veturave për 10 muaj, të premten Prishtina vendosi ta zbatojë atë vendim në katër faza.
Ndërsa Lista Serbe ka paralajmëruar se “serbët nga veriu i Kosovës do t’i japin përgjigje dhe rezistencë të ashpër shqiptimit të parë të gjobës”.