Vangjel Gjikondi sjell në 60 tablo “Historinë e Skënderbeut”

Piktori Vangjel Gjikondi rrëfen “Historinë e Skënderbeut” përmes pikturave. Betejat më të famshme të heroit, gëzimet dhe dhimbjet e tij vijnë në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar për Skënderbeun, për të cilin piktori u bën thirrje institucioneve t’i përmbahen tematikës në aktivitetet e vakëta që zhvillojnë

Anila Dedaj

“Historia e Skënderbeut” në tablotë e piktorit Vangjel Gjikondi nis me pagëzimin e heroit. Një rrugëtim në 60 piktura me ngjyra vaji, që ka në fokus betejat e Gjergj Kastriot Skënderbeut, por pa përjashtuar edhe jetën e tij personale, gëzimet apo momentet e trishta. Një “rrëfim” vizual ai i Gjikondit bazuar në shkrimet e Marlin Barletit, Fan Nolit dhe historianëve të tjerë, por pa përjashtuar as gojëdhënat. Për piktorin, realizimi i këtij cikli ka qenë një ëndërr që mbart pas një punë 10 vjeçare, por edhe ekspozimi i krijimeve përbën për të një sfidë më vete. Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtarë të Skënderbeut, u bë e mundur që në Muzeun Historik Kombëtar të çelej ditën e shtunë ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri në 25 shtator. Të pranishëm ishin figura të njohura nga bota e artit dhe kulturës. Gjikondi, në një intervistë për “Shekullin” u shpreh se është shumë e rëndësishme që gjatë këtij vitit dedikuar heroit tonë në kuadër të 550 vjetorit të lindjes, aktivitetet e ndryshme dedikuar atij të mos dalin nga tematika, por të kenë në qendër Skënderbeun dhe historinë e vendit. Në tablotë e Gjikondit, figura e Skënderbeut nuk është ajo me të cilën jemi mësuar. “Nuk kam dashur ta bëj monumentale, por njësh me popullin”, shprehet piktori. Përpos betejave, pikturat flasin edhe për fakte ndoshta më pak të njohura që ngjallin kërshërinë e vizitorëve. E tillë është vizita e Skënderbeut bashkë me Donikën në kështjellat e Epirit, diçka e pazakontë në atë kohë, apo beteja e heroit me dorën e majtë kur plagoset në të djathtën, dyluftimi i Lek Dukagjinit me Lek Zaharinë gjatë dasmës së Mamicës për Irinën e bukur e deri tek momentet e fundit të Skënderbeut.

Pas shumë përpjekjeve më në fundit çelja e ekspozitës suaj në  u bë realitet. Si ndiheni për këtë?

Jam i lumtur që u pranua, pasi është spostuar si nga Opozita dhe nga Pozita disa herë, nga tentativat për ndryshim të historisë që vijnë nga personalitete të ndryshme turke. Tani më në fund m’u dha mundësia dhe unë po i ekspozoj punimet e mia. Kjo është një nga temat më të bukura që më kanë frymëzuar. Kam dhjetë vjet që merrem me këtë krijimtari. Në ciklin “Historia e Skënderbeut”, që fillon nga lindja e Skënderbeut, deri pas vdekjes së tij përmblidhen betejat më të famshme të Skënderbeut. Pra, të gjitha punimet përbëjnë një cikël të vetëm bazuar tek Historia e famshme e Marlin Barletit, tek Fan Noli dhe e historianëve të tjerë.

Cili është qëllimi kryesor i ekspozitës “Historia e Skënderbeut”?

Unë jam munduar të realizoj diçka të bukur. Nuk më intereson shumë piktura abstrakte, unë dua që të përmblidhet diçka historike për Shqipërinë, sepse vendi ynë mund të pasqyrohet nëpërmjet kësaj historie. Nuk mund të flitet e pasqyrohet Shqipëria vetëm në vepra abstrakte, apo me vepra eksperimentale. Për më tepër që unë i kam kaluar ato faza, peizazhin, portretin, kompozimin. Këto mund të themi se janë tablo monumentale.

A keni një pikturë në këtë ekspozitë, të cilën do të mund ta veçonit?

Ka të ndryshme, mund të përmend për shembull Betejën e Sfetigradit, ku Skënderbeu plagoset nga krahu i djathtë dhe fillon e lufton edhe me krahun e majtë, taktikë që e kishte mësuar në ushtrinë turke më herët. Ky është një fakt që nuk dihet shumë në Shqipëri, mirëpo është diçka e bukur. Të huajt që e kanë dëgjuar janë befasuar nga këto gjëra. Janë tema që ngjallin shumë kuriozitet. Mandej tabloja me Mbretin Vladislav, ku atij, një nga figurave më të rëndësishme mbretërore në të gjithë botën i pritet koka. Kjo ngjarje e bëri Evropën të shtangë dhe të frikësohej për depërtimin e Perandorisë Osmane në territoret evropiane. Në një situatë Skënderbeu me betejat e tij u bë i famshëm edhe në Evropë. Mandej edhe ambasadorë të ndryshëm amerikanë takuan Skënderbeun në Kalanë e Krujës, ngjarje që pasqyrohet në tablonë “Arrivali i Ambasadorëve Evropian në Krujë, në 1448-ën”.

Përveç betejave, vëmendje i keni kushtuar edhe jetës së tij personale, dalin në pah ngjarje me rëndësi si pagëzimi apo martesa e tij…

Po, jam ndalur në një moment si martesa e Skënderbeut në Ardenicë. Kam dashur që përpos të tjerave në këtë pikturë të vë në dukje lidhjen mes Veriut dhe Jugut, nëpërmjet urimit që bëhet në Ardenicë dhe mandej vizita, ku të gjithë princat e mëdhenj e përcjellin në Krujë. Ndërsa përsa i përket Pagëzimit, jam munduar që të ilustroj Vojsavën, e cila imagjinon momentin ku djali i saj do të jetë me shpatë në dorë. Nëse vihet re piktura me kujdes dallohet koncepti, mandej pas disa vitesh ëndrra do të bëhet realitet. Sigurisht që edhe pagëzimi ka koncepte të krishterimit, por nuk jam unë që po i bëj, është Marlin Barleti që e pasqyron diçka të tillë. Në veprën e tij edhe emrat janë biblikë, si për shembull Moisiu, Zaharia edhe shumë emra të tjerë, pra del në pah një frymëzim i tiji nga bibla që pasqyron një koncept biblik për Skënderbeun. Është diçka pozitive, një lloj hyjnizimi të cilin e hasim edhe në vendet fqinjë, si në rastin e Akilit në Greqi.

Figura e Skënderbeut vjen e tjetërsuar në pikturat tuaja…

Kam menduar ta thyej atë figurë, të cilën jemi mësuar të shohim deri më tani. Pra nuk kam dashur t’i qëndroj konceptit të Skënderbeut që kemi parë në skulpturë. Kjo vjen si fryt i imagjinatës, pasi dëshiroja ta shikoja heroin, jo si një figurë monumentale, por njësh me popullin.

Përveç historisë ku jeni bazuar tjetër për të pasqyruar ngjarjet në tablo?

Ka elemente edhe të gojëdhënave. Si ajo e tablosë që pasqyron vizitën e Skënderbeut në Himarë. Thuhet se himarjotët e kanë shoqëruar Skënderbeun në dasmën e tij deri në Krujë dhe ai pas disa vitesh e kthen vizitën me princin Gjergj Araniti. E gjitha kjo është një legjendë popullore e përcjellë nga Qeparoi dhe nuk gjendet askund tjetër. Mirëpo mua më ka intriguar dhe për këtë arsye vendosa ta realizoja në pikturë.

Përpos Skënderbeut si figurë qendrore, cilët janë personazhet e tjerë historikë, të cilët keni dashur të vini në dukje?

Ka momente të rëndësishme si ai i pajtimit dhe duelit të Lekë Dukagjinit me Lekë Zaharinë. E gjitha kjo ndodh gjatë martesës së Mamicës. Për Irinën e bukur, fillon një duel mes Zaharisë dhe Dukagjinit. Irina është një vajzë e hijshme me të cilën ishin të dy të dashuruar, edhe pse kjo e fundit dashuronte Lek Zaharinë. Aty janë vrarë 100 veta dhe plagosur 201 të tjerë, ndërsa Skënderbeu nuk ishte i pranishëm. Mandej ai u mundua t’i pajtonte, mirëpo përfundimi është që Lek Zaharia do të vritej më vonë nga të tjerë.

Ju e cekët edhe më sipër si pengesë ndaj ekspozimit të veprave tuaja. Përse thoni se Turqia kërkon të ndërhyjë në rishikimin e historisë sonë?

Është e vërtetë kjo, përfaqësues të shtetit turk kanë shkuar në Sarajevë dhe kanë bërë presion, pasi sipas tyre Turqia në Shqipëri nuk ka qenë një vend pushtues ka qenë administrator. Ky presion nuk është bërë vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në Maqedoni. Nga kjo, mua nuk më është dhënë mundësia të hapja ekspozitë. Pasi edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve kam bërë tre herë kërkesë dhe nuk më është pranuar, madje mund të them se unë kam dëshirë përsëri të ekspozoj, edhe aty.

I keni ndjekur aktivitete që janë organizuar në kuadër të Vitit të Skënderbeut?

I kam ndjekur dhe mendoj se duhet bërë më shumë. Për këtë ka mbajtur qëndrim kritik edhe Kadareja duke u shprehur se nuk është bërë asgjë për Skënderbeun qoftë, para ’90-ës qoftë tani. Mendoj se aktivitetet e ndryshme, festivalet apo ekspozitat që mbahen në kuadër të Vitit Mbarëkombëtarë të heroit tonë duhet të kenë në fokus figurën e tij. Nuk mund të zhvillohen duke trajtuar tematika të tjera dhe mandej të thonë se këto evente u bënë për të kujtuar figurën e Skënderbeut.

Aktualisht çfarë projektesh të tjera keni në duar?

Kam një cikël të Ali Pashë Tepelenës, të cilin e kam lënë përgjysmë. Një tablo e Ali Pashës realizuar nga unë gjendet në Muzeun e Janinës. Por edhe këtë cikël do të kisha dëshirë ta ekspozoja edhe në vende të tjera, pse jo.

“Turqia kërkon rishikimin e historisë, pretendon se ka qenë vend administrator , ky është motivi pse më kanë spostuar ekspozitën”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.